2018-02-28 15:22:00

Gjergj Fishta: Lidhja e Prizrendit


Gjergj Fishta: Lidhja e Prizrendit

Njekshtû forca e cilldo anmiku, 310
‘Qi desht dam t’ na i sjellë lirís,
Erdh e u thye m’ parsme çeliku
T’ bijve t’ maleve t’ Shqypnís.
Pat kujtue Sulltan Murati
Se Shqyptarët i ká lshue zêmra, 315
Se prandej po u rrin aj gati
E rob t’ zânë po i shtron nên thêmra;
Edhè dyndë nji ushtrí kreshnike,
Të tanë djelm t’regjun nder gjaqe:
Bota marë eshtet prej frike; 320
Kján Europa, lott per faqe.
Por n’ ket punë u gjet gabue;
Skanderbegu ‘i rrfé prej qiellit
Pallen zier atjè në Krue:
Se ç’ vetue ká n’ rreze t’ diellit! 325
E si ulâ tue buluritun,
Shqyptarís i a lshon kushtrimin,
Qi, shk’ â burrë, ne luftë me zbritun,
Turkut m’ armë m’i a shtypë guzimin.
Trup në kamë i a bân shqypnija, 330
Mirë nder armë edhe shterngohet,
E si breshni e si duhija
Fulikare mbi Turk lshohet.
N’ at turr t’ tyne trandet toka,
Tymi çohet dér mbí rê, 335
Bumbullojn male edhè boka,
Rrëmen gjaku shtoj kurrnê.
Shtrî m’fushë t’ Dibers Janiçeri
E, si kau nen thikë të kandarit,
T’ u perpjekë per tokë i mjeri, 340
Ka’ e ndrydhë m’fyt kâma e Shqyptarit,
Aj e shef, sado qi vonë,
Se me dhûnë Shqypnija s’ shkilet,
E se rrêjn atà qi thonë,
Se p’r Atdhé Shqyptari s’ vritet. 345
Jo prá, vritet, pasha Zotin!
Nisë Shan Deda, n’ fjalë t’ u zé,
Porsi vrám âsht aj gjithmotin,
Kur kje puna per Atdhé.
Edhè Mbreti të Stambollit 350
Shqyptarët pushken i a kan vû,
Sa herë Turqit e Anadollit
Paten dashë me u shkelë, m’ kanû.
Kú t’ a lypë e mira e Atdheut
E t’ a hjekë lirija e vendit, 355
Kush â nipash t’ Skanderbeut,
I ç’ do fés e i ç’ do kuvendit,
Per t’ a msý aj ká anmikun,
Si petriti zogjt trumcakë,
E kûdo t’ vringllojn çelikun 360
Nuk lên token pa e pergjakë.
Mocë Shqyptarët me stalagtita,
Lirë gjithmonë kta e kan shkue jeten;
E se enden nata e dita.
Se zên vjeta ne rend vjeten, 365
Kta, posë Zotit t’ naltë t’ Empirit,
Qi ushqen krijen e veshë lulen,
Kryet dér sod perpara nirit
Enè kurr nuk e perkulen.
M’ kamë, atëherë,burra të dheut, 370
Mbasi t’ zott jemi me dekë
Per lirí e nderë t’ Atdheut.

Atë Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë, “Lidhja e Prizrendit”, Romë-1989, fq 107-108








All the contents on this site are copyrighted ©.