2018-02-28 16:24:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 35


Emisioni i 35-të i rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, i kushtohet Kuvendit të Lezhës dhe amaneteve të fundit të Skënderbeut, para vdekjes. 

Kujtuam, në emisionin e 34-t se, në ditët e para të janarit 1468,  Kastrioti thirri përsëri, në Lezhë, Kuvendin e Princave shqiptarë, duke na sjellë në mendje takimin e 2 marsit 1444, kur i pati lëshuar popullit të trojeve të veta, kushtrimin e parë për  luftë.

Si asokohe, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Venedikut; e si atëherë,  të gjithë princat u betuan se do të fitonin, ose të vdisnin. Por tani pati edhe nga ata, që nuk e mbajtën këtë premtim solemn; nga ata, që nuk e kuptuan se ky kushtrim ishte i fundmi i gjesteve heroike e legjendare e se pikërisht kjo Kishë e Shën Kollit në Lezhë, ku ishin mbledhur Princat e Besëlidhjes, pas pak kohe do të hapte gjirin për të pritur trupin e pa jetë të Prijësit.

Si përfundoi kuvendi, Kastritoti mori vesh se një  ushtri e fuqishme turke, në kundërshtim me zakonet e kujdesshme luftarake, kishte kapërcyer, në pikë të dimrit, malet e tmerrshme ballkanike e po marshonte drejt Shkodrës. Heroi, ndonëse i kapitur, kërkoi kalin për të dalë përsëri në ballë të luftës, por këtë herë nuk mundi të kalëronte. Ethet e malarjes e detyruan të zërë shtratin. Populli besnik bëri çmos ta ngrinte përsëri në këmbë e ta shikonte, si gjithnjë, në ballë të betejës, por ethet, që i patën nisur gjatë pritave të panumërta kundër armikut, buzë kënetash, nuk e lëshuan. Edhe pse nuk pati menduar kurrë t’u ruhej, para se ta mposhtnin.

E ndjeu se po i afrohej ora e mbrame e, kur po jepte shpirt, thirri të birin, Gjonin, të cilit i la amanetet e fundit.

Tradita e bukur letrare, që lulëzoi për shekuj, kushtuar bëmave legjendare të Gjergj Kastriotit, i përjetësoi këto amanete në këngët popullore, të cilat arbëreshët i mbartën me vete nga atdheu, në mërgim, dhe i ruajtën për shekuj, deri më sot, që po e rikujtojmë njërën. Titullohet “Vdekja e Skënderbeut”. E kthyem nga arbërishtja, në shqipen e sotme, për ta ndjerë më drejtpërdrejt dhembjen, që buron prej saj, ende e freskët, pas kaq shekujsh, për humbjen e Kryetrimit. Pa harruar të kujtojmë edhe origjinalin në arbërisht1. Është dialog i supozuar i Skënderbeut në fill të mortjes, me të birin, ende të mitur:

… Lesh ari, i varfri im,

-Lule e braktisur,

lule e zemrës sime.

Mirr tët ëmë e tri galé

më të miratë që kemi,

e ik shpejt këtyre visesh.

Se ty turku po të zu,

ty të vret, rrëmben tët ëmë…

Po ti nisu shpejt me të.

Si të arrish, para se t’ikësh

përmbi zaje të detit tonë,

atje është një qeparis

shtat-hedhur vajtimtar.

Atje lidh ti kalin tim…

(Kah dëgjonin këto fjalë

zunë të qajnë me logori

përreth zotër e bujarë

atë ditë të mjeruar)

… Përmbi kalin, erëve të detit

hape, bir flamurin tim,

e ndë mes të këtij flamuri

lidh e lë ti shpatën time.

Kur të fryjë vorea e keqe,

flamuri do të valëvitet,

kali im do të hingëllojë

edhe shpata do të vringllojë

mbi të vrërtin qeparis.

E dëgjon turku e trembet,

kujton vdekjen që përgjon

përmbi teh të shpatës sime.

e s’ju ndjek atje ku veni!

Në emisionin e ardhshëm, Vdekja e Skënderbeut sipas Fan Nolit

_____

1

SKENDERBEU E VDEKJA

 

Menatet Kur na u nis

Skënderbeku keq i sbét,

Keq i sbét e i smundem,

Të luftoj luftën e presëm

Ju përpoq Vdekja,

proksenit i psores zezë.

-   Priru Skënderbek, prap.

-   E kush jè ti e nga vjen ?

-   Ëmri im ësht Vdekja

gjela  jote u fërnua .

-   He ti ajër si jè,

pa zë  mbrënda ndë gjì

andaj trëmben njerëzit,

ka e dij se u kam vdes?

-    Dje u hap qielshit

livri të vdekurvet,

si një skjep diu  ç’u sdrep

e ra i zi mi ball kreut tënd ;

pas e vate  mbi të tjerë

Tha e u spav, ëndërra e gjelës.

-   Poka , s’kam të rronj u më ?

E m’u vu tuke penzuar

motet çë kishnjim të vijin.

Pa të birin keq djàl,

Pa shpí e pa át

e ndë lip  katund e tij.

Gjith i pisruam  mbë rrole 

Mbiodhi shokt e më i tha :

- Ushtër  e pamundur aime,

Ndë nji dit për një dit

Turku e merr dheun tënë

E ju bën krietet e tij.

Dukagjin po i miri im,

sielem ktu tim bír,

ni t’ thom çë kam t’i thom.

   Më i sualltin të birin

Lesh ari i vardhurith .

-  Lule e lërjes,

lule e ksaj zemrës time,

mirr të tëmë e tri galè

më të mirat se çë kemi,

e ik mbiatu ktejna.

Se ndë Turku më e zeftë

Tij të vret, e pra të tëmë

Ai me nisen bashkë me të.

Por si arresh , e par se ikur,

ndër zalit dejtit,

atje është një qiparis,

i heshëm i lip-math,

atje lidh ti kalin tim.

(Tuke gjegjur këto fjalë

Zun mbë të qàr me lak

mbë rreth zotëra e bulér

ditës e mëruame!)

   ...Por mbi kalit ervet dejtit,

hap, ti bir, fiamurin tim

e ndë mest fiamurit

lidh e le maheren time

Kur të frin vorea e keqe

fiamurin me dridhiet

murgjari më hinglisen

e maherja trintlisen

ka i vrërti qiparis.

Turku i gjegjën e i trembur

kulton vdekjen

çë fjee te maherja ime

e s’ju pasen ngaha veni.                     

 

Këngë popullore tradicjonale e  Shqiptarvet  t’Italís

 








All the contents on this site are copyrighted ©.