2018-02-19 17:09:00

Papa: jep dorëheqjen ipeshkvi në Nigeri. Dioqeza “e mbikqyrur”


Papa Françesku nuk arriti të mbyllë çarjen etnike të krijuar ndërmjet ipeshkvit dhe meshtarëve në dioqezën e Ahiarës, në Nigeri. Vendosi kështu të dërgojë një Administrator Apostolik për ta marrë nën mbikqyrje dioqezën. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njofton se Papa pranoi dorëheqjen e ipeshkvit aktual, imzot Peter Ebere Okpaleke, duke emëruar njëkohësisht si administrator (Sede vacante et ad nutum Sanctae Sedis), imzot Lucius Iwejuru Ugorji, ipeshkëv i Umuahia-s.

Emërimi i imzot Okpalekes pati krijuar menjëherë probleme

Emërimi i imzot Okpalekes nga Papa Benedikti XVI, më 7 dhjetor 2012, pati krijuar menjëherë probleme. Një grup meshtarësh e laikësh nuk e donin, sepse ipeshkvi i ri vinte nga etnia Iboe e jo nga ajo Mbaise, që përbën shumicën e dioqezës nigeriane. Më 15 shkurt të vitit 2013, imzot Okpaleke kërkoi “me përvujtëri” shtyrjen e shugurimit të tij ipeshkvnor me disa javë, në shpresën se gjendja do të përmirësohej. Jo vetëm që nuk u përmirësua, por ipeshkvi i ri u shugurua më 21 maj 2013, jashtë dioqezës, në Seminarin e madh të Ulakwo, Owerri. Imzot Okpaleke nuk mundi kurrë të hyjë në dioqezën e vet si ipeshkëv, duke u detyruar të qëndronte në Awka.

Papa Françesku e konfirmoi emërimin e tij

Në qershor 2017, Papa Françesku e ftoi ipeshkvin në Vatikan, konfirmoi emërimin e tij dhe u kërkoi meshtarëve të Ahiaras një letër, me të cilën t’i kërkonin falje, por nuk arriti ta zhbllokonte gjendjen. Tashmë, u detyrua ta pranojë dorëheqjen e imzot Okpalekes, të cilin e falenderoi publikisht “për dashurinë që tregoi ndaj Kishës”.

Agjencia katolike Fides saktëson se Papa Bergoglio mori rreth 200 letra nga meshtarët e dioqezës së Ahiaras, në periudhën qershor-korrik 2017. Ata i shprehën besnikërinë dhe bindjen e tyre, por disa vunë në dukje se kishin vështirësi psikologjike për të bashkëpunuar me ipeshkvin, pas viteve të konfliktit, në të cilat të dyja etnitë kishin vrarë njëra-tjetrën. Duke pasur parasysh pendesën, Papa nuk deshi t’u japë sanksione ekonomike, por ngarkoi Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve t’i përgjigjej secilit prej tyre, duke e ftuar të reflektonte për dëmin e madh, që i bënë Kishës së Krishtit e duke uruar të mos përsëriten në të ardhmen kundërshtime kaq të paarsyeshme kundër një prelati të emëruar legjitimisht nga Ati i Shenjtë.

Papa do të vazhdojë ta ndjekë personalisht dioqezën

“Papa – nënvizohet në një notë të Kongregatës – nuk ka ndërmend të emërojë, tani për tani, një ipeshkëv të ri në Ahiara, por do të vazhdojë ta ndjekë personalisht dioqezën”, edhe përmes administratorit të ri apostolik, të cilit i ka dhënë të gjitha funksionet e ipeshkvit. “Ati i Shenjtë, që e shoqëron me lutje këtë fazë të re të jetës në Kishën e Ahiaras, uron që me administratorin e ri apostolik të gjallërohet jeta kishtare e të mos ketë kurrë më vepra, që e plagosin Korpin e Krishtit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.