2018-02-19 15:01:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 27


Në emisionin e njëzeteshtatë të rubrikës, mbështetur mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, ndjekim  politikën e Venedikut, në një kohë tejet të vështirë, kur afrohej çasti i ndeshjes për jetë a vdekje ndërmjet Republikës detare e turkut.

Goditjen e parë Venediku e kishte marrë  në betejën e Argos (3 prill 1463), kur u mund nga turqit. Paqja e Skënderbeut me sulltanin ishte goditja e dytë. Ndonëse shërbeu si ilaç për opozitën, sepse i dha forcë e zell për të vepruar. Kreu i partisë antiturke, Vittorio Capello, njeri  shumë i  aftë e i nderuar, në këto ditë të rënda, përplot me të panjohura (prill-maj 1463), arriti deri në atë pikë, sa ta shpallte tradhtar të atdheut çdo venecian, që do të propozonte shtytjen e luftës. Venediku më në fund po zgjohej nga gjumi, por pa e kuptuar ende se duhej bashkim. Si gjithnjë, i pëlqente më shumë ta përvetësonte deri luftën e, sidomos, fitoren. Po kohët kishin ndërruar. Sulltani vijonte të shtrihej në Ballkan, duke pushtuar edhe Bosnjën, (maj 1463). E, si të mos i mjaftonte kjo fitore e re, përgatiste flotën për të pushtuar zotërimet venedikase të Argolides.

Në këtë klimë stuhie, përfaqësuesit e Piut II mundën ta zhvillojnë me sukses veprimtarinë e tyre diplomatike në Shqipëri, në Venedik e në Hungari.

Në Shqipëri, Piu II kishte mobilizuar Pal Engjëllin, kryeipeshkëv i Durrësit, personalitet i madh, me ndikim të fuqishëm mbi gjithë shqiptarët, Fjala e kryeipeshkvit, në mbështetje të asaj të Kastriotit, pati efektin e rrezeve të diellit të pranverës mbi majat e maleve të zbardhura nga dëbora.

Si u sqaruan keqkuptimet, koalicioni antivenecian hoqi dorë nga armiqësia e vjetër. E edhe princat më të përbetuar antivenedikas, Balshajt, u bindën se kishte ardhur koha për t’u afruar me Venedikun, nësa mbi Evropën ballkanike trokiste një nga orët më tragjike.

Pikërisht në këtë kohë, Skënderbeu, që më në fund i kishte duart e lira, mundi të dërgonte në Venedik Andre Snatikun, abat i Shën Marisë së Rotezit, për të biseduar me Republikën detare. Venediku, nga ana e  tij, i nxitur nga ngjarjet e nga Papa Piu II, nxitoi t’ia lehtësonte Abatit misionin. E kështu aleanca aq e dëshiruar me Shqipërinë përfundoi me sukses.

Kapitujt e aleancës mund t’i përmbledhim në këto pika: “Skënderbeu angazhohej të rifillonte luftën kundër turqve, ndërsa Venediku ta ndihmonte Kastriotin me njerëz e mjete. Skënderbeu emërohej gjeneral i forcave shqiptaro-veneciane në Shqipëri, ndërsa Gjoni i vogël, i biri i Kastriotit, pranohej në radhët e fisnikëve venetë. Veç kësaj, çdo vit, nga prilli në qershor, kohë në të cilën turqit e kishin zakon t’i suleshin Shqipërisë, një galerë e armatosur dhe një flotë veneciane do të niseshin drejt brigjeve shqiptare për të mbojtur zonën bregdetare. Së fundi, në rast se Shqipëria pushtohej, Skënderbeu do të mund të strehohej miqësisht në Venedik”. Ky paragaf i fundmë vë në dukje sa thellë qe ngulur në mendjen e Heroit shqiptar, rreziku i pushtimit otoman. E tregon fakti se në të gjitha  traktatet me shtetet italiane, nuk e harronte kurrë këtë pikë.

Besa me Venedikun u lidh në fshehtësi të madhe, për të mos i krijuar armiq të rinj Kastriotit.

Por kryeipeshkvi i Durrësit, i thirrur në ndihmë për herë të dytë (e do të thirrej edhe shumë herë të tjera, deri në vdekje, sepse ishte njeri i besueshëm, këshilltar e mik i përzemërt i Skënderbeut), ia doli dhe këtë herë ta kryente detyrën e paqëtimit. I vetmi i huaj - nëse mund të quhet i huaj kreu universal i Kishës katolike - që u vu në dijeni të bisedimeve me Venedikun, ishte Papa Piu II.

Athanas Gegaj 1 është i mendimit  se hapat e bëra nga Piu II: “… avaint certainement contribué non seulement a faciliter la conclusion de l’alliance, mais aussi á la faire admettre par les Albanais…” (“… sigurisht patën ndihmuar jo vetëm për t’i lehtësuar përfundimet e aleancës, por edhe për të bërë që të pranohej nga Shqiptarët).

Si u nënshkrua traktati, Venediku dërgoi me nxitim në Shqipëri kontingjentin e parë të trupave si dhe ndihmat e para në të holla e materiale, ndërsa Kastrioti i jepte fund gjendjes së paqes me sulltanin (27 nëntor 1463) 2 . Piu, plotësisht i kënaqur, mund të niste kryqëzatën!

1 Gegaj, vep.cit. fq 137

2 Biemmi, vep.cit. fq 427

 








All the contents on this site are copyrighted ©.