2018-02-27 09:45:00

Më 27 shkurt kalendari përkujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme


Më 27 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Gabrielin e Zojës së Dhimbshme, rregulltar. Françesko Posenti lindi në Asizi në vitin 1838. Kur ishte katër vjeç, i vdiq e ëma. Më vonë ndoqi vëllezërit dhe babain, guvernator i Shtetit papnor, nëpër vende të ndryshme. Pastaj u vendos në Spoleto, ku frekuentoi Vëllezërit e shkollave kristiane dhe Jezuitët. 

Në moshën 18 vjeçare filloi rishtarinë pranë rregulltarëve Pasionistë në Morrovale ( Maçeratë), duke marrë emrin Gabrieli i Zojës së Dhimbshme. Vdiq në vitin 1862, 24 vjeç, në Izola del Gran Saso, kur kishte marrë vetëm urdhrat e vegjël, pra pa u bërë rregulltar me kushte të përjetshme, as meshtar. 
Në Gran Saso nderohet shumë, në shenjtëroren që mban emrin e tij, cak shtegtimesh, sidomos të të rinjve. Është shpallur shenjt në vitin 1920. 

Shën Gabrieli u dallua për një jetë të përkushtuar plotësisht Mundimeve të Jezu Krishtit, dhurimit të plotë të vetes pa rezerva, të shpirtit të uratës e të pendesës, në mënyrë të posaçme kishte një përshpirtëri ndaj të Shenjtërueshmes Zojë të Dhimshme.  Për ditët tona figura e Shën Gabrielit, “shenjtit të buzëqeshjes” është shembull i përshpirtërisë së sinqertë kristiane, mësim i rëndësishëm për të gjithë se si të jetojmë në përkim me Ungjillin e në lutje të vazhdueshme me Mësuesin e Jetës, Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.