2018-02-20 05:24:00

Më 20 shkurt 1991 fitoi e vërteta dhe liria mbi diktatorin Enver Hoxha


Shfletojmë kalendarin historik për të kujtuar një datë që, pas 27 vjetësh, të ngjall ndjenja të ndryshme kontradiktore. Më 20 shkurt 1991 populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qendër të sheshit Skënderbej të kryeqytetit monumentin e Enver Hoxhës të cilin, si e hoqi zvarrë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, e copëtoi. E copat u rrëmbyen për t'u ruajtur si "Hajmali të lirisë", si kujtim i kësaj dite, që disave iu pat dukur "ditë e madhe", pak a shumë siç u bë me tullat dhe copat e suvasë së Murit të Berlinit.

Asokohe në Shqipëri, partia demokratike kishte pak më shumë se 2 muaj që ishte krijuar dhe me 31 mars ishte vendosur të mbaheshin zgjedhjet e para pluraliste. Rrëzimi i simboleve komuniste kishte përfshire gjithë Shqipërinë dhe më shumë se 700 studentë ndodheshin në greve urie duke kërkuar ndër të tjera edhe heqjen e emrit të diktatorit Hoxha nga universiteti i Tiranës. Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të Tiranës dhe rrezuan monumentin e diktatorit Enver Hoxha duke shënuar një prej momenteve më te rëndësishme të rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Pavarësisht këtyre lëvizjeve Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 31 marsit dhe mundi të vijë në pushtet vetëm një vit më vone në zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit  ’92

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”: parrulla, pra, të kujton thirrjet e demonstruesve të 27 vjetëve më parë në Tiranë, kur një lumë njerëzish, duke u nisur nga Qyteti i Studentit, përshkuan bulevardin e kryeqytetit të Shqipërisë për t’u ndalur para bustit të diktatorit Enver Hoxha dhe për ta rrëzuar atë përdhe.  Ata, që ishin atë ditë në sheshin Skënderbej të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte për dhé dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh – si edhe ideologjia e indoktrinimit bosh, që përhapi me terror për vite të tëra, tashmë e vërteta doli në dritë.

E pastaj, shfrimi i lotëve e përqafimi ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur - gjë e re edhe kjo, për ata qytetarë që regjimi komunist i kishte mësuar të ruheshin e të druheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun e armik. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan, por duhet vlerësuar edhe gjithë atë rrugëtim e përparim që është arritur. 

Për të mos harruar atë çka qytetarët e Shqipërisë ishin dhe përjetuan gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, vjet më parë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u hap Pavijoni i Terrorit Komunist, ku ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit.

Kjo që e kaluara të mos harrohet, që dhuna e tmerri i atij kalvari që pësoi populli i pafajshëm shqiptar të mos përsërite kurrë më, që gjaku i njerëzve të pafajshëm të jetë farë e mirë për të ardhmen e Vendit. 

Demokracia shqiptare, m 20 shkurt, përkujton historikun e shembjes së diktaturës komuniste duke u përqendruar (me te drejte) në ato ngjarje që ndodhen në kryeqytet, por me këtë rast nuk duhen "harruar" edhe qytetet tjera të Shqipërisë që kanë kontribuar me ngjarje po aq të rëndësishme , si në Tiranë, në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve; atë të shembjes së diktaturës komuniste. Përpara se të vijmë në datën 20 shkurt 1991, do duhej përkujtuar kryengritjen e Malësisë së Madhe, Spaçit, të Qafës së Barit, Shkodrёs etj.

Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetët ndër datat më domëthënëse të historisë së vet të mundimshme. Sepse atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, të mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e nga regjimi komunist që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë, pasojat negative të të cilin ende sot rëndojnë.

Nuk mund të mos kujtojmë, me këtë rast, një notë të ipeshkvijve katolikë çekë, shkruar pak vite më parë, në valën e polemikës për akuzat e shumë qytetarëve si spiunë të sigurimit, përmes së cilës shpjegojnë se “Kisha e Populli, mbi të gjitha, kanë qenë të persekutuar, kanë qenë viktimë. Është për t’u çuditur – shënohet në notë – që mjetet e komunikimit sulmojnë njerëz, të cilët në fund të fundit kanë qenë viktima, ndërsa tolerojnë pa fjalë, praninë e komunistëve të djeshëm ose të trashëgimtarëve të tyre në parlament e në të gjitha postet më të rëndësishme të shtetit e të shoqërisë”. 

Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Po, nuk mund e kurrë nuk duhet harruar krimet, terrorin, përndjekjet, viktimat, gjakun e pafajshëm, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.








All the contents on this site are copyrighted ©.