2018-02-22 12:29:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 30


Në emisionin e tridhjetë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do të flasim për fillimin dhe fundin e papritur të Kryqëzatës, organizuar nga Piu II.

Në emisionet e kaluara e lamë Papën duke bërë përgatitjet e fundme për fillimin e betejës finale kundër turkut, me bindjen se rreth tij, më në fund, do të bashkoheshin të gjitha energjitë e krishtera. Por ndërkaq Milano qe zënë me përpjekjet për të shtënë dorë Gjenovën. Firence e këshilloi me cinizëm t’i linte venecianët e turqit t’ia nxirnin sytë njëri-tjetrit. Mbretëria e Francës dhe e Anglisë ishin të angazhuara; njëra me luftën kundër dukatit të Borgonjës, tjetra, me luftën civile, që mbeti në histori me emrin lufta e dy trëndafilave. Ndërsa Luigji XI i Francës, si mësoi se Piu II zgjodhi për fronin e Napolit Ferdinandin e Aragonës, në vend të kandidatit francez, Renato Anzhù, vijoi politikën antiromake. Së fundi, Gjermania ishte përplot me komplote antipapiste e antiperandorake. Papës iu desh t’i përballonte gjithë këto ngatërresa e kundërshtime, duke u munduar  t’i bashkojë shtetet e krishtera në luftën e përbashkët kundër rrezikut turk, që mund t’i jepte shumë shpejt fund gjithë këtyre ndeshjeve, duke e shtrirë pushtimin në mbarë Evropën.  

Sulltan Mehmetin nuk e zinte vendi-vend. Donte t’i jepte sa më shpejt mësimin e fundit Shqipërisë, këtij kombi të vogël, që s’donte e s’donte të përkulej. Duke i parashikuar sulmet e reja, që e prisnin, Skënderbeut nuk i mbeti tjetër, veçse trimëria dhe vullneti për të mos u përkulur, derisa të kishte sadopak fuqi. Nisi të mendonte kështu Ai, që  gjatë gjithë këtyre viteve të kaluara në beteja, ishte plagosur vetëm një herë, gjatë fushatës së parë kundër Ballaban Pashës. Kjo kish ndodhur kur të dyja ushtritë përlesheshin pranë Kështjellës së Sfetigradit. Skënderbeu, si gjithnjë, u printe trimave shqiptarë, atje ku luhej fati i luftës. Pikërisht në ballë të betejës, kali i tij u plagos rëndë e Heroi u përplas në tokë dhe vrau supin, duke u përpjekur pas trungut të një peme. Për një çast i ra të fikët nga dhimbja e madhe. Roja e tij e rrethoi nga të gjitha anët, ndërsa turqit sulmonin me rrëmbesë. Me një përpjekje gati mbinjerëzore, Prijësi u ngrit në këmbë, hipi mbi një kal tjetër dhe u vërsul përsëri mbi armikun e tmerruar.

Ndërkaq Piu II vijonte përpjekjet për Kryqëzatën, pa e kuptuar fare se po i vinte fundi. Venedikut i kujtoi se rënia e Bosnjës po rrezikonte seriozisht jo më vetëm zotërimet e tij, por vetë Republikën e se kërcënimi i Raguzës ishte thikë që po i ngulej në ijën e majtë. Të gjitha shteteve ua bëri të qartë se, si të kalonte vapa e verës, dimri do t’i zinte ushtritë e besëlidhjes në zemër të Ballkanit e kështu do të përsëriteshin gabimet e betejës së Varnës. I nxitur nga zelli  i zjarrtë, Piu II bëri çmos që Kryqëzata të niste lëvizjen. E meqë treni, për të lëvizur, ka nevojë për timonier, Papa i moçëm bëri sakrificën e fundit e u nis për Ankonë, ku u vu personalisht në krye të Kryqëzatës. Po vdekja e mori papritur, si ushtar në fushë të betejës. E Piu II iu shtrua vullnetit të Zotit, si Eugjeni IV, Nikolla V e Kalisti III. Me të merrte fund Kryqëzata, e ndërrmarrja titanike, e mbetur pa krye, shkrihej si  kripa në ujë. Forcat ushtarake, mbledhur në qytet, të mbetura pa kokë, nisën të shpërndahen, duke u kthyer nga kishin ardhur. Kur arriti, më në fund, edhe flota venedikase, Papa mundi vetëm ta shikonte nga dritarja e dhomës, ku do të mbyllte sytë pas dy ditësh, më 14 gusht 1464. Trupi i tij  u varros në Kapelën e Shën Gregorit të Madh në Shën Pjetër, për t’u mbartur, më pas, në Bazilikën romake Sant’Andrea della Valle. Monumenti mortor dhe sarkofagu ruhen akoma, por trupi humbi gjatë restaurimit të shenjtores, në vitet shtatëqind. Vendin e tij e zuri Papa Pali II, i cili e vijoi misionin e paraardhësit për mbrojtjen e Perëndimit nga rreziku i pushtimit turk.








All the contents on this site are copyrighted ©.