2018-02-23 12:29:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 31


Në emisionin e 31-të të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do të flasim për vijimin e qëndresës së Skënderbeut përballë turkut, nën papninë e Palit II.

Pas vdekjes së Piut II, shtetet e krishtera morën frymë lirisht. Nuk kishin më asnjë detyrim, që të merrnin pjesë në atë kryqëzatë, për fillimin e së  cilës kishin dhënë fjalën pa pikë dëshire. 

I pari që dha shembullin e tërheqjes, qe Dogja i Venedikut Cristoforo Moro, ndonëse Republika detare vijonte të ishte e lëkundur, pas pushtimit të trojeve fqinje nga ana e Dukës së Milanos. E Dogja qe i pari që e la me ngut Ankonën e u kthye në Venedik. Paratë e kryqëzatës ia dërgoi Mattia Corvini-t, pa harruar ta  nxisë Kastriotin të vijonte luftën kundër turkut.

Anijet venedikase u kthyen në portet akoma të sigurta të lagunës, e po ashtu bënë edhe anijet gjenoveze, duke marrë kthesën drejt Liguries, ndërsa anijet papnore, në heshtje, plot me me shenja zije, u drejtuan kah brigjet e detit Tirren.

Ndërkohë Kryqëzata shpërndahej me shpejtësi, sulltani bëri një provë të fundit për ta zhdukur Skënderbeun e, pas tradhtisë, deshi të përdorte helmin. Por edhe kjo provë i dështoi. Atëherë, i zemëruar në kulm,  përgatiti një ushtri prej 200 mijë burrash, në krye të së cilës, duke u nisur nga Manastiri, u sul kundër Shqipërisë së varfër, por heroike të Skënderbeut. Një pjesë e ushtrisë dredhoi drejt Drinit të zi e, duke ndjekur rrugën nëpër luginë, arriti në Dibrën e Epërt. Më pas nisi t’i afrohej Krujës. Ndërsa pjesa e dytë, duke kaluar përmes Elbasanit dhe Petrelës, arriti në Tiranë. Vijoi, pastaj marshimin e u bashkua me të parën rrëzë mureve të Krujës, fortesës së pathyeshme të Skënderbeut, që u rrethua me shpejtësi. Ishte maji i vitit 1466, muaji që zgjonte natyrën e zemrat. Po ku vinte këmbë turku, nuk mbinte më bar as lule. Ushtria barbare dinte të linte pas vetëm vdekje.

Rrethimi i tmerrshëm e masakrat, edhe më të tmerrshme, e kishin terrorizuar popullsinë, që zbriste rrëmbyeshëm nga malet e sulej drejt brigjeve të Adriatikut për të ikur me çdo mjet të mundshëm, në bregun e përtejmë, në Itali. Nisi, kështu, një nga emigrimet e shumta masive të shqiptarëve jashtë Atdheut.

Në ç’kushte arrinin këta refugjatë në brigjet italiane, na e përshkruan  Papa Pali II, në një letër jashtëzakonisht prekëse drejtuar Dukës së Borgonjës, të cilin e nxiste ta ndihmonte Kastriotin:

“… Qytetet, që deri tani rezistuan përballë tërbimit të turkut, tani ranë pothuajse të gjitha nën sundimin e tij. Tërë popullsitë, që banojnë në brigjet e Adriatikut dridhen përballë këtij rreziku. Nuk të shikon syri tjetër, veçse frikë, dhimbje, vdekje. Nuk mund t’i kundrosh, pa derdhur lot, këto anije që, të nisura nga brigjet shqiptare, kërkojnë strehë në portet italiane e këto familje pa kurrgjë mbas shpirtit që, të dëbuara nga strehët e tyre, rrinë ulur në brigjet e huaja, me duart lartuar drejt qiellit, duke e mbushur plot ajrin me vajtimet e tyre në një gjuhë të panjohur. 1

Shqiptarët e mjerë të kujtonin hebrenjtë e mërguar, në brigjet e lumenjve, me çetrat varur në rrema shelgjesh e lot në sy.

Në korrikun e të njëjtit vit, Pali II, ndërsa i dërgonte ndihmat e para popullsive të mërguara shqiptare, u drejtonte një thirrje të ngutshme shteteve të Perëndimit.

Njëkohësisht vijonte t’i dërgonte para Kastriotit. I kishte nisur të holla që në vitin 1465, por në pranverën e 1466-tës, i shtoi edhe më shumë. Vetëm mbretit të Hungarisë, për mbrojtjen e këtij fronti, i dërgoi njëqind mijë fiorina.

E ndërkaq, në këtë situatë tejet të rëndë, Kastrioti u tregua edhe një herë në lartësinë e duhur të detyrës! Dha akoma prova durimi, guximi, aftësie  organizative, vlera karakteristike për prijësit e mëdhenj.

 1 Ammannati, epist, 102 h. 104








All the contents on this site are copyrighted ©.