2018-03-01 13:44:00

Letra "Placuit Deo": Neo-pelagjanizmi e neo-gnosticizmi nuk e kuptojnë shëlbimin e krishterë


Një Letër e Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi disa aspekte të shëlbimit të krishterë kritikon dy prirje bashkëkohore: individualizmin neo-pelagjian dhe spiritualizmin intimist neo-gnostik.

U botua sot Letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë "Placuit Deo",  drejtuar  Ipeshkvijve të Kishës katolike, mbi disa aspekte të shëlbimit të krishterë. Dukumenti nënshkruhet nga imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, S.I. Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe imzot Giacomo Morandi, Sekretar i së njëjtës Kongregatë.

Dy tendenca në botën bashkëkohore

Teksti synon të thellojë mësimin e shëlbimit në Krishtin, në një kohë shndërrimesh kulturore, që e bëjnë më të vështirë për njeriun e sotëm kuptimin e  lajmit të mirë të krishterë, i cili e shpall Jezusin, “Shëlbues i vetëm i njeriut dhe i mbarë njerëzimit”. Posaçërisht nënvizohen dy tendenca të botës bashkëkohore: e para është ajo e “individualizmit, përqendruar mbi subjektin e pavarur”, realizimi i të cilit varet vetëm nga forcat e tij”, që e shikon Krishtin si model, i cili të frymëzon për vepra bujare”, por jo si “Ai, që e shndërron natyrën tonë njerëzore, duke na bërë njerëz të rinj, të pajtuar me Atin e ndërmjet nesh, përmes Shpirtit Shenjt”. Tendenca e dytë synon në shëlbimin shpirtëror, që nxit një bindje të fortë personale, ose një ndjenjë të thellë, për t’u bashkuar me Zotin, por pa i pranuar, pa i shëruar e pa i përtërirë marrëdhëniet tona me të tjerët e me botën e krijuar”. Perspektivë, kjo, që nuk e kap dot kuptimin e Mishërimit të Fjalës.

Pelagjanizmi e gnosticizmi

Ati i Shenjtë, Françesku, në Magjisterin e tij të zakonshëm, i kujton shpesh këto dy prirje që, në disa aspekte, i ngjasin njëra-tjetrës, dy “gabimet e lashta”, pelagjanizmin dhe gnosticizmin, që “përfaqësojnë rreziqe të përhershme lidhur me keqkuptimin e fesë edhe në rrethana të ndryshme historike. Në një notë, kujtohet përmbajtja e dy herezive: “Sipas herezisë pelagjane, zhvilluar gjatë shekullit V nga Pelagjo, njeriu, për t’i zbatuar urdhërimet e Zotit, që të shëlbohet, ka nevojë për hirin vetëm si ndihmë e jashtme lidhur me lirinë e tij, por jo “si shërim e rilindje rrënjësore e lirisë, pa merita  paraprake, që kështu të mund të bëjë mirë e të fitojë jetën e pasosur”. Lëvizja gnostike, e lindur në shekullin I e II, ka forma të ndryshme. Në përgjithësi gnostikët besonin se shëlbimi fitohet përmes njohjes ekzoterike, ose gnozës. Kjo gnozë i zbulon gnostikut thelbin e tij, domethënë, një shkëndijë të Shpirtit hyjnor, që jeton në brendësi, e cila duhet çliruar nga korpi, e huaj për natyrën e tij të vërtetë njerëzore. Vetëm në këtë mënyrë gnosiku rikthehet tek natyra e tij fillestare në Zotin, nga i cili u largua për shkak të rënies në mëkatin e parë.

