2018-02-18 09:00:00

I Lumi Piu IX - çështja e tij e shenjtërimit ecën me hapa të shpejta


140-vjet më parë vdiste Papa i dogmës së Zënies së Zojës pa mëkat, i Lumi Piu IX . Postulatori i Çështjes së shenjtërimit të tij, imzot Carlo Liberati, pohon: “Procesi i kanonizimit vijon me ritme aq të shpejta, sa brenda verës parashikohet zbulimi i trupit, që pushon në Bazilikën e Shën Lorencit, në Verano.

Papnia e Piut XI, është më e gjata e historisë, pas asaj të Shën Pjetrit: 31 vjet, gjashtë muaj e njëzetetre ditë. Të kujtosh veprimtarinë  e palodhur papnore, 140 vjet pas vdekjes së Giovanni Maria Ferretit (Senigallia, 13 maj 1792- Romë, 7 shkurt 1878), të 265-tit Papë dhe sovranit të fundmë të Shtetit të Kishës, nuk është thjesht studim historik. Është njëlloj si të prekësh korpin e gjallë të akualitetit kishtar. Në një kohë kur Çështja e kanonizimit të tij vijon shpejt, siç e vërtetojnë fjalët   imzot Liberatit:

“Vijon në atë pikë, sa po angazhohem të parashikoj, verën e ardhshme,  zbulimin  e trupit të tij, që pushon në kishën romake të Shën Lorencit, në Verano, Jo vetëm: e kam në mendje edhe të rindërtoj kriptën, ku prehet. Shenjë që tregon se mund të ndodhë diçka e re”.

Armiqësia e masonerisë, për dogmën e Zënies pa mëkat të Zojës së Bekuar

Ndërmjet atyre, që e shikojnë me sy të shtrembër shenjtërimin e Piut IX, janë edhe sot e kësaj dite masonët. Ndonëse këto vitet e fundit masoneria është qetësuar paksa - shpjegon imzot Liberati:

“Masoneria shpresonte marrëzisht se Kisha, duke humbur shtetin papnor, do të shndërrohej në kishë protestante evropiane: anglikane, keltike ose luterane. Por gabohej, e gabohet. Nuk e llogariti fare Shpirtin Shenjt, të pazhdukshëm e fitimtar. Ajo, që do të humbasë, është masoneria. Unë do t’ia kushtoj të gjitha vitet e fundit të jetës këtij shenjtërimi. Në Lurdë i thashë Zojës: “ Kujtoju, o Nënë,  se Piu të shpalli të zënë pa mëkat. E atëherë ti duhet të shpërvjelësh mëngët, që atij t’i hapet rruga e shenjtërisë”.

Papa reformator shikohej me sy të keq nga laicizmi, për integritetin e tij

Laicizmi nuk e vlerësoi kurrë Papën Piu IX. Ky nuk është mister. E jo vetëm për “çështjen e famshme romake” dhe qëndrimin ndaj Mbretërisë së posalindur të Italisë,  në gjirin e së cilës gumëzhinin liberalët dhe antiklerikalët, por edhe për integritetin e tij në fe.

Gjatë papnisë së tij  - vijon imzot Liberati - u themeluan 133 seli ipeshkvnore e 50 vikariate apostolike në tokat e misionit. Mbrojti me forcë popujt e shtypur, si polakët dhe popujt e Amerikës Latine. Papë i madh, por politikisht i pafat, jetoi  në perëndim të një pjese të historisë së Kishës. Në kohën e një Kishe që nuk kishte më pushtet ekonomik, as financiar. I Lumi Piu IX e kuptoi menjëherë se po lindte një epokë e re: atëherë kërkoi ta shpjegojë e ta parashikojë kohën e vet. A ia  doli mbanë? Përgjigjen ia lëmë historisë. Në një kohë kur armiqtë e tij zhduken e miqtë, po shtohen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.