2018-03-01 13:11:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Zanafillës


Filluam javën e kaluar një cikël, bazuar në librin “Është ora e leximit të Biblës”, me autor meshtarin italian, don Federico Tartaglia. Në emisionin e sotëm, Libri i Zanafillës…

Libri i parë i Biblës është pikërisht Libri i Zanafillës. Është një nga librat më të famshëm e na bën të hyjmë në një udhëtim të gjatë. Duke parë rrugën, që duket pa fund, ndokush mund të mos ketë dëshirë ta përshkojë, por me pak durim, nëse hedhim hapin e parë, do të arrijmë dalëngadalë të kthehemi në tokën, ku kemi lindur të gjithë.

Përfytyrojeni pak skenën e pikturuar nga Mikelanxhelo në Kapelën Sikstine në Vatikan, atë gisht të Zotit, që gati-gati takohet më atë të njeriut, duke i dhënë jetën. Është një nga imazhet e shumta, ndoshta më i jashtëzakonshmi, që përpiqet të pasqyrojë çastin e krijimit, përshkruar në Librin e Zanafillës.

11 kapitujt e parë të këtij libri janë plot me përfytyrime: disa mitologjike, disa të tjera kthehen në koncepte filozofike e për shekuj me radhë, besohej si ishin madje, edhe shkencore. Sido që të jetë, nuk mund të mos tërhiqemi nga bukuria e tyre. Nga një Zot i gjithpushtetshëm e nga një Adam i pafuqishëm; pastaj, nga Adami e Eva, nga Kaini e Abeli… Të gjithë aty e kemi zanafillën, aty kemi lindur si njerëz e pyetjen e Zotit për njeriun e frikësuar “Ku je?”, aty e hasim për herë të parë. Është pyetja e parë e rëndësishme e Biblës.

Të lexosh Librin e Zanafillës do të thotë të pajtohesh me Biblën. Interpretimi fjalë për fjalë i tregimit të Adamit dhe Evës e, më në përgjithësi, i tregimit të krijimit të botës, nuk i rezistoi zhvillimit të shkencës dhe as atij rileximi të mëvonshëm të Biblës, që e respekton natyrën e teksteve biblike. Shumë vetë e mësojnë në katekizëm historinë e treguar në Librin e Zanafillës e pastaj, shkojnë në shkollë e në leksionin e parë të shkencës apo të filozofisë, ndjehen si të tradhtuar nga një libër, i cili, papritmas, duket sikur tregon histori për fëmijë apo tregime primitive. Si duhet lexuar pra Libri i Zanafillës?

Ka njëmijë mënyra, por po këshillojmë njërën: si zbulesë. Adami dhe Eva, marrëdhëniet e para njerëzore, por, më parë akoma, marrëdhëniet e Zotit me botën e me njeriun, marrëdhnie të lira e shi për këtë, problematike. Përvijohen në to fjalë moderne si liri, përgjegjësi e vendimmarrje. Njerëzimi simbolizohet përmes Adamit dhe Evës, kuptohet si mashkull e femër, krijuar në përngjasim e në shembëlltyrë me hyjnorin.

Duke filluar  nga Adami dhe Eva, duke kaluar nëpër Kainin e Abelin e pastaj nëpër Noehin, marrëdhëniet bëhen dramatike e lexuesi njeh peshën e tundimit e të mëkatit. Has vështirësitë e një bote, gjithnjë në rrezik e, të një Zoti, që nis historinë e Tij të shëlbimit. Libri i Zanafillës përshkruan mënyrën me të cilën e shohim botën, akoma sot e kësaj dite.

Në kapitullin e 12-të takojmë pastaj Abrahamin, patriarkun e parë, atin e çdo besimtari e mësojmë edhe programin e Zotit për njeriun, por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.