2018-02-24 15:50:00

E bija e Asia Bibit: i solla Papës puthjen e nënës sime


Papa priti sot, në audiencë private, burrin dhe vajzën më të vogël të Asia Bibit si dhe Rebecca Bitrus, e re nigeriane, dy vjet me radhë e burgosur nga Boko Haram. Takim i jashtëzakonshëm, siç na e tregon Alessandro Monteduro, drejtor i “Ndihmë për Kishën që vuan-Itali”, i pranishëm në takim:

“Takim i jashtëzakonshëm, vërtet. U prekëm thellë të gjithë, madje duhet kohë për t’i radhitur kujtimet e atyre çasteve. Takimi, që zgjati 40 minuta, pati në qendër fenë, pati një përshpirtëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm përshpirtërinë e Atit të Shenjtë, por edhe atë të këtyre vajzave të reja e të vuajtura si dhe të bashkëshortit të Asia Bibit. U lutëm së bashku me Atin e Shenjtë. Çast i mrekullueshëm, ky, i paharrueshëm. Papa deshi të luteshim të gjithë bashkë, secili në gjuhën e vet. Për shembull, Eisham, e bija e Asias, u lut në urdu; Rebecca, vajza viktimë e Boko Haram nga Nigeria, në dialektin e saj, hausa, e ne, natyrisht, në gjuhën tonë. Thamë një herë Atynën, e pastaj edhe FaleMrinë. Ishte një çast i ngarkuar tepër me emocione. Natyrisht duke qenë audiencë private, është e natyrshme të mos e tregosh gjithçka u tha Papa vajzave e edhe ne”.

Sigurisht duhet t’i ketë inkurajuar?

“Absolutisht! Mund të tregoj një nga çastet më të bukura. Ndoshta radiodëgjuesit tuaj e dinë - meqë pak ditë më parë edhe ju keni folur për këtë -  se Eisham, më 17 shkurt, para se të nisej për në Romë, e takoi t’ëmën në burg. I tha: “A di, mama, do të nisem për Romë. Do të takohem me Papën. Do të shkoj në Romë, sepse Koloseum do të ngjyroset me ngjyrë të kuqe. Do të mendojmë, madje do të mendojnë për ty në mbarë botën “. E mori përgjigjen: “Nëse e takon Papën, jepi një të puthur nga ana ime”. E Papa jo vetëm e pranoi këtë puthje, që po i vinte nga  larg, nga një burg, por edhe ia ktheu me shumë dashuri e me një dëshmi afërsie, feje, solidariteti,  me një përqafim, që thoshte gjithçka.  Kështu u mbyll takimi”.

Mund të na tregoni si reaguan mysafirët?

“U emocionuan thellësisht. Provuan një emocion aq të fortë, sa është e pamundur ta përshkruash. Askush nuk e fshehu këtë ndjesi që na kishte pushtuar të gjithëve, e, në veçanti, vajzat. Ati i Shenjtë i quajti Asian e Rebecc-ën, “ gra martire” - këtë po, mund ta themi - gra të mrekullueshme martire, “shembull për një qytetërim, që ka frikë nga dhimbja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.