2018-02-23 14:48:00

Ushtrimet shpirtërore për Papën e Kurien Romake: besimtari nuk duhet të nginjet kurrë me Zotin


Lumnitë janë stil jete për besimtarët e për Kishën: ky ishte argumenti  i meditimit me të cilin, sot paradite, predikatari portugez don José Tolentino Mendonça, i përfundoi Ushtrimet shpirtërore, mbajtur për Papën dhe Kurien Romake, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor të Ariccia-s.

Meditimi i fundit ndoqi fillin e kuq të “Predikimit në mal”,  Lumnitë, që janë vetë “fytyra” e “jeta” e Jezusit, i cili na fton të ecim në gjurmët e tij. Për të përfunduar, pastaj, me urimin që “Kisha të mësojë nga Maria mëshirën, dhembshurinë e përkujdesjen për të shuar etjen, gjë që çdo krijesë njerëzore e kërkon pa reshtur, e pa fjalë”.

Lumnitë, thirrje ekzistenciale

Lumnitë, ato që i lexojmë në faqet e Ungjillit të Mateut - shpjegoi don José - janë diçka më shumë se ligj: janë shëmbëllim i vetë jetës, thirrje e vërtetë ekzistenciale. Ato na mësojnë artin për të qenë këtu e tani, por rrëfejnë edhe horizontet e përsosurisë eskatologjike, drejt të cilave shkojmë. E, po t’i shikosh mirë - shtoi predikatari - janë edhe  “autoportreti i Jezusit, më i sakti e më tërheqësi”, çelës i jetës së Atij, që ishte “i varfër në shpirt, zemërbutë, i përvujtë, plot etje për paqe e uri për drejtësi, i aftë për t’i pranuar të gjithë në Zemrën e tij hyjnore”.

Lumnitë janë autoportret i Krishtit, figurë e vetvetes së Zotit, të cilën ai na e zbulon vazhdimisht, e vazhdimisht na e vulos në zemra. Por Lumnitë janë edhe portreti, që na tregon sesi duhet të shërbejmë në procesin e shndërrimit të fytyrës sonë, në të cilën duhet ta thellojmë ngjashmërinë shpirtërore, që lidh çdo ditë fatin tonë me fatin e Jezusit.

E sa më shumë që të jemi “portreti i Tij” e “kujtesa e Tij” - pohoi don José - aq më shumë e shikojmë ashtu si Ai është.

Papa kërkon që Kisha të hapet pa frikë e jo të mumifikohet.

I thotë, prandaj, “jo” krishtërimit të mbijetesës. Kujton se etje për Zotin do thotë ta bësh jetën e krijesave të tij, “jetë Lumnije”. Po si? Duke i  shpërblyer jetët tona me dashuri e besim pa asnjë kusht. E kjo është “metoda e Jezusit - shpjegoi - kjo “lumturia që shpëton”. E kjo edhe “mahnitja e dashurisë, që na bën të rinisemi, etja që na çliron nga mërgimi, ku e ankoruam jetën tonë”.  

Për këtë nuk mjafton krishterimi i mbijetesës, as katolicizmi i mirëmbajtjes. Besimtari i vërtetë, bashkësia e besimtarëve, nuk mund të jetojë vetëm me mirëmbajtje: i duhet një shpirt i ri, i dashuruar, ka nevojë të ushqehet me gëzimin e kërkimit e të zbulimit, rrezikon mikpritjen e Fjalës së Zotit në jetën konkrete, niset nga takimi me vëllezërit në të sotmen e të ardhmen, jeton në dialogun plot besim, të fshehur, të lutjes.

Është urgjente - vijoi predikatari - “të rizbulohet lumnia e etjes”: e gjëja më e keqe për një besimtar është “të jetë i nginjur me Zotin”. Nuk mund të jetë i lum! Të lum janë ata që nuk mjaftohen ta shuajnë etjen, por përpiqen ta zgjerojnë dëshirën tonë për Zotin, ta thellojnë kërkimin tonë. Kemi, ndoshta, nevojë të pajtohemi shumë herë me etjen tonë, duke përsëritur: “Etja ime, është lumnia ime".  Këtë theksoi predikatari, duke uruar, në përfundim, që Kisha, si Maria  të jetë gjithnjë  e ndershme, në dëgjim e në shërbim!








All the contents on this site are copyrighted ©.