Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Shndërrimi i Krishtit na fton t’i shikojmë gjërat e tokës me sytë e Zotit.

La Trasfigurazione seconda domenica di Quaresima - RV

25/02/2018 16:08

Kisha, nё tё dielёn e dytё tё kohёs liturgjike tё Kreshmёve, sot, na propozon fragmentin e Ungjillit tё Markut qё na rrёfen  Shndërrimin e Krishtit. Kjo ngjarje na fton t’i shikojmë punët e botës me perspektivën e Zotit. Kjo do të thotë ta shikosh errësirën me sytë e dritës. T’i shikosh punët e botës nga lart, ashtu si i shikon Zoti. Jezusi u ngjit mbi mal për t’u lutur. E Mali, Tabori, ashtu si Sinai, është vendi në të cilin njeriu e ndjen veten shumë më pranë Zotit, sesa në jetën e përditshme. Është maje mali, ku mund të thithësh ajrin e pastër të krijimit. Është vend i lutjes.

E Shndërrimi i Zotit Jezus lidhet ngushtë me lutjen. Por pa harruar se kurrë dialogun me Atin e vet qiellor, Jezusi nuk del nga historia, nuk i shmanget misionit për të cilin ka ardhur në botë, nё mesin e njerёzve, ndonëse e di që duhet të kalojë përmes kryqit – udhёs sё kalvarit për të arritur në lumni. Madje Krishti, hyn edhe më thellë në këtë mision, duke iu nënshtruar me gjithë vetveten vullnetit të Atit Hyjnor. Tregon, kështu, se lutja e vërtetë është ajo që na ndihmon ta bëjmë vullnetin tonë një me atë të Zotit.

E për të krishterin, të lutet nuk do të thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashtershme të Zotit. Mbi malin Tabor, siç na rrёfen Marku, Pjetri, Jakobi e Gjoni jetojnë çaste të jashtëzakonshme: kundrojnë lumninë e Birit të Hyjit, Jezu Krishtit, parashijojnë për pak çaste Parajsën.

“Është përvojë, që jetohet për një kohë të shkurtër, të cilën Zoti nganjëherë e lejon, sidomos pas provave të rënda. Por, askujt nuk i jepet mundësia të jetojë “mbi Tabor”, në sa jeton ende mbi këtë tokë. Jeta njerëzore është udhë feje e, si e tillë, jetohet më shumë në gjysmë hije, sesa në dritë të plotë, pa harruar edhe çastet e errësirës, madje edhe të territ të verbër. Përderisa të jemi mbi tokë, me Zotin mund të lidhemi më shumë përmes dëgjimit e vegimit; e edhe vetë kundrimi bëhet gati-gati me sy të mbyllur, falë dritës shpirtërore, që ndez në zemrën tonë Fjala e Zotit”(Benedikti XVI Lutja e Engjëllit të Tënzot, 12 mars 2006).

Do të ishte gjë e bukur të rrije mbi Tabor. Posaçërisht kur ngjitesh përkrah Jezusit, për ta parë të keqen me sytë e së mirës, pa harruar se Shndërrimi është ngjarje që lidhet ngushtë me lutjen: duke u lutur, Jezusi shkrihet në Hyjin, bëhet një me Të, bashkon vullnetin e tij njerëzor me vullnetin e dashurisë së Atit, e kështu pushtohet nga drita e duket ai që është në të vërtetë: “ Dritë prej Drite”.

Veshja e bardhë e flakëruese e Jezusit, na kujton rilindjen në pagëzim, parashijim i jetës qiellore. “Kjo është pika vendimtare: shndërrimi është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”( Benedikti XVI Lutja e Engjëllit të Tënzot, 17 shkurt 2008).

kujtojmë zërin e Atit, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i tij i dashur e duke shtuar: “Dëgjojeni!”. Për të hyrë në jetën e amshuar duhet dëgjuar Jezusi, duhet ndjekur në udhën e kryqit, duke pasur në zemër, ashtu si Ai, shpresën e ringjalljes.  Shndërrimi i Jezusit në sa lutej mbi mal, është ftesë për t’u lutur. Na tregon se lutja e vërtetë është ajo që të ndihmon ta bësh vullnetin tënd një me atë të Zotit. E vetëm lidhja e vërtetë me Jezusin na tregon se bukuria e njëmendtë është dashuria e Zotit, që di ta shndërrojë edhe misterin e errët të vdekjes, në dritën rrezëlluese të ringjalljes. Lutja nuk është një element ndihmës, nuk është optional, por është çështje jete a vdekjeje. Vetëm ai që lutet, dmth që e lëshon plotësisht vetveten në dorë të Zotit me dashuri bijnore, mund të hyjë në jetën e amshuar, që është vetë Zoti. 

Nga Ungjilli shenjt sipas Markut 9, 2-10
Në atë kohë, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë, dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tija u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. Atyre ju dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin. Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po i ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – djali i Dishirit! Atë dëgjoni!” Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta. Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë deri që Biri i njeriut të mos ngjallet prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë, por njëri-tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri." Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Tё Lutemi me Ungjillin e së dielës: 
Ti na ke ftuar të gjithëve, o Zot,
në Malin e shndërrimit.
Atje ne pamë lumninë tënde,
dëgjuam zërin tënd.
Në atë majë na u duk se feja
ishte e lehtë, e natyrshme,
pa ankthe e pa kryqe.
Ndihmona të zbresim nga mali,
e hap pas hapi ta ndjekim Jezusin
udhë të tjera pa kërkuar,
udhë të shkurtra, pa mundim:
me bindjen se agu i Pashkëve,
kalon nëpër udhën 
e së Premtes së Madhe! 

 

25/02/2018 16:08