2018-02-20 13:41:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 28


Në emisionin e njëzetetetë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, po kujtojmë përgatitjet për kryqëzatën e madhe kundër turkut, udhëhequr nga Papa.

Folëm, në emisionin e 27-të, për Piu II që, më në fund, ishte krejtësisht i kënaqur, por duke qenë trojet shqiptare vetëm një sektor i vogël i planit të tij të madh, riniste sulmin diplomatik, duke e hedhur vështrimin në drejtim të Hungarisë, sektor me rëndësi të dorës së parë për kryqëzatën.

Në këtë kohë Hungaria dhe Venediku nuk e shikonin me sy të mirë njëra-tjetrin, por Papa zhvilloi një veprimtari aq të zellshme, sa u arrit që ndërmjet tyre të sqaroheshin të gjitha keqkuptimet. Kështu armiqësia u kthye në miqësi, gjë që ndikoi mbi lidhjen e aleancës ndërmjet Venedikut e Hungarisë. Ishte viti 1463.

Republika detare, më në fund, duke u shkëputur nga Perandori Federiku III, e njihte djalin e madh të Huniadit, Matia Corvin-in, Mbret të Hungarisë.

Falë këtij traktati, Venedikut “… devait attaquer l’ennemi avec une flotte de 40 galéres et entretenir en Dalmatie et en Morée des troupes de cavaleries et d’ifanteries; la Hungrie, de son côté, devait faire une vigoureuse diversion en territoire ennemi”1(do t’i duhej ta sulmonte armikun me një flotë prej 40 galerash e të dërgonte në Dalmaci e në Moré trupa kalorie e këmbësorie; Hungaria, nga ana e saj, duhej të bënte diversion guximtar në trojet armike).

Pas kësaj, Piu II, më 19 tetor 1463, arriti, pa asnjë vonesë, të përfundojë aleancën ndërmjet Dukës së Burgonjës dhe Venedikut. Përmes këtij traktati, të dyja palët, zotoheshin të luftonin kundër turkut e të mos bënin paqe, pa u marrë vesh me njëra-tjetrën.

Aleanca e Venedikut me Shqipërinë, Hungarinë e Burgonjën ngjalli në zemrën e Piut II shpresa të mëdha. Me fantazinë e tij të zjarrtë, me zellin e kryqtarit e sukseset e veprimtarisë diplomatike, Papa Piccolomini nisi të shpresonte në krerët e shteteve evropiane, prandaj shpejtoi të përgatitej për të nisur veprimet ushtarake në verën e vitit 1464. Për këtë qëllim, në vjeshtën e 1464-së, organizoi një takim të fshehtë, që njihet si Kongresi apo Koncili i Mantovës e, për t’u siguruar edhe më shumë lidhur me bashkëpunimin e Shteteve të Kryqëzatës, u përcaktua edhe rendi që do të kishte Evropa pas fitores mbi turkun.

Venedikut do t’i takonin Beozia, Attica dhe qytetet bregdetare të Evropës.

Skënderbeu do të zotëronte Maqedoninë, ndërsa Matia Corvin-it do t’i takonte Bullgaria, Serbia, Vllahia dhe Deti i Zi. Pjesa tjetër, që do të mbetej nga perandoria bizantine, do të ndahej ndërmjet princërve grekë. Në këtë takim të paharrueshëm u përcakua edhe kontributi, që duhet të jepnin besimtarët për shpenzimet e luftës, ndërsa shtetet kryqtare zotoheshin të merrnin pjesë me njerëz e mjete. Edhe këtë herë, për të njohur më mirë taktikën e ushtrive turke – e në këtë drejtim mjeshtri më i mirë ishte Skënderbeu - do të rekrutoheshin vullnetarë nga viset fqinje me armikun.

Komanda e përgjithshme mbi trupat tokësore do t’i besohej Kastriotit, i cili, duke vepruar në dy drejtime paralele që niseshin nga Shqipëria e nga Hungaria - përmes manovrës që do të drejtohej nga jug-lindja – do ta godiste Mehmetin II në zemrën e Perandorisë otomane, ndërsa armata  detare e aleatëve, duke hyrë nga Egjeu, do ta shtrëngonte morsën mbi detin Marmara. Kështu mbi qytetin e Kostandinit do të mbyllej dara  prej hekuri e prej zjarri, e flamuri me monogramën e Krishtit, duke u valëvitur mbi gjuhën e Detit të Zi, do ta rrëzonte përdhe flamurin e Islamit në brigjet aziatike.

Ndërkaq Papa, i përflakur nga ky plan madhështor, që ngjallte shpresa e ëndrra të mëdha, shpallte Kryqëzatën me bulën “Ezechielis prophetae magni sententiae est…”, ndërsa kardinali Bessarione emëronte Ipeshkvin Jadrentino pedikatar i Kryqëzatës, me vijimin e përgatitjeve përfundimtare të së cilës do të merremi në emisionin e  n. 29.








All the contents on this site are copyrighted ©.