2018-02-18 09:00:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 26


Në emisionin e njëzetegjashtë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, po kujtojmë opinionet e historianëve të ndryshëm për paqen e Kastriotit me turkun. Goblin 12 dhe autorët e tjerë mendojnë se paqen nuk e ofroi sulltani. E kërkoi vetë Skënderbeu. Po ky do të ishte veprim diplomatik gati i pamundur për Prijësin fitimtar e tejet të matur që, në këtë rast, do të detyrohej të ndërronte përsëri jetë e fe. I pamundur, edhe pse ky gjest do ta paraqiste Skënderbeun në një dritë shumë të keqe, si katolik të pafe, si burrë të pa burrëri e prijës të pa karakter, që ndërron si e kah të fryjë era. E kush? Kapedani, për të cilin Piu II shkruante: “Ai e kaloi gati gjithë jetën duke luftuar për kauzën e krishterë. Është tejet vështirë të gjesh një prijës kryqëzate, që të krahasohet me të”. E Papa Kalisti III e përmblidhte rëndësinë historike të luftës së Skënderbeut me këto fjalë: “Si një pendë e patundshme, ai ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi ta pushtonin Evropën e krishterë”.

Ndërsa fisniku francez Jacques de Lavardin, që më 1597 shkroi biografinë e plotë të Skënderbeut, bazuar kryesisht mbi Barletin, u kujtonte francezëve: “Kjo është jeta e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbej nga turqit, mbret i Shqiptarëve, emri i pavdekshëm i të cilit meriton pa fjalë të  përmendet në tempullin e  Kujtimit”.

Prej këndej, është më logjik mendimi i Biemit 13 sipas të cilit sulltani e ofroi paqen për arsyet e lartpërmendura, ndërsa një armatë e madhe otomane priste në Shkup urdhërin për të lëvizur në drejtim të Bosnjës e për ta pushtuar.

Ndërkaq partia e paqes në Shqipëri ishte e fortë e forcohej gjithnjë më shumë, ndërsa Papa, për shkak të indiferencës së shteteve evropiane, qe i detyruar të fitonte kohë për Skënderbeun.

Ishte pikërisht kjo parti që, e inkurajuar nga Tanush Topia, e detyroi Gjergjin ta pranonte paqen e sulltanit. E Kastrioti, i shtyrë nga princat e Lidhjes e nga ngjarjet e kohës, u detyrua të ulte kokën. Por me një kusht. Me që, si kapedan i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë nuk mund të mos e njoftonte Papën për gjithë ç’po ndodhte, pikërisht Tanush Topia, kreu i opozitës, duhet të nisej në Romë, për t’u takuar me Piun II.

Kjo është hamendja, që na duket historikisht më e besueshme, sepse përforcohet nga ngjarjet e mëparshme e konfirmohet nga të mëpasmet.

Kështu Tanush Topia u nis për në Romë. Por lajmi kishte mbërritur para tij, i pritur me një habi të madhe nga Papa, i cili u trondit thellësisht, në ato çaste kur po i kushtonte shpirt e zemër kryqëzatës

Kështu e gjeti Tanush Topia. Përpjekja e tij për ta justifikuar sjelljen e Lidhjes së shqiptarëve, u zbeh keqas nga fjalët e zjarrta të Piut II, i cili e sqaroi shqiptarin për situatën e rëndë ballkanike dhe pasojat e saj mbi gjithë Evropën. Tanush Topia mbeti thellësisht i prekur e i tronditur. E nisi të mendojë si Skënderbeu aq sa, tejet i shqetësuar nga rreziku turk, e siguroi Papën se do ta nxiste Kastriotin ta anullonte paqen me sulltanin.

Si u nis Tanushi, Piu II e ndjeu veten të lehtësuar, por nuk fjeti mbi dafina, mbasi i dërguari i Kastriotit ia përshkroi hollësisht edhe marrëdhëniet armiqësore ndërmjet shqiptarëve e venecianëve. Duheshin zgjidhur me ngut, në prag të kryqëzatës, edhe kto probleme, ndërmjet të cilave,  konflikti magjaro-venecian.

E Piu II iu vu punës me zellin e taktin tipik për të, me bindjen se do t’ia dilte mbanë, tash o kurrë!

Paqja e Skënderbeut me sulltanin, që ra si rrufe në qiell të kthjelltë mbi kokën e venedikasve, e lëkundi deri në themel diplomacinë veneciane e cila, duke e kuptuar më në fund manovrën politike, e ndjeu thellë katastrofën, që po përgatiste sulltani.








All the contents on this site are copyrighted ©.