2018-02-23 07:30:00

Liturgjia e Fjalës sё Zotit, tё dielës së 2-të të Krezhmëve ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët, do të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore, të Dielës së Dytë të kohës së Krezhmëve, ciklit tё dytё, sipas kalendarit kishtar.Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielёs sё 2-tё tё Kreshmёve, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit, na kujton një moment teje të veçantë të jetës së Jezusit, shndërrimin e tij. Kjo ngjarje e ndriçon udhën krezhmore: pendesa e agjërimi që praktikojmë, kanë si qëllim ta shndërrojnë jetën tonë sipas shembullit të Jezusit.

Nga humnera e gurëve në malin e dritës, nga tundimet në shkretëtirë deri shndërrimi. Dy të dielat e Kreshmëve na ofrojnë sintezën e rrugës me të cilën duhet të përballet jeta shpirtërore e secilit besimtarë: t’i ungjillëzojmë zonat tona të hijes dhe të ashpërsisë së zemrës, të lirojmë të gjithë dritën që është e mbyllur në brendësinë tonë. Në ne që jemi, na siguron Jezusin, dritë e botës. Shikojeni atë dhe do të ndriçoheni dhe fytyra juaj nuk do të turpërohet, nuk do të errësohet këndon, psalmisti. Jezusi e pati filluar predikimin e tij në Galile me lajmin e mirë se mbretëria e Zotit u afrua; kthehuni, thoshte, dhe besoni se Ai është këtu dhe e shëron jetën. Këtë të diele të dytë të Kreshmëve, Ungjilli tregon efektet e afërsisë së Zotit: të shohësh botën në një dritë tjetër e të re dhe të këndosh sërish bukurinë e jetës.

Kështu, liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele të dytë të Kreshmëve, na propozon misterin e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot. Kështu edhe ne, si apostujt, jemi të ftuar ta përqendrojmë vështrimit tonë mbi Jezusin dhe mbi lavdinë e tij pashkore. Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele, në udhën tonë të Kreshmëve, na paraqet Jezus Krishti që shfaqet para dishepujve të vet në lavdinë e Tij Hyjnore, në mënyrë që t’i përgatisë ata që ta kuptojnë e tejkalojnë shkandullin e kryqit. Kjo është, pra, një thirrje për të shpresuar e pasur besim në planet e Zotit.

Kështu pra, leximet biblike të dielës së dytë të Kreshmëve flasin për fenë, përmes së cilës do të mund t’i shijojmë premtimet e Zotit, siç dëshmon shembulli i Abrahamit, për të cilin flet Leximi Parë nga Libri i Zanafillës ( 22,1-2.9. 10-13.15-18); dhe për gëzimin e paqen e Krishtit të Gjallë, siç na pohon shembulli i përjetimit të tre apostujve bashkë me Jezusin, Mësuesin Hyjnor mbi malin tabor, për çka fletë pjesa e Ungjillit nga Marku (9,2-10).

Në këtë diele të dytë të Kreshmëve, pra, Hyji Atë edhe një herë na thërret ta dëgjojmë të Birin e Tij, Jezusin, ta ushqejmë fenë tonë me Fjalën e Tij Hyjnore, t’ia hapim zemrën tonë Shpirtit Shenjtë Zot, në mënyrë që edhe ne të mund të shndërrohemi, duke u bërë shenja të besueshme të pranisë e të dashurisë së tij Hyjnore në histori. 

Në këtë të diele të dytë të Kreshmëve, Fjala e Zotit na fton si besimtarë ta dëgjojnë Krishtin e t’i bindemi zërit të tij, posaçërisht në kohën e përgatitjes sonë për kremtimin e Pashkëve, duke na kujtuar se në rrjedhën e jetës sonë nuk mungojnë çastet e errësirës, që nganjëherë bëhet tepër e dendur.  Gjatë kësaj kohe të Kreshmëve, shumë besimtarë të krishterë kanë rastin për të bërë përvojën e përgatitjes për Pashkë, edhe përmes ushtrimeve shpirtërore, që janë ditë, të cilat i kushtohen tërësisht dëgjimit të Zotit, që na flet gjithnjë, por pret nga ne më shumë vëmendje, posaçërisht në këtë kohë Kreshmësh.

Kur njeriu ka hirin të provojë një përvojë të fuqishme të Hyjit, ndjen po atë që ndjenë nxënësit e Jezusit kur Zoti u shndërrua përpara syve të tyre mbi malin Tabor. Për një çast shijohet diçka e ngjashme me atë që do të jetë lumnia e Parajsës. Është fjala për pak çaste të kësaj përvoje të cilat Zoti nganjëherë i lejon, posaçërisht përballë provave të rënda. Por askujt, veç, nuk i është dhënë mundësia të jetojë “mbi Tabor” ndërsa është gjithnjë mbi këtë tokë. Jeta njerëzore, në të vërtetë, është një rrugë feje e, si e tillë, rrjedh më shumë në gjysmë hije, sesa në dritë të plotë, e nuk i mungojnë edhe çastet e errësirës, madje të errësirës së plotë.

