2018-02-22 12:49:00

Papa: DBR-ja është për guximtarët! Rini, mos u fshih pas celularit


Nuk duhet ta humbasim kurrë shijen “e takimit, të ëndërrimit bashkë me të tjerët”. Mos lejoni që “shkëlqimi i rinisë të shuhet në terrin e një dhome të mbyllur, në të cilën, e vetmja dritare për të parë botën është ajo e kompiuterit, ose e celularit”. Kjo është ftesa e Papës Françesku për të rinjtë e gjithë botës, në mesazhin e tij për Ditën e 33-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 25 mars.

Tema: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!”

         Duke reflektuar mbi temën “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!” – frazë nga Ungjilli i Lukës (1,30) – Ati i Shenjtë e hedh vështrimin drejt horizontit të Takimit ndërkombëtar të të rinjve në Panama, në vitin 2019 e, shpreh gëzimin e tij për këtë etapë dioqezane, që përkon me vitin kur do të mblidhet Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, “dhuratë e çmuar për Kishën e për botën”, siç i quan Françesku.

Në jetë, nuk nevojiten “fotoretushe”

         Në fazën rinore të jetës, mediton Papa, është e natyrshme të kesh frikë, e cila mund të jetë e tipeve të ndryshme: frikë se nuk të duan ashtu siç je; frikë për mungesën e punës; frikë se nuk do të afirmohesh në punë; frikë se nuk do t’i realizosh ëndrrat e shumë të tjera. Kështu, disa të rinj bëjnë gjithçka për t’u dukur siç nuk janë, e “retushojnë” vetveten, duke u fshehur pas një identiteti të rremë, deri sa kthehen edhe ata vetë në “fake”. Në vend që të kërkojnë ethshëm një “më pëlqen” në rrjetet shoqërore, Papa i këshillon të rinjtë ta quajnë me emër frikën, duke shqyrtuar vetveten e duke marrë guxim për të përballuar çdo problem. Shembull për këtë është Maria, e cila diti ta kapërcejë frikën e t’i thotë “po” Zotit, që e zgjodhi të bëhej Nëna e Birit të Tij.

Hiri i Tënzot nuk kërkon “kurrikulume të shkëlqyera”

         Edhe Zoti na thërret me emër, vëren Ati i Shenjtë në mesazh. Në këtë mënyrë, Hyu na zbulon planin e Tij për shenjtërimin e jetës sonë. Personale dhe unike, thirrja e Atit Qiellor kërkon guximin për ta lënë mënjanë homologimin e kësaj bote, që jeta jonë të jetë vërtet “dhuratë origjinale dhe e papërsëritshme për Zotin, për Kishën e për të tjerët”, shkruan Papa. Hyu na do falas, pa na kërkuar asgjë. “Nuk duhet ta meritojmë afërsinë dhe ndihmën e Zotit, duke i paraqitur ndonjë ‘kurrikulum të shkëlqyer’, plot suksese”, lexohet më tej në Mesazhin për Ditën e 33-të Botërore të Rinisë. “Të panjohurat e së nesërmes nuk janë kërcënim i errët nga i cili duhet mbijetuar, por kohë e favorshme, që na është dhënë për të jetuar unicitetin e thirrjes sonë”.

DBR-ja është për guximtarët

         Me fjalë të thjeshta e plot dashuri, Papa Françesku i inkurajon të rinjtë të jenë guximtarë, t’ia hapin zemrat Hirit të Tënzot, për të cilin çdo gjë është e mundur. I nxit t’i përdorin energjitë për të përmirësuar botën, duke filluar nga realiteti më i afërt për ta. “Dëshiroj – ngul këmbë Ati i Shenjtë – që në Kishë t’ju besohen përgjegjësi të rëndësishme e që, me guxim, t’ju krijohen hapësira; e ju, përgatituni t’i merrni përsipër këto përgjegjësi”. Ashtu si Maria, e cila ndjeu atë dashuri të guximshme, që e nxiti ta dhurojë vetveten, Papa Françesku u kujton të rinjve se në jetë, nuk mund të kërkohet veç rehatia, duke u fshehur nga vështirësitë, por duhet “dalë nga vetja” për të dashur sidomos më të brishtët e më të varfërit.








All the contents on this site are copyrighted ©.