2018-02-25 19:15:00

Papa: homelia mbajtur në famullinë e Shën Gjelazit I: “Bëni atë që ju thotë Krishti!”.


Jezusi i bën apostujt të shikojnë si është në qiell: i lumnueshëm, i shndritshëm, ngadhënjyes. E këtë e bën që t’i përgatisë për mundimet, për shkandullin e Kryqit, mbasi ata nuk mund ta kuptonin se Jezusi do të vdiste si kriminel, nuk mund ta kuptonin. Ata mendonin se Krishti ishte çlirimtar, por ashtu si janë çlirimtarët tokësorë, ata, që fitojnë në betejë, që ngadhënjejnë gjithnjë.

Jezusi ngadhënjen përmes poshtërimit të Kryqit

Udha e Jezusit është krejt tjetër; Jezusi ngadhënjen përmes poshtërimit të Kryqit, por me që kjo udhë do të ishte shkandulluese për ta, Jezusi i bën ta shikojnë edhe atë, që vjen pas, atë që vjen pas Kryqit, atë, që na pret ne të gjithëve, këtë lavdi e këtë qiell. E kjo është shumë e bukur - kështu u shpreh Papa, duke folur lirisht në Meshën e kremtuar në famullinë e Shën Gjelazit I, në Romë, ku ishte për vizitë.

Mesazhi që na përgatit gjithnjë: Jezusi nuk na lë kurrë vetëm”!

E ky është edhe mesazhi, që na përgatit gjithnjë - theksoi Papa. - Për të kujtuar, më pas, edhe se na jep forcë të shkojmë drejt çasteve të provës, gjithnjë me forcën e Jezusit. Sepse Jezusi nuk na lë kurrë vetëm në çastet e provave të jetës: na përgatit gjithnjë, na ndihmon, ashtu si i përgatiti dishepujt me vegimin e lavdisë së Tij. E kështu ata, pastaj, e kujtojnë  këtë, për ta mbartur barrën e poshtërimit. Kjo është gjëja e parë që na mëson Kisha - nënvizoi Ati i Shenjtë. -  Jezusi na përgatit gjithnjë për prova e, në prova, është me ne, nuk na lë kurrë vetëm.

Mesazhi i Atit: “Dëgjojeni!”

 Së dyti, nga Fjala e Zotit - vijoi të shpjegonte Papa - mund të mësojmë mesazhin, që Ati ua jep Apostujve: “Dëgjojeni!”. Nuk ka çast të jetës që mund të jetohet plotësisht, nëse nuk e dëgjojmë Jezusin - kujtoi - për të    porositur më pas: “Në çastet e bukura duhet të ndalohemi e ta dëgjojmë Jezusin; në çastet e hidhura, të ndalemi prap e ta dëgjojmë Zotin. Kjo është rruga! Ai do të na thotë ç’duhet të bëjmë. Gjithnjë! E të shkojmë në këto Kreshmë me këto dy gjëra: në prova të kujtojmë lavdinë e Jezusit, domethënë atë që na pret”. E gjatë gjithë jetës, ta dëgjojmë Jezusin, t’ia vëmë veshin asaj, që na thotë. Në Ungjill, në Liturgji, në zemër.

Ç’më thotë Jezusi sot?

T’i bëjmë çdo ditë vetes pyetjen: “Ç’më thotë Jezusi sot?”. E të përpiqemi ta dëgjomë zërin e Jezusit. E kështu të ndjekim këshillën e Atit: “Ky është Biri im, i dashuri, dëgjojeni!”.

E edhe të Zojës, që gjithashtu, nga Dasma e Kanës së Galilesë, na kujton: “Bëni atë, që t’ju thotë Ai”.








All the contents on this site are copyrighted ©.