2018-03-01 16:16:00

U paraqit libri “Të gjithë njerëzit e Françeskut – kardinajtë e rinj tregojnë”


Një panoramë e veçantë e katolicizmit bashkëkohor. Kjo është kuadroja, që del nga libri “Të gjithë njerëzit e Françeskut – kardinajtë e rinj tregojnë”, botuar nga paolinet e paraqitur në selinë e radios sonë. Në takimin e moderuar nga zv.drejtoresha e emisionit italian të lajmeve Tg5, Cesara Buonamici, morën pjesë autori i librit, vatikanisti Fabio Marchese Ragona, kryeipeshkvi i Teguçigalpës, kardinali Oscar Rodriguez Maradiaga, si edhe prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò.

Pasi njoftoi se Papa po punon mbi një dokument mbi shenjtërinë, kardinali Maradiaga u ndal në reformën e Kuries Romake. Reforma, nënvizoi, nuk ka të bëjë vetëm me strukturat, por edhe me njerëzit.

Udhëtim në zemër të krishterimit

Deri tani, u kujtua më pas në takim, Papa Françesku ka krijuar 49 kardinaj me të drejtë vote. Disa nga prelatët e rinj, lexohet në hyrjen e librit, kur tregohet për mënyrën si e morën vesh se janë bërë kardinaj, janë zgjuar nga gjumi natën e të tjerë janë lajmëruar nga miqtë e dashamirët me një mesazh në celular. Ndokush, madje, është njoftuar ndërsa ndodhej në aeroport, në savanë, ose për drekë me shoqërinë.

Në parathënien e shkruar nga kardinali Maradiaga nënvizohet se në libër, kardinajtë e rinj synojnë të shpjegojnë “si është përballur Kisha me botën e sotme, gjithnjë e më të globalizuar, nga Afrika në Oqeani, në mesin e varfërive, të luftrave civile, të krizës së thirrjeve për t’iu kushtuar Zotit, të shekullarizimit e të përparimit të sekteve, me sigurinë se plagët e saj po shërohen dalëngadalë”. Libri “Të gjithë njerëzit e Françeskut – kardinajtë e rinj tregojnë” është një udhëtim, që nis nga zemra e krishterimit, Qyteti i Vatikanit, nënvizoi në konferencë autori, Fabio Marchese Ragona.








All the contents on this site are copyrighted ©.