2018-02-25 09:30:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 32


Në emisionin e 32-të të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do të flasim për përpjekjet e pareshtura diplomatike të Papës në ndihmë të Kastriotit, të rrethuar përsëri në Kështjellën e Krujës.  

Në emisionin e kaluar e lamë Skënderbeun të rrethuar në Krujë, përballë ushtrisë vigane turke. I mbyllur në kështjellë, Kastrioti përdori edhe këtë herë taktikën, me të cilën kishte mundur Muratin II e edhe Mehmetin II, duke u sulur papritmas mbi trupat armike e duke u shkaktuar panik e vdekje.

“Pak më shumë se 14 mijë burra - vëren me të drejtë Cutolo - qenë thirrur të  thyenin ushtrinë më të pathyeshme, që kish shkelur ndonjë herë  mbi këto troje. Ndërsa Evropa nuk e kish kuptuar akoma se kjo ushtri heroike nuk mbronte vetëm veten, por edhe, e kryesisht, krishtërimin, kundër islamit”.

E me që rrethimi i Krujës ishte në përkim të plotë me veprimtarinë e ethshme të Papës, Pali II nisi të shqetësohet thellësisht prej lajmeve që vinin nga Kruja e rrethuar. Prej këndej, duke e kuptuar mirëfilli rrezikun që i kërcënohej, atij e mbarë Perëndimit, bëri çmos ta kufizonte, duke i përdorur të gjitha mjetet e mundshme.

 Për Papën largpamës, Kruja ishte kështjella më e fuqishme e Perëndimit, e Kastrioti, Prijësi më heroik, mbi të cilin mund të mbështeteshin shpresat e mbarë krishterimit. Prej këndej, të gjitha shtetet e kishin për detyrë ta ndihmonin pa asnjë kursim. Por thirrjet e Palit II ranë rishtas në veshë të shurdhër, ashtu si në kohën e disfatës së Varnës (1444), të rënies së Kostandinopojës (1453), të humbjes së Moresë (1460) e të fundit të Bosnjës (1463). Cilit vend do t’i sulej tani islami?  Kur më Evropa do të bindej e do të bashkohej me Skënderbeun  për t’i bërë ballë dyndjes së një pushtuesi, që do ta rrafshonte çdo vlerë të krijuar me aq mund e përpjekje? Po ndihma e Evropës dështoi edhe një herë. E vetëm Papa, duke e kuptuar sa e rëndë ishte situata, bëri çmos ta ndihmonte Kastriotin. Edhe nga që kishte frikë se Luftëtari i madh, i detyruar  nga uria e nga një mori shkaqesh të tjera, në këtë kohë plot me të panjohura, mund të pranonte ofertën e sulltanit për paqe.

E terrorizonte mendimi se partia filoturke mund ta bindte opinionin publik  dhe Senatin e Serenissimës. Këtë gjendje të veçantë shpirtërore të Papës,  e vërteton një fakt domethënës. Në korrik të vitit 1466, Pali II dërgoi në Venedik, si ambasadorin e vet personal, kardinalin Carvajal.

Një shtet tjetër, të cilin Papa e shikonte me shumë vëmendje, ishte Napoli, që do të mund t’i ofronte Kastriotit një kontribut më të madh në para, burra e mjete. Por vëmendja e Papës edhe këtë herë shkoi kot, sepse s’kishte burrë që mund t’i besonte mbretit të Napolit, kaq natyrë të pabesë e të keqe kishte.  

Gjithsesi Papa ia arriti se ia arriti qëllimit, duke përdorur Venedikun që, më 7 qershor 1466, i shkruante Mbretit Ferrante një letër, e cila dukej si e hartuar nga Kancelaria papnore. Përmes saj vihej me forcë në dukje rreziku i pushtimit turk dhe roli i Skënderbeut në shpëtimin e krishterimit.  

Cilat qenë, pastaj, ndihmat e Palit II, të Ferdinandit të Aragonës e të Venedikut, nuk e dimë me saktësi, por sigurisht që qëndrimi ndaj Skënderbeut u përmirësua me shpejtësi të madhe. E tregon reagimi i sulltanit që, më 1 gusht 1466, duke e parë se Kruja nuk jepte asnjë shenjë lodhjeje, e la rrethimin në dorë të Ballaban Pashës e, në krye të 100 mijë burrave,  u kthye rishtas me bisht ndër shalë,  në Kostandinopojë. Ku shkeli, la gjurmë të tmerrshme masakrash e rrënojash. Në Dibrën e Poshtme ranë në dorë të turkut fortesat e Kidnës, ku turqit masakruan gjithë luftëtarët e e edhe popullin e  pafajshëm.

Si u nis sulltani, situata e të rrethuarve në Krujë u bë edhe më e vështirë. Por për të do të flasim në emisionet e ardhshme…. 








All the contents on this site are copyrighted ©.