2018-03-01 18:13:00

Don Gjovalin Simoni për Takimin e CCEE-së mbi "Në Fjalën tënde", në Tiranë


Vijon në Tiranë Takimi i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane(CCEE), në 20-vjetorin e dokumentit “Në Fjalën tënde” (In Verbo tuo), busull për thirrjet meshtarake në kontinentin e vjetër, miratuar në vitin 1997. Takimi filloi dje e do të përfundojë të shtunën, më 3 mars. Në mesazhin drejtuar mëse 50 pjesëmarrësve, kryetari i CCEE-së, kardinali italian Angelo Bagnasco, nënvizon se “njerëzit nuk kanë nevojë për talentin njerëzor të barinjve, por për miqësinë e ngrohtë të Zotit, i cili duhet të banojë mes nesh”. Zoti, nënvizon ai, vazhdon t’i thërrasë njerëzit edhe sot, por gjendja aktuale e pakësimit të meshtarëve e rregulltarëve dëshmon se njerëzit e kanë bërë veshin të shurdhër.

         E atëherë, ç’duhet bërë? Për kryetarin e CCEE-së, “mënyra e parë për të reaguar ndaj kësaj sfide është – së bashku me lutjen më të fuqishme – rizbulimi i vlerës së çmuar e të pazëvendësueshme të meshtarisë, të bukurisë së saj, të aspektit të saj tërheqës”. Kur meshtari e dëshmon Zotin, jeton me Të radikalisht, atëherë çdo fjalë e çdo gjest i tij rrezaton një dritë e një bukuri që, pavarësisht nga mëkatet, e lë të duket fytyrën e Bariut të Madh.

Së dyti, kardinali Bagnasco kërkon shoqërimin shpirtëror të të rinjve e të familjeve të tyre, që të mos kenë frikë t’i nxisin fëmijët t’i përgjigjen thirrjes së Zotit. E së fundi, famullitë, lëvizjet, shoqatata e grupet kishtare duhet ta përkrahin me lutje e me forma të tjera propozimin për meshtari e për jetën rregulltare.

Pikërisht sot, në Tiranë, u diskutua çfarë duhet mbajtur e theksuar dhe çfarë duhet ndryshuar në dokumentin “Në Fjalën tënde”, në mënyrë që ai t’i përgjigjet më mirë situatës së sotme të thirrjeve për t’iu kushtuar Zotit. Për këtë, flet me telefon nga Tirana, drejtori i Qendrës Kombëtare për Thirrjet, në Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Gjovalin Simoni…








All the contents on this site are copyrighted ©.