2018-02-21 14:01:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 29


Në emisionin e njëzetenëntë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, po kujtojmë ngjarjet e vitit 1464: vit shpresash e fitoresh, por edhe betejash e pasigurie për të ardhmen.

Ndërsa përkundej në ëndrrën për realizmin e kryqëzatës,  Papa Piu II  e zgjodhi Shqipërinë si pikënisje e kryqtarëve, gjë që e mësojmë nga një brevë apo letër papnore, drejtuar dukës Sforza më 17 mars 1464. Në të Papa shpreh mendimin se pozita gjeografike e Shqipërisë do ta lehtësonte shumë nisjen drejt cakut .

Në vjeshtën e vitit 1463, kryqëzata ishte lajmi kryesor i ditës, që ngacmonte fort fantazi e zemra. Njëkohësisht me popullin, edhe diplomatët e kishin në qendër të vëmendjes, të pushtuar siç ishin nga një optimizëm i jashtëzakonshëm, ngjitës. Mjafton të kujtojmë atë që shkruajnë Otto del Carreto e Agostino de Rubeis, ambasadorë milanezë në Romë, duke informuar dukën Sforza më 10 tetor 1463. Atyre u dukej sikur po i shikonin tashmë “venecianët e hungarezët… duke bërë punë të mëdha”.

 Një pjesë e mirë e princave nisën të shpresonin gjithnjë më shumë në një përfundim të suksesshëm, duke u nisur nga fakti se “Venecianët ishin marrë vesh me Skënderbeun dhe po i jipnin njerëz e para për ta vijuar luftën kundër turkut në Shqipëri e se po bisedohej edhe për ndihma të tjera nga ana e Papës Piu II për Heroin shqiptar”.

Në pranverën  e vitit 1464, sulltani, i shqetësuar nga lajmet për përgatitjen e kryqëzatës, mendoi ta zhdukte një herë e mirë Kastriotin, para se Papa ta përdorte krahun e tij në teatrin e përgjithshëm të veprimeve ushtarake. E, për t’ia arritur këtij qëllimi, nisi drejt Shqipërisë një ushtri të fuqishme, nën komandën e renegatit Ballaban Pasha, kapedan shqiptar tejet i zoti, i vënë në shërbim të turqve.

Atëherë Gjergji mendoi se ishte e nevojshme të vraponte në Itali, për t’i shpejtuar përgatitjet e kryqëzatës e edhe për të kërkuar ndihmë. Meqë duhej t’i maskonte sa më mirë këto synime, përdori pretekstin se po nisej   t’i paraqiste Mbretit të Napolit nderimet e njëkohësisht, ta falënderonte  për bujarinë e tij. Kujtojmë se Ferdinandi apo Ferrante, duke dashur ta shpërblente për shërbimet, që i kishte bërë në fushatën kundër anzhuinëve, i pati dhuruar Malin e Shën Engjëllit dhe San Giovanni Rotondo-n.

E kështu Kastrioti, si ia besoi ushtrinë mikut të tij tejet besnik, Moisi Golemit të Dibrës, u nis papritmas për Napoli më 13 prill 1464 , gjë që e vërteton një mandat-pagese, nënshkruar nga Mbreti Ferrante “për shpenzimet e Skënderbeut e të tijve”. 

Një muaj më pas, më 14 prill 1464, duke kaluar disa ditë në Napoli, Gjergji i bëri nderimet feudale Mbretit e menjëherë pas, u nis për Romë “ad cospectum Pontificis 3. Por nuk kemi asnjë lajm konkret rreth bisedimeve e as ndihmave, që mund t’i ketë dhënë Papa Piu II Heroit shqiptar.

Gjithsesi, ky shtegtim i Skënderbeut na sqaron mjaftueshëm shumë ngjarje, që ndodhën në Shqipëri, në pranverën e vitit 1464. Së pari, sqarohemi se fitorja e 13 prillit mbi prapavijën turke ishte vepër e Moisiut të Dibrës, sepse Kastrioti ishte në Itali, e së dyti, se vepër e Moisiut ishte  edhe paurtia e ndjekjes së turqve të mundur më 15 prill, gjë që përfundoi me kapjen e gjeneralëve më të mirë të Kastriotit.

Kjo i dha zemër sulltanit për nisjen e  një armate të re, të kryesuar gjithnjë nga Ballabani, që u ndesh me ushtrinë shqiptare më 9 gusht 1464. Ishte hera e tretë që renegati shqiptar provonte ta nënshtronte vendlindjen për llogari të sulltanit, e hera e tretë që shpartallohej.

Aspak i çkurajuar nga humbjet, sulltani dërgoi një ushtri të re kundër shqiptarëve, nën komandën e Sheremet-beut, që u ndesh me ushtrinë shqiptare pranë Ohrit (14 gusht 1464). Përplasja qe e tmerrshme, por fitorja i buzëqeshi përsëri Skënderbeut, që zuri shumë robër, ndërmjet të cilëve, të birin e Sheremet–beut.

Po kjo fitore nuk sillte gëzimin e zakonshëm, që mbushte zemrat në raste të tilla. Përkundrazi….








All the contents on this site are copyrighted ©.