Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Bota shqiptare

Fan S. Noli: Vdekja e Skënderbeut

Gjergj Kastrioti Skanderbeu - RV

01/03/2018 06:30

Fan S. Noli: Vdekja e Skënderbeut. Kur vdiq Skënderbeu, asnjë sy nukë mbeti i papërlotur. Mbretëresha dhe i biri dymbëdhjetëvjeçar, të gjunjëzuar përpara kufomës së tij, po lebetiteshin. Princërit rreth e rrotull po qanin si foshnja, dhe e vajtonin pas mënyrës shqiptare, me këngë:

O trim Gjerq, zot e mbret, o atë i shënjtë dhe mbrojtësi ynë, qysh na le jetimë dhe të shkretë si dhëntë pa bari? Ku të vemi tani të kërkojmë ndihmën në shtrëngimet? E kush do të na mbrojë tani nga armiqtë dhe nga tërbimi i Turqëve? Mjerë ti, o Shqipëri, mjerë ne derzëstë, mjer’ i madh e mjerë i vogël, mjerë tërë krishterimi që humbi një të  këtillë kryembrojtës!

Lek Dukagjini, si i marrosur nga hidhërimi, rendi në shesh të qytetit e, duke çjerur krahërorin e dyke çkulur mjekrën dhe flokët, bërtiti:

Ejani, o Shqiptarë! Sot ra kryekështjella e Shqipërisë: fortesat tona u përmbysnë: fuqia jonë humbi: qytetet tona ranë përdhe; tërë shpresa jonë u shua me vdekjen e një burri! Klithmat zëmërçjerrëse dhe të mallëngjyera të popullit e mbuluan këte lajmërim të Dukagjinit, të cilin e vërtetonin tingëllimat vajtimtare të këmbanave. 

Atje tej dëgjohej hingëllimi i dëshpëruar, i mallëngjyer, i ngjirur, i këputur i një kali. Ishte kali luftëtar i Skënderbeut, që vajtonte të zotin. Mihte  dhenë me tërbim, rënkonte si i plagosur për vdekje, drithërohej e ngjethej si nga e ftohta e etheve, çfrynte avull e lëshonte lotë si njeri. Që kur u shtri Skënderbeu në shtrat, u sëmur edhe ay; dhe kur vdiq, u egërsua, s’qaste njeri tjatër që t’i hipte, s’deshte më të hante, s’deshte më të rronte, e u shtri e vdiq pakë ditë pas të zotit.

Skënderbeu u varros në kathedralin e Shën Kollit në Lesh. Të gjithë princërit, oficerët dhe ushtarët e tij, me gardën mbretërore, e përcuallë në banoren e funtme. Gjëmimi i topave dhe kërcëllimi i pushkave lajmëruan që kufoma e tij zbriti në varr dhe, bashkë me të, edhe Shqipëria e lirë.

Shqipëria e qau dhe e vajtoj vjete me radhë. Evropa derdhi lotë të hidhura. Të gjithë hoboret, anembanë Evropës, mbajtën zi, se fama e tij ishte përhapur aqë shumë në botë, sa dhe armiqve u vinte keq për vdekjen e tij.

Kur e dëgjoi Sulltan Mehmedi, tha:

-Një luan të tillë do mos lindë më dheu kurrë! Dhe pastaj shtoj: tani Evropa dhe Asia janë të miat! Mjerë krishterimi, se i humbi shpata dhe mburonja!

  Marrë nga Bota Shqiptare, Tiranë, 1943, fq.  237-238

 

01/03/2018 06:30