Prej këndej mund të pohojmë se lidhja jonë me Zotin zhvillohet më shumë në dëgjim sesa në vegim; i njëjti kundrim realizohet si me sy mbyllë, në sajë të dritës së brendshme që ndez në ne fjala e Zotit. Kështu edhe Virgjëra Mari, krijesa njerëzore që i qëndroi më pranë Zotit, eci ditë për ditë në një shtegtim feje. E atëherë mund të themi se duhet ta dëgjojmë Jezusin si Virgjëra Mari: kjo është dhurata e ky impenjimi për secilin nga ne në periudhën kreshmore – na porosit Kisha. Duhet ta dëgjojmë Krishtin në Shkrimin Shenjt e ndër ngjarjet e jetës sonë, për të lexuar mesazhet e Provanisë hyjnore, ta dëgjojmë ndër vëllezërit, posaçërisht ndër të vegjlit e të varfërit, ku Jezusi kërkon dashuri konkrete. Të dëgjosh Krishtin e t’i bindesh zërit të Tij: kjo është udha kryesore, e vetmja, që çon në gëzimin e plotë të dashurisë. 

                             Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 22, 1-2.9.10-13.15-18
Hyji i kërkon Abrahamit të ofrojë birin e tij. Kjo nuk është e çuditshme nëse mendojmë për sakrificat e fëmijëve që bëheshin në ato kohë. Por Hyji shpëton Izakun për t’i treguar popullit të tij që Ai dënon disa tradita. Megjithatë lejon që Abrahami të arrijë deri në pikën e sakrifikimit për të provuar besimin e tij. Besimi i Abrahamit, i gatshëm të dhurojë atë që ka më të dashur, arrin këtu pikën më të lartë. Këtë ofertë që Hyji nuk e ka dashur nga Abrahami, e ka kryer Ai vetë në vdekjen e Birit të tij. 

Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek jam!” I tha: “Merre djalin tënd të dishirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër kodrat që do të ta tregoj.” 
Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. E shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet. Kur, qe, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham!” Ky iu përgjigj: “Urdhëro!” Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tash po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin tënd të dishirit.” 
Abrahami i çoi sytë lartë dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: “Pasha mua - është fjala e Zotit – pasi e bëre këtë gjë dhe nuk të është dhembshur djali yt i dishirit, unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 116
Do të eci para Zotit në tokën e të gjallëve


Besoj edhe atëherë kur më duhet të them:
“Jam i pafat për së tepërmi!”
E çmueshme është para Zotit 
vdekja e shenjtërve të tij.

O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mi:
Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, 
midis teje, o Jerusalem!

Leximi i dytë Rom 8, 31-34
Pali imagjinon se besimtarët paraqiten në gjykatën e Hyjit për tu gjykuar mbi tradhëtitë dhe pabesnikëritë e tyre. Por gjithashtu pohon se askush s’mund të na akuzojë, nga momenti që gjykatësi është nga ana jonë. Me kusht që edhe ne të jemi në anën e tij. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, çka të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Hyjit? Hyji shfajëson! Kush do të dënojë? Krishti Jezus vdiq, për më tepër edhe u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit: Ai ndërmjetëson për ne! Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Mk 9, 2-10
Jezusi i shndërruar është fytyra e vërtetë e Hyjit dhe e njerëzve. Po a është e mundur që Mesia të jetë ky njeri që vazhdimisht përndiqet dhe në fund kryqëzohet? Është ky aspekti më tronditës i Ungjillit. Siguritë tona të besimit mbështeten mbi përvojën e vetme të apostujve. Nuk do të ketë përveç Jezusit një Mesi tjetër të kryqëzuar që shpëton njerëzit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në vetmi, në një mal të lartë, dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tija u bënë ndriçuese të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. Atyre ju dukën Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin. Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit: “Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po i ndërtojmë këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër, sepse ishin trembur keqas. Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – djali i Dishirit! Atë dëgjoni!” Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta. Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë deri që Biri i njeriut të mos ngjallet prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë, por njëri-tjetrin e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri." Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Meditim. Lutu me Ungjillin e së dielës: 
Ti na ke ftuar të gjithëve, o Zot,
në Malin e shndërrimit.
Atje ne pamë lumninë tënde,
dëgjuam zërin tënd.
Në atë majë na duk se feja
ishte e lehtë, e natyrshme,
pa ankthe e pa kryqe.
Ndihmona të zbresim nga mali,
e hap pas hapi ta ndjekim Jezusin
udhë të tjera pa kërkuar,
udhë të shkurtra, pa mundim:
me bindjen se agu i Pashkëve,
kalon nëpër udhën 
e së Premtes së Madhe! 








All the contents on this site are copyrighted ©.