2018-02-18 09:00:00

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës Katolike


Meshtaria kalon periudha të ndryshme, secila me karakteristikat e veta, që sjellin vështirësi, por edhe mundësi të reja. Kështu u tha të enjten Papa Françesku meshtarëve të klerit të Romës, mbledhur në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran për takimin tradicional, në fillim të Krezhmëve.  Për mëse një orë, Papa rrëfeu shumë meshtarë nga kleri romak e më pas, iu përgjigj pyetjeve të tre meshtarëve: njëri i ri, tjetri mesoburrë dhe i treti, i moshuar. Jashtë programit, Ati i Shenjtë shkoi në Seminarin e madh, aty pranë, ku u lut në kapelën e Zojës së Besimit dhe drekoi me rreth 70 seminaristë.

Papa u kërkoi të rinjve të kenë stil meshtarak e të gjejnë një atë shpirtëror, që t’i ndihmojë në shqyrtimin e jetës së tyre. U kushtoi vëmendje të veçantë meshtarëve të moshës nga 40 deri në 50 vjeç, mosha e tëharrjes dhe e provës, saktësoi. Në këtë periudhë nevojitet edhe më tepër një udhëheqës e shumë lutje, sepse është e rrezikshme të ecësh përpara vetë. Ati i Shenjtë reflektoi më pas me meshtarët, që i kanë kapërcyer të pesëdhjetat e kanë hyrë “në kohën e urtisë, në të cilën duhet të ofrojnë dashurinë dhe gatishmërinë e tyre me buzëqeshje” në rrëfyestore.

***

U shpall javën e kaluar një Motu proprio e Papës Françesku mbi  dorëheqjen, për shkak të moshës, të titullarëve të disa zyrave me emërime papnore. Mban datën 12 shkurt dhe titullohet “Të mësohesh për të dalë në pension”. Detyra, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk përfundon ipso facto (menjëherë) në moshën 75 vjeçare, por vetëm pas vendimit të Papës, të cilit i duhet paraqitur dorëheqja, vendim, që mund të merret përtej tre muajve, sipas nenit 3 të kanunit 189 të së drejtës kanonike.

***

“Ndalu, shiko e ktheju!”. Tri fjalë, për të ngrohur zemrat, në një kohë si kjo e Kreshmëve. Ua drejtoi Françesku besimtarëve të Mërkurën e Përhime, ditë e fillimit të Kreshmëve, duke kryesuar bashkësinë e lutjes, në formën e “Stacioneve” romake. Në orën 17.30, në Kishën romake të  Shën Anselmit, në Aventin, u mbajt një çast lutjeje, pasuar nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Në procesion morën pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjër benediktinë të Shën Anselmit, etër domenikanë të Shën Sabinës dhe disa besimtarë. Në përfundim të procesionit, në Bazilikën e Shën Sabinës, Papa Françesku kryesoi kremtimin e Eukaristisë, me ritin e bekimit të hirit dhe të përhimjes.

***

Secili nga ne, kur shkon në Meshë, ka të drejtë ta marrë me begati fjalën e Zotit: të thënë mirë e, pastaj, të shpjeguar në homeli. Është një e drejtë. Nëse fjala e Zotit nuk lexohet mirë, nuk predikohet me afsh nga diakoni ose ipeshkvi, besimtarëve u mungon një e drejtë. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, për të vijuar, më pas, ciklin e katekizmit mbi Meshën,  të cilin ia kushtoi Besojmës dhe Lutjes universale.

***

“Nevojitet një strategji, që përfshin njohjen më të mirë të temës së trafikut, duke nisur që nga terminologjia e qartë tek dëshmitë konkrete të protagonistëve, që sigurisht mund të ndihmojnë”. Kështu, Papa Françesku, në audiencën e së hënës së kaluar me pjesëmarrësit e Ditës Botërore të reflektimit kundër trafikut të njerëzve. Duke folur pa letër e duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve, Ati i Shenjtë nënvizoi se duhet të jemi të vetëdijshëm që trafiku ekziston, sepse ekziston kërkesa për të, prandaj hapi i parë për ta luftuar është dalja nga hipokrizia.

***

Në Radio Vatikanin në gjuhën italiane, gjatë periudhës së Kreshmëve, kush dëshiron mund ta thotë Rruzaren bashkë me Papën Françesku. Duke filluar që sot, do të transmetohet përditë, në orën 20.00, lutja e njohur mariane, e regjistruar me zërin e Atit të Shenjtë, realizuar së bashku me Shtëpinë Botuese Paoline. Mund ta ndiqni në faqen e internetit “vaticannews.va”.

***

U përurua, të enjten e kaluar, në fshatin Al-Our, në provincën e Minya-s, kisha e parë kopto-ortodokse kushtuar 21 martirëve, të cilëve iu pre koka tri vjet më parë nga terroristët e shtetit islamik, në Libi. Më 15 shkurt, data kur Is përhapi, përmes internetit, videon e tmerrshme me ekzekutimin e hatashëm, është edhe dita e zgjedhur nga patriku kopto-ortodoks Tawadros për të kremtuar kujtimin liturgjik të viktimave, shkruar në Synaxarium, libër i martirëve të  Kishës kopte, një javë pas masakrimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.