2018-02-20 13:34:00

Ushtrimet shpirtërore për Papën e Kurien Romake: duke iu kundërvënë plogështisë, të duam si Jezusi


Vahdojnë Ushtrimet shpirtërore për Papën e Kurien Romake. Plogështia, humbja e shijes së të jetuarit! Indiferenca! Për to reflektoi sot paradite don José Tolentino de Mendonça, meshtari, që po i predikon Ushtrimet shpirtërore Papës e Kuries Romake, në Ariccia. Në meditimin e parë të paradites - dita e tretë e Ushtrimeve shpirtërore - kujtoi se plogështia nganjëherë të sulet keqas e të bën të sëmuresh. Është në kundërshtim të plotë me etjen, fill i kuq i këtyre meditimeve.

Kur nuk kemi më etje, atëherë vjen vdekja jonë. Kjo ndodh kur na zvirdhen dëshirat, kur humbasim shijen e takimit, të bisedave, të shkëmbimit të mendimeve, të daljes nga vetvetja, kur i braktisim planet, heqim dorë nga puna e deri nga vetë lutja. E ndodh edhe kur shteron kureshtja jonë për tjetrin, për kërkimin e së panjohurës. E gjithçka të duket përsëritje e pakuptimtë e gjërave, që i kemi parë deri në mërzi, si barrë e kotë,  absurde, shtypëse.

E të duket se jeta “që jetoj”, nuk është më imja, por e një njeriu tjetër - siç kujtonte Kierkegaard, ndërsa Evagrio Pontico fliste për “demonin e plogështisë” e Cassiano kujtonte pasojat mbi jetën e murgut: në thelb, pakënaqësi e thellë, që të çon në humbjen e çdo lloj entuziazmi. Vetë Evangelii gaudium na tërheq vëmendjen të ruhemi nga “psikologjia e varrit”, që të bën të zhytesh në një trishtim të sheqerosur.

Gjendjet depresive nuk mjekohen vetëm me ilaçe

Bota e sotme e quan  plogështinë sëmundje, që duhet parë si e tillë  e duhet mjekuar në këndvështrimin psikiatrik. Por edhe brenda një kuadri klinik - vërejti meshtari - duket qartë se plogështia apo gjendjet depresive, nuk mund të mjekohen me ilaçe. Duhet mjekuar njeriu, gjithanshmërisht. “Ka shumë vuajtje të fshehura, me rrënjë në vetminë njerëzore, origjinën e të cilave duhet ta zbulojmë. Sepse mbeten temë e lidhur ngusht me vetë udhën shpirtërore të njeriut”.

Burnout - djegie – shterim emotiv

Vjen, pastaj, një problem tjetër, që  ndeshet gjithnjë më shumë: “burnout”- që do të thotë “djegie”, shterim emotiv, i cili mund t’i prekë edhe meshtarët. Të prek, përgjithësisht, kur ndjehesh i braktisur, kur mbetesh krejt i zbrazët. Fare bosh! Boshllëk, që pastaj mund të mbushet me “qetësues”, si joshja nga mendimi i botës, alkooli, mjetet e komunikimit, konsumizmi ose veprimtaria e ethshme. Ka, pastaj njerëz, që i ndryjnë në shpirt plagët e të gjitha morteve apo dështimeve; të tjerë akoma, i fshehin blanat e braktisjes a të shpërdorimeve, kur ishin fëmijë, e dikush tjetër, plagët e varfërisë ekonomike, të luftës e të zezonave të tjera, që i bien mbi kokë njeriut në udhën e vështirë të jetës.

Jona, Jakobi e i riu pasanik

Dy janë figurat, që  mund të na bëjnë ta kuptojmë këtë gjendje. Në historinë e Jonës shihet se ky dialog ndërmjet të shurdhërve mund të jetë shpesh lidhja jonë me Zotin, në të cilën e bën veshin të shurdhër, sepse “nuk do ta pranosh vullnetin e Tij, logjikën e mëshirës së Tij”. Ndërsa Jakobi lufton me Zotin deri në agim: ai është plot me dëshirë për jetë, e jo si Jona, kapriçioz, në ndeshje me dëshirën e jetës së Zotit, i cili dëshiron t’i përfshijë të gjithë në një marrëdhënie të re ekzistenciale. Trishtimi, i lidhur me plogështinë, na kujton, pastaj, të riun e pasur, që i bindej të gjitha Urdhërimeve, por në orën vendimtare zgjodhi pasjen, në vend të aventurës që i hapej para e i premtonte të jetonte në besim. “Gjithnjë më shpesh - pohoi don Josè Tolentino de Mendonça - trishtimi ynë vjen pikërisht nga kjo paaftësi.

Çështje e dëshirës

Duhet analizuar mirë, prandaj, mbytja e palcës së dëshirës: problemi nuk është aq ai i veprimtarisë së tepërt, sa mungesa e motivimeve të përshtatshme.

Të duash si Jezusi 

Përgjigjja e gjithë sa thamë, është Jezusi. Lidhja me Të kalon padyshim përmes mundimeve: “Zemra jonë fiton pjekurinë në aftësinë për të arritur në atë pikë, sa të vuajë e të dojë si Ai”. Në fjalën e nuses së Zbulesës, “eja!”, ndjehet nevoja e thellë e Kishës për ardhjen e Shpirtit Shenjt, siç vinte në dukje edhe Simone Well.

Në këtë fjalë është gjurma e të gjitha sendeve, për të cilat kemi nevojë, është arsyeja e britmës sonë, e shpresës sonë e, shpesh, edhe arsyeja e mungesës së shpresës, e dështimit tonë, e lodhjes sonë, e edhe nevoja për ta kapëcyer gjithë këtë në Zotin. Në Atë, të cilit sot i themi: “Eja!”. E në Atë, që sot na thotë: “Ejani tek unë, ju të gjithë, që jeni të lodhur e të shtypur, e unë do t’ju çlodh. Merreni zgjedhën time e mësoni nga Unë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.