2018-02-20 14:52:00

Papa shkon të dielën në famullinë romake të Ponte Mammolo


Të dielën e ardhshme, më 25 shkurt, rreth orës 16.00, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në famullinë romake të Shën Gjelazit I, papë, në Ponte Mamolo, në Romë.

Papa do të takojë të rinjtë, të moshuarit, emigrantët

Gjatë vizitës, njofton vikariati i dioqezës, Ati i Shenjtë do të takojë së pari fëmijët, djemtë e vajzat e katekizmit, të rinjtë e oratorit dhe familjet e më pas, të sëmurët, të moshuarit, të varfërit dhe veprimtarët e qendrës së Karitasit.

Do të vijojë biseda e Papës me dy të rinj, 18 e 25 vjeç, ardhur nga Republika e Gambias e strehuar në famulli. Pastaj, rrëfimi i disa besimtarëve. Në përfundim të vizitës, rreth orës 18.00, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën së bashku me famullitarët e prefekturës XI kishtare romake e me disa meshtarë miq të bashkësisë. Leximi i dytë i liturgjisë të së dielës do t’i besohet një të verbëri, në alfabetin Braille.

Cila është famullia e shën Gjelazit I, papë?

Famullia administrohet nga familja kishtare “Misioni-Kisha-Bota”. E themeluar në vitin 1972, kisha e shën Gjelazit I, papë, ndodhet në mes të pallateve, në zemrën e lagjes periferike të Romës. Frekuentohet nga qindra besimtarë, shumë nga të cilët, të rinj. Ndër fëmijët e katekizmit ishte edhe vogëlushja Giulia Rinaldo, njëra nga viktimat e tërmetit të 24 gushtit 2016 në qendër të Italisë. Me trupin e saj, Giulia mbrojti të motrën, duke e shpëtuar nga shembja e shtëpisë në Pescara del Tronto. Asaj i është kushtuar salla e katekizmit, e rinovuar me kontributin e shoqatës “Pafundësisht Giulia”, formuar nga e ëma dhe i ati.

Famullia ndihmon 250 të varfër, të cilëve, çdo të enjte, u shpëndahen ushqime dhe veshje. Gjithnjë të enjten, në mensën e famullisë mund të hanë mëngjes e drekë, rreth 50 vetë. Ndërkaq, e diela e dytë e çdo muaji u kushtohet familjeve dhe problematikave të tyre. Gjithashtu, kanë lindur edhe katër bashkësi-bazë, që mblidhen çdo javë për leximin dhe meditimin e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.