2018-02-18 07:00:00

Shenjtorët e javës 18 – 25 shkurt


E diel 18 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 1-të të kohës liturgjike të Kreshmëve, që përgatisin e paraprijnë festën e Pashkëve. Gjithnjë mё 18 shkurt, kalendari kishtar përkujton shёn Geltrunën, të Lumin Giovanni nga Fiesole ( të Lumin Angjeliko), domenikan.

Kreshmët, të porsafilluara, na thërrasin të radhitemi me Krishtin në luftën kundër të “Keqit”. Ta dëgjosh me fe fjalën e Zotit e të angazhohesh me seriozitet në konvertimin e jetës personale: ja kushtet që lypen për të marrë pjesë në Pashkën e Krishtit. 
Kjo e diele e parë e kohës liturgjike të Kreshmëve, quhet ndryshe edhe e diela e tundimit. Ungjilli i kësaj së diele, na përshkruan tundimet e Jezusit në shkretëtirë. Është një hyrje e përgjithshme në këtë kohë të Kreshmëve, e cila fillon nën shenjën e luftës së brendshme kundër të keqit e së keqes, që njeriu has gjatë shtegtimit tokësor në jetën e përditshme. Prandaj, duhet të lusim Zotin të rri me ne, në çastet e sprovës, për të ngadhënjyer me Të në ditën e Jetës.

Tё hёnёn mё 19 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Konradin Kofalonieri, oshënar françeskan. Liturgjia e ditës na kujton se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.

Tё martën mё 20 shkurt, kalendari kishtar përkujton Eleuterin dhe shën Leonin e Katanies, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.

Të mërkurën më 21 shkurt, kalendari liturgjik përkujton shën Pier Damianin, ipeshkëv i Ostia-s, kardinal e doktor të Kishës dhe shën Germanin. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.

Të enjten më 22 shkurt, Kisha katolike feston Katedrën e shën Pjetrit. Qëndrueshmëria e shtëpisë garantohet nga themelet. Duke ia besuar Kishën Pjetrit, Jezusi pranon se feja e Apostullit ishte e ndjerë, e vërtetë, e qëndrueshme. Shën Pjetri bëhet kështu garanti për fenë e të tjerëve, guri i këndit, që mban shtëpinë.

Të premten më 23 më shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Polikarpin, ipeshkëv e martir. Liturgjia e ditës na mëson se është e drejtë dëshira që ndjejnë të gjithë besimtarët për t’i shërbyer Krishtit, por nuk duhet të kemi pretendimin se jemi të vetmit, ose të parët që e bëjmë këtë.

Të shtunën më 24 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Modestin. Liturgjia e ditës na thotë se është i lum ai që beson në Zotin dhe e lë veten në dorën e Tij. Kështu në jetë, të vegjlit u besohen të mëdhenjve, që duhet të kujdesen për ta e t’i shoqërojnë në rrugët e jetës, derisa të rriten.

Të dielën e ardhshme mё 25 shkurt, Kisha katolike do tё kremtojё të dielën e 1-të të kohës liturgjike të Kreshmëve, që përgatisin e paraprijnë festën e Pashkëve. Po këtë të diele tё 2-të të Kreshmëve, liturgjia e Fjalës së Zotit, në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit, na kujton një moment teje të veçantë të jetës së Jezusit, shndërrimin e tij. Kjo ngjarje e ndriçon udhën krezhmore: pendesa e agjërimi që praktikojmë, kanë si qëllim ta shndërrojnë jetën tonë sipas shembullit të Jezusit.

Gjithnjë tё dielën më 25 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Nestorin, ipeshkëv e martir dhe shën Çezarin. 








All the contents on this site are copyrighted ©.