2018-02-22 14:33:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të lexojmë Biblën


Të dashur dëgjues, fillojmë sot një cikël kushtuar Biblës, me të cilin do të përshkojmë secilin prej 73 librave të saj, konsideruar nga Kisha Katolike si të frymëzuara prej Zotit. Në këtë cikël do të ndjekim librin “Është ora për të lexuar Biblën” të meshtarit italian don Federico Tartaglia, i cili është bazuar në të ashtuquajturën Bibël TOB, pra, në përkthimin ekumenik të Biblës. Sot, “pse duhet ta lexojmë Biblën?”.

 Dikur, Bibla nuk ishte – të themi – në modë, madje për të krishterët mjaftonte ta jetonin fenë vetëm duke dëgjuar Leximet e meshës. Më vonë gjërat ndryshuan e tani ka kurse e shkolla për leximin dhe interpretimin e Shkrimit Shenjt, pasi ai është shkollë jete për këdo. Bibla është libër njerëzor, për problemet tona të përditshme e jo vetëm për ato fetare.

 Biblën e patën quajtur “arsenal” e ashtu është përdorur për shumë kohë, si mjet për të kërkuar në Bibël themelet e doktrinës së krishterë, si një “arsenal” në të cilin të gjenden fjalët e duhura për të qëlluar mbi armiqtë e për të bindur miqtë. Por, me kohë, u vërejt se kjo metodë nuk krijoi aspak devocion ndaj Shkrimit Shenjt. Populli katolik ndjek rite, praktika e devocione të ndryshme, por njohja dhe përkushtimi ndaj Biblës nuk është masiv. Poeti, dramaturgu e diplomati francez, Paul Claudel, thoshte: “Respekti i katolikëve për Biblën është i jashtëzakonshëm e shfaqet sidomos në mbajtjen e saj në një distancë të respektueshme nga vetja”.

Por pse duhet lexuar Bibla? Injoranca enciklopedike për Biblën duhet të jetë problem edhe për ateistët e jo vetëm për besimtarët. Bibla është Kodi i Madh i kulturës perëndimore e vërtet, fjalët e saj e 73 librat, që e përbëjnë, kanë frymëzuar shumë vetë, nga Mikelanxhelo Buonarroti e deri tek më i fundit i të fundmëve.

Proverbat e saj, për shembull. Njihet thënia “kush gjen një mik, gjen një çiflik”, e cila është marrë pikërisht nga Libri i Fjalëve të Urta. E, edhe ata që s’e njohin Biblën, i përmendin shpesh personazhet e saj më legjendare si Moisiu që ndan detin më dysh, ose Davidi që e mbyt Golinë me hoben e tij. Pra, Bibla shërben për të kuptuar kulturën në të cilën jemi kredhur. E natyrisht, besimtarit i shërben si udhëheqje në jetë.

Tani, nuk është se po e themi ne, në këtë rubrikë e, menjëherë, të gjithë do të fillojnë ta lexojnë Biblën, megjithëse s’do të ishte keq që të paktën, ai që nuk e ka, ta blejë a ta gjejë. E pastaj, të përgatitet për një udhëtim të mrekullueshëm, por jo të lehtë, që kërkon vullnet, kohë e zemër. Një udhëtim, në të cilin ne shpresojmë t’ju shoqërojmë, duke pasur parasysh se Bibla dëgjohet, më mirë se lexohet. Me shpresën se pastaj, do t’i hapni vetë ato faqe, vërtet, duke u marrë kohë impenjimeve të tjera, duke u lodhur e ndoshta, edhe duke u mërzitur ndonjëherë, por me mendimin se do të ndodhë ashtu siç shkruan profeti i madh Isaia, kur përshkruan fuqinë e Fjalës së Zotit:

“Dhe sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa” (Is 55,10-11).








All the contents on this site are copyrighted ©.