2018-02-18 09:00:00

Bukuria e mistershme: Mikelanxhelo Buonarroti në 454-vjetorin e vdekjes


Përkujtohet sot, 454-vjetori i vdekjes së Mikelanxhelo Buonarrotit, skulptor, piktor, arkitekt e poet italian, që lindi në Kapreze, më 6 mars 1475 dhe ndërroi jetë në Romë, më 18 shkurt 1564. E kujtojmë si protagonist të padiskutueshëm i Rilindjes Italiane e krijues të famshëm në të gjithë botën për kryeveprat në skulpturë, si Davidi e Moisiu; në arkitekturë, si Kapitoli i Romës me sheshin e tij të famshëm, në mesin e të cilit ngrihet statuja e Mark Aurelit, e në pikturë, si Gjyqi i Mbramë, që zbukuron Kapelën Sikstine. E e kujtojmë sidomos, me fjalët e Papës Pali VI,  i cili vë në dukje jo vetëm aftësitë, por edhe forcën shpirtërore, që e ndihmoi të bënte kryevepra, si Kapela Sikstine, katekizëm i vërtetë për çdo vizitor. “Na pëlqen ta imagjinojmë artistin – thoshte Papa në homelinë e meshës për 500-vjetorin e lindjes së Mikelanxhelos - duke u sjellë në hapësirat solemne arkitektonike, të cilat e panë për vite të gjata, në periudha të ndryshme të jetës e në momente të ndryshme të veprimtarisë artistike, mbi skelat e punës, në shoqëri me poemën e tij të jashtëzakonshme në pikturë, për të cilën, ashtu si për poemën e Dantes, bashkëpunuan qielli e toka. Kush i sheh ato sekuenca pikture, pyet veten ç’marrëdhënie mund të ketë me ne ai popull figurash energjike: ne vijmë pas disa shekujsh e si shoqëria, ashtu edhe bota e krishterë, kanë probleme shumë më të ndryshme se atëherë. E megjithatë, Sikstina na jep, si të thuash, një raport mbi luftën e fitoren, në një botë në zhvillim, ku bijtë e dritës, për hir të karakterit sakramentor të tyrin, luftojnë me guxim e pa u lodhur për triumfin e së vërtetës”. Sepse mbi botën vijon e do të vijojë të    mbizotërojë sovrane, figura e Zotit, e një Hyji të drejtë e të mëshirshëm, që njerëzimit të prishur, i ofron ndihmën e shëlbimit për një jetë të re.  
Mikelanxhelo është protagonisti, demiurgu i këtij predikimi të madh fetar, që ne, jo më pak se njerëzve të kohës së tij, na duket i mrekullueshëm për guximin e konceptimit ikonografik e për fuqinë shprehëse. Nuk ka fjalë njerëzore, që mund të zgjojë kaq emocione, që të bën të reflektosh e të meditosh kaq thellë, sa paraqitja e atyre të vërtetave nga Buonarroti. Kapela Sikstine, me Gjykimin e Mbramë (apo Gjyqin Universal), bëhet kështu, gati një libër i hapur për njerëz të mësuar e për mendje të pakultivuara, për besimtarë e jo besimtarë, si edhe një thirrje e frytshme për popullin e Zotit që të vazhdojë të jetojë siguritë e Ungjillit, për të mos rënë si ‘foshnja, përplasur nga tallazet e doktrinave, që me dredhi i hapin udhën gabimit’(Ef 4,14-15) ”.








All the contents on this site are copyrighted ©.