Neo-Pelagjanizmi, sipas Françeskut

Letra kujton, pa e cituar gjatë, fjalimin e Papës Françesku në Firence, drejtuar përfaqësuesve të Kuvëndimit V kombëtar të Kishës italiane, më 10 nëntor 2015. Një fjalim, që vlen të kujtohet në këtë rrethanë.  Françesku i paraqet këto dy tendenca si tundime brenda Kishës. Tundimi pelagjan - pati thënë - na nxit të besojmë në strukturat, në organizatat, në planifikimet e përkryera abstrakte. Shpesh na nxit të punojmë me një stil kontrolli, ashpërsie, normativiteti. Norma i jep pelagjanit siguri, e bën ta ndjejë veten mbi të tjerët, të ketë drejtim të saktë. Në këtë e gjen forcën, jo në lehtësinë e frymës së Shpirtit Shenjt. Përballë të këqijave ose problemeve të Kishës, është e kotë të kërkosh rrugëzgjidhje në konservatorizmat, ose në fundametalizmat, në ndreqjen e sjelljeve ose në forma të tejkaluara, që as kulturalisht nuk kanë kurrfarë domethënie. Doktrina e krishterë nuk është sistem i mbyllur, i paaftë të lindë pyetje, dyshime. Është e gjallë, di të shqetësojë, të gjallërojë. Nuk ka fytyrë të ashpër, ka trup që lëviz e zhvillohet, ka mish të njomë: doktrina e krishterë quhet Jezu Krisht. Reforma e Kishës, pastaj - e Kisha është gjithnjë në reformim - është  larg pelagjanizmit. Ajo nuk ngulmon në të njëjtin plan për ndryshimin e skrukturave. Përkundrazi, kërkon të rrënjoset në Krishtin duke e lënë veten të udhëhiqet nga Shpirti Shenjt. Atëherë gjithçka bëhet e mundur me gjeninë dhe frymën krijuese.

Neo-gnosticimi në fjalët e Papës

Tundimi i gnosticimit - rikujtoi akoma Papa në Firence - të nxit të besosh në arsyetimin e qartë logjik, në të cilin mund të humbasë fare dhembshuria e korpit të vëllait. Joshja e gnosticizmit është “feja e mbyllur në subjektivizëm, që interesohet vetëm për një përvojë të caktuar ose një sërë gjykimesh e njohurish, të cilat besohet se mund të të kënaqin e të të shndrisin, por ku subjekti, në përfundim, mbetet gjithnjë i mbyllur në arsyen ose në  ndjenjat e veta (Evangelii gaudium, 94). Gnosticizmi nuk mund të të çojë në kuptimin e Zotit. Ndryshimi ndërmjet transhendencës së krishterë dhe çfarëdo lloj forme të spiritualizmit gnostik, qëndron në misterin e mishërimit. Të mos e vësh në jetë, të mos e çosh Fjalën në realitet, do të thotë të ndërtosh mbi rërë, të mbetesh në idenë e pastër e të degjenerosh në intimizma, që nuk japin fryt, që e bëjnë të shterpët gjallërinë e saj.

Ndërmjetësimi shëlbues i Kishës

Duke u rikthyer tek Letra, pohohet se “si individualizmi neo-pelagjan, ashtu edhe përbuzja neognostike e korpit, e shpërfytyrojnë pohimin e fesë në Krishtin, Shëlbues i vetëm dhe universal”, duke “iu kundërvënë edhe ekonomisë sakramentore, përmes së cilës Zoti deshi ta shpëtojë njeriun”. Vendi ku e marrim shëlbimin, që solli Jezusi, është Kisha: kuptimi i këtij ndërmjetësimi shëlbues të Kishës, është themelor për të kapërcyer çdo tendencë reduksioniste”. Shëlbimi nuk fitohet vetëm me forcat vetjake, siç do të dëshironte neo-pelagjanizmi, por përmes marrëdhënieve që lindin nga Biri i mishëruar i Zotit e që formojnë bashkimin e Kishës. Veç kësaj, në kundërshtim me vizionin neo-gnostik, “shëlbimin thjesht shpirtëror”, Kisha është bashkësi e dukshme: në të e prekim korpin e Jezusit, në mënyrë të veçantë, në vëllezërit më të varfër e më të vuajtur, përmes veprave të mëshirës korpore e shpirtërore.

Mision e dialog 

“Vetëdija e jetës së plotë drejt së cilës na prin Jezusi - nënvizohet në Letër - i shtyn të krishterët drejt misionit, për t’ua kumtuar gjithë njerëzve gëzimin dhe dritën e Ungjillit. Në këtë përpjekje do të jenë edhe gjithnjë gati për të nisur një dialog të sinqertë e konstruktiv me besimtarët e feve të tjera, me besimin se Zoti u prin drejt shëlbimit në Krishtin ‘të gjithë njerëzve vullnetmirë, në zemrat e të cilëve punon padukshëm hiri’. Ndërsa i kushtohet me të gjitha forcat e veta ungjillëzimit, Kisha vijon të jetë në pritje të ardhjes së Shëlbuesit, sepse – siç u thotë Shën Pali romakëve -  “në shpresë u shpëtuam”. E përfundon: “Shëlbimi i gjithanshëm, i shpirtit e i korpit, është fati final, në të cilin Zoti i thërret të gjithë njerëzit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.