2018-02-27 13:55:00

Papa: në rrëfyestore asnjë kërcënim, por falja e Atit


Kreshmët janë kohë, që ndihmon për të bërë kthesë, për t’u afruar me Zotin, për ta ndryshuar jetën tonë. E ky është hir, që  duhet lypur nga Zoti.

Jezusi na thërret me ëmbëlsinë edhe besimin e Atit

Duke e marrë shtytjen nga Leximi i parë, shkëputur nga Isaia Profet, një thirrje e vërtetë për të ndryshuar rrugë, Françesku, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë, foli për sjelljen e veçantë të Jezusit përballë mëkateve tona. Krishti nuk të kërcënon, por të thërret me ëmbëlsi, duke të  besuar: “Hë, ejani e të flasim bashkë” - janë fjalët, që u thotë Zoti krerëve të Sodomës dhe popullit të Gomorrës, të cilëve - sqaroi Papa - ua ka treguar të keqen, që duhet shmangur e të mirën, që duhet ndjekur. E po kështu bën edhe me ne!

Zoti na thotë: “Ejani, hë, shpejtoni. Ejani të shndërrojmë dy fjalë. Të flasim pakëz bashkë.”. Nuk na tremb. Sillet me ne, si ati me të birin e parritur, që ka bërë ndonjë sherr e duhet ta qortojë. Duke e ditur mirëfilli se po të shkojë me dru në dorë, punët nuk mund të përfundojnë mirë. Duhet të shkojë pa dru e me besim. Kështu na thërret Zoti nga ky fragment i Shkrimit Shenjt: “Hë, ejani. Të marrim një kafe së bashku. Të flasim, të diskutojmë. Mos kini frikë. Nuk e kam ndër mend aspak të marr kamxhikun”. E meqë e di se i biri mendon: “Po unë kam  bërë  ca gjëra, që…”, i gjegjet menjëherë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin si purpur, do të bëhen si leshi”.

Edhe në rrëfim, jo kërcënimeve

Ashtu si bën ati me të birin adoleshent, Jezusi, me një gjest mirëbesimi, të afron, të fal, ta shndërron zemrën. Kështu - kujtoi Papa - bëri duke thirrur Xakeun a Mateun, e kështu, edhe në jetën tonë: na mëson si të bëjmë një hap përpara në udhën e pendesës.

Ta falenderojmë Zotin për mirësinë e tij. Ai as që e ka në mendje të përdorë drurin, domethënë, të na dënojë. Dha jetën për ne e kjo është mirësia e tij.  E gjithnjë kërkon mënyrën për të na arritur drejt e në zemër. Po kur ne (e meshtarët, në vendin e Zotit) duhet ta dëgjojmë njeriun e penduar, duhet edhe të sillemi me atë mirësi, që është tipike për Zotin: “Ejani të diskutojmë, nuk ka problem, falja këtu është”. Kështu thotë Zoti, që në fillim, e nuk kërcënon askënd.

Të shkojmë tek Zoti me zemër të hapur

Lidhur me këtë, Papa tregoi përvojën e një kardinali rrëfyes që, pikërisht përballë mëkatit, që e parandjen se do të ishte “tejet i rëndë”, nuk ndalohet shumë, por shkon përpara, vijon dialogun. E kjo ta hap zemrën - nënvizoi Françesku - e i jep paqen tjetrit. Kështu bën Zoti me ne. Zoti na thotë: “Ejani të diskutojmë, të flasim dy fjalë bashkë. Merre dëftesën  e faljes, falja është!”.

Mua më ndihmon kjo sjellje e Zotit: sjellje e atit me birin,  që i duket vetja i rritur, ndonëse është ende në gjysëm të rrugës. E Zoti e di mirë se të gjithë jemi në gjysëm të rrugës e shpesh kemi nevojë për këtë! Kemi nevojë ta dëgjojmë fjalën: “Epo, eja, mos u tremb, eja, falja nuk mungon!”. Kjo na mbush me guxim. Të shkojmë tek Zoti me zemër të hapur: është atë e na pret!








All the contents on this site are copyrighted ©.