2018-02-25 12:43:00

Papa për luftën në Siri: është çnjerëzore, ndihma të menjëhershme


Në Engjëllin e Tënzot, një thirrje e re e ngutshme e Papës Françesku për përfundimin e menjëhershëm të dhunës në “Sirinë e dashur e të martirizuar”, pas rishpërthimit të konfliktit në Ghoutën lindore. Shkurt i tmerrshëm, mijëra viktima civile, mungesë ushqimesh, denoncon Papa. E kërkon arritjen e menjëhershme të ushqimeve dhe ilaçeve dhe evakuimin e të plagosurve dhe të sëmurëve.

Ja thirrja e Papës Françesku pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar me shtegtarët në Sheshin e Shën Pjetrit nga dritarja e studios së tij në Pallatin Apostolik, për përfundimin e menjëhershëm të dhunës në Sirinë “e dashur e të martirizuar”:

“Të dashur vëllezër e motra, këto ditë kam menduar shpesh për Sirinë e dashur e të martirizuar, ku lufta shpërtheu përsëri, posaçërisht në Ghoutën lindore. Muaji shkurt ishte një nga më të dhunshmit ndër shtatë vitet e konfliktit: qindra mijëra viktima civile, fëmijë, gra, pleq; u goditën deri spitalet; njerëzit nuk kanë më ç’të hanë…E gjithë kjo është çnjerëzore. Nuk mund të luftohet e keqja me një të keqe tjetër. E lufta është e keqe. Prandaj bëj thirrje të ngushtshme që të marrë fund menjëherë dhuna, të hapet rruga për arritjen e ndihmave humanitare - ushqim e ilaçe - e të evakuohen të plagosurit e të sëmurët. T’i lutemi Zotit që kjo  të bëhet pa vonesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.