2018-02-19 15:32:00

Ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries Romake: “t’ia besojmë Zotit etjen tonë”


“Kush ka etje, të vijë”. Filloi reflektimin, duke përmendur frazën e fundit, shqiptuar nga Jezusi në Librin e Zbulesës, predikatari portugez i ushtrimeve shpirtërore në Ariccia, për Papën e për Kurien Romake. Don Josè Tolentino de Mendonça zgjodhi si temë për meditimin e parë të sotëm “Shkencën e etjes”.

Jezusi premton të na e shuajë etjen

Jezusi premton të na e shuajë etjen, duke e ditur se jemi “jo të plotë e në ndërtim e sipër”, shpjegoi ai:

 “Ndërsa na lejon ta shuajmë etjen për hir, duke e shfaqur kështu haptas dashurinë pa kushte, që ka për ne, e kupton se jemi akoma të paplotë e në ndërtim e sipër. Gjendja jonë është kaq shpesh skamja e shpirtit sa nuk dimë të arrijmë, me forcat tona, tek e mira, që na ngop. Nuk mund ta blejmë në asnjë vend, as sikur të donim, sepse ajo mundet vetëm të na dhurohet”.

Jezusi e di sa pengesa nuk na lënë të ecim përpara e na vonojnë, vijoi predikatari i ushtrimeve shpirtërore të Papës e të Kuries Romake. Jemi kaq afër burimit e, njëkohësisht, kaq larg. Dëshira dhe etja na zgjojnë dy ndjenja në kundërshtim me njëra-tjetrën, vuri në dukje don Josè: tërheqja e distancimi, entuziazmi dhe kujdesi. E atëherë, duhet ta pyesim veten a e dëshirojmë vërtet Zotin? A dimë ta kuptojmë kur kemi etje për Të? A i japim kohë vetes për të dhënë përgjigjen?

Nuk është e lehtë ta kuptosh etjen për Zotin

Duke u nisur nga këto pyetje, predikatari hyri në një shteg, të cilin e përshkoi së bashku me faqet e Biblës, por edhe me tekstet e dramaturgut rumun Ionesku e me frazat e “Princit të vogël” të Saint-Exupéry, duke përvijuar dalëngadalë konturet e prekshme të etjes, si nevojë fizike, por edhe si pranim i kufizimeve tona, i brishtësisë sonë të skajshme. “Etja s’na lë të marrim frymë, na shterron, na rraskapit”. Nuk është e lehtë të kesh etje, vijoi don José, duke përmendur tiparet e Zhanit, protagonistit të librit “Etja dhe uria” të Eugjen Ioneskut, figurë e përpirë nga një “boshllëk pa fund”, nga “një ankth, që duket sikur nuk e qetëson dot asgjë”:

 “Etje, e cila shndërrohet në pakënaqësi të jashtëzakonshme, në largim nga çdo gjë që është thelbësore, në paaftësinë për t’i shoshitur punët, që na hedh në krahët e konsumizmit. Flitet shumë për konsumizmin e qendrave tregtare, por të mos harrojmë se ekziston edhe një konsumizëm i jetës shpirtërore. E ajo që thuhet për njërin, të ndihmon ta kuptosh edhe tjetrin. Shoqëritë tona, të cilat e imponojnë konsumin si kriter lumturie, e shndërrojnë dëshirën në kurth”.

T'ia besojmë Zotit etjen tonë

Sa herë që mendojnë se mund ta shuajmë etjen para ndonjë vitrine, shpjegoi predikatari, duke blerë një objekt, vetë fakti që e zotërojmë atë ia ul vlerën e kjo krijon boshllëk të ri. Na mungon gjithnjë diçka. E ka nga ata që, madje, nuk e kuptojnë se u mungon diçka, sepse kanë gjetur mënyrën për ta zëvendësuar dëgjimin e zërit të brendshëm, që i thotë se ka etje, me kënaqësinë e suksesit e të produktivitetit. Por këto nuk janë ilaçe për problemet tona, theksoi don Josè. Në përfundim të këtij meditimi – i dyti i ushtrimeve shpirtërore – ftesa për ta ngadalësuar hapin, për të parë brenda vetes e për të kuptuar për çfarë kemi nevojë. Etja për marrëdhënie, për t’u pranuar nga të tjerët e për të fituar dashurinë e tyre është trashëgimia jonë “biografike”, nënvizoi don Josè, duhet njohur e duhet falenderuar Zoti për të:

 “Në të vërtetë digjemi nga shumë etje. Ne i përbuzim sikur të ishin një lëndë jetësore dhe shpirtërore, që s’e meriton vëmendjen tonë. U largohemi sikur të mos kishin asgjë për të na zbuluar mbi Zotin. Është e vërtetë e kundërta… Etja është trashëgimi biografike, të cilën duhet ta njohim e ta falenderojmë. Është me ne nga fëmijëria, na shoqëron në vitet e formimit, ndërhyn në mënyra të ndryshme në jetën si të rritur, maturohet me të njëjtin ritëm, plaket, ndryshon emër e kuptim e mbetet. Etja është shtëpia e poçarit, ku Zoti na jep formën; është zgjatje e duarve të dashura të Hyut, që prek vazon, pra na prek ne. Ndoshta, akoma s’kemi arritur ta falenderojmë Zotin për etjen, për të mirat, për rrugën e për burimin, që Hyu ka sjellë në jetën tonë. Le t’ia besojmë Atij të Lumit etjen”.

Sot pasdite, predikatari i ushtrimeve shpirtërore të Papës e të Kuries Romake, don Josè Tolentino de Mendonça, vijoi meditimin e tij të tretë, me temë “E kuptova se kam etje”, në udhën që nga etja çon drejt Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.