2018-02-19 12:23:00

Meditimi i parë i Ushtrimeve Shpirtërore të Papës: të kërkuar nga etja e Jezusit


Papa Françesku dhe bashkëpunëtorët e Kuries Romake arritën dje pasdite në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, ku dëgjuan komentin e parë të portugezit don Josè Tolentino de Mendonça kushtuar fragmentit të Ungjillit të Shën Gjonit,  që përshkruan takimin e Jezusit me Samaritanen.

Jezusi që, i ulur pranë pusit të Jakobit i kërkon samaritanes “Më jep të pi”, na mrekullon, na lë të çarmatosur nga habia. Një judè, që i flet një gruaje nga Samaria, populluar nga disidentë, me të cilët hebrenjtë nuk merreshin vesh fare, na mahnit, ashtu si Jezusi, që na drejtohet ne për të na kërkuar: “Më jep gjithçka ke. Hape zemrën! Më jep çka je!”. Nisi kështu, meditimi i parë i don Josès, propozuar mbrëmë në kapelën e Shtëpisë së Mësuesit Hyjnor të paolinëve të Ariccias.

Çirakë të mrekullimit

Teologu poet portugez, zëvendësdrejtor i Universitetit Katolik të Lisbonës, zgjodhi si temë të predikimeve të tij, “Lavdërimi i etjes”, ndërsa për meditimin e hyrjes, titullin: “Çirakë të mrekullimit”, për të komentuar pjesën e parë të rrëfimit të Shën Gjonit (Gjn 4,5-24) për takimin e Jezusit me samaritanen, tek pusi.

Kërkesa e Jezusit na drejtohet edhe ne. E na shqetëson fort; sepse jemi ne, që kemi shkuar të pimë tek pusi, duke e ditur se etja është lodhje e nevojë. Edhe Jezusi është i lodhur nga shtegtimi. Prandaj është ulur pranë pusit. E në Ungjill, ata që rrinë ulur për të kërkuar - kujtoi don Tolentino - janë lypësit. Edhe Jezusi lyp. “Nuk është vetëm njeriu lypës i Zotit. Edhe Zoti është lypës i njeriut”. Ky, thënë me pak fjalë, predikimi i parë.

Kujtojmë se nesër e deri të premten, 23 shkurt, ditët e Papës dhe të bashkëpunëtorëve të tij në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor do të hapen në orën 07.30 me kremtimin e Meshës, pasuar nga meditimi i parë, në orën 09.30. Në orën 16.00 do të mbahet meditimi i dytë i predikatarit, që do t’i paraprijë lutjeve mbrëmësore e adhurimit eukaristik.








All the contents on this site are copyrighted ©.