2018-02-19 13:12:00

Requiem për Ndoc Gurashin


Tashti pushon në atë Varrezë, ku mbretëron lutja e paqja, të cilën natyrisht e pati pikturuar. Duke lënë pas shtëpinë përplot me vlera artistike dhe etnografike, që meriton të shndërrohet në muze, sepse një faqe me vlerë nga historia e asaj Shkodre, që po zhduket ditë për ditë. Në ato mure mund të soditësh jo vetëm pikturat e Ndoc Gurashit, piktorit e intelektualit të mirënjohur shkodran, por edhe të babait të tij, Kolë Gurashit, këngëtar e piktor, mik i ngushtë i Kolë Idromenos, që pikturonte pak hapa më tutje. Gjithçka në këtë mjedis të kujton udhën e artit popullor e të kultivuar shkodran, që e pati njërin nga djepet pak hapa më tej, nën Kryqin e Kishës Françeskane, ku dikur ngrihej Liceu “Illiricum” e ku u përgatit Ndoc Gurashi, në një klasë me Lin Delinë e me nja dy a tre muzikantë të njohur të muzikës kombëtare. Tepër, për një klasë të vetme. Pak, për fillesat e artit, në një vend që sapo kishte dalë nga sundimi turk. Art që do t’i kishte themelet në shkollat katolike të kohës, të cilat do ta pasuronin me një mori emrash.  

U përcoll dje në banesën e  fundme, në Varrezat e Rrëmajit. E fjalët e lamtumirës mbi varr, në këtë ditë zie për këtë familje, që humbi njëherësh piktorin e mirënjohur dhe bashkëshorten e tij, ia tha një piktor tjetër, i afërm i Ndoc Gurashit, artisti i ri, tashmë me famë ndërkombëtare, Adrian Paci.  Shenjë shprese e vazhdimësie!

Ndoc Gurashi  mbylli sytë në moshën 95 vjeçare. I vlerësuar me shumë çmime e tituj, me ekspozita të hapura brenda dhe jashtë vendit, ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një nga personalitetet e shquara të Shkodrës e të Shqipërisë, ashtu si edhe familja e tij. Shkodra humbi një nga artistët më të mëdhej, një Mësues, që gjithë jetën ia kushtoi artit dhe edukimit artistik të breznive të reja. Kisha, një besimtar model, që kalonte shumë kohë sa në lutje, aq edhe në bibliotekën e riorganizuar françeskane, ku vijonte të frymëzohej për vepra të reja. Pa çka se tashmë kishte jetuar gati një shekull e ishte kujtesë e gjallë e historisë së Qytetit të Veriut, që ka nisur t’i harrojë shumë nga ngjarjet, të cilat vijojnë të rijetojnë, me ngjyra të freskëta, ndër ato telajo, përskaj të të cilave bie në sy firma “Ndoc Gurashi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.