2018-02-18 13:51:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Kreshmët janë kohë pendese e lufte shpirtërore, por jo e trishtuar


“Kreshmët janë udhë pendese e lufte kundër së keqes, duhet të kemi guximin ta hedhim poshtë gjithçka na çon jashtë rruge, vlerat e rreme, që na mashtrojnë duke na tërhequr në mënyrë djallëzore, egoizmin tonë”. Ky, pohimi i Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot. E keqja vepron vazhdimisht në jetën tonë, është rreth nesh, ku shikojmë dhunë, mospranim të tjetrit, mbyllje në vetvete, luftëra, padrejtësi, prandaj nuk duhet humbur kohë - theksoi Ati i Shenjtë - e, në fillim të Kreshmëve, u drejtoi një përshëndetje të veçantë të burgosurve:

“Të dashur vëllezër e motra, që jeni në burg, e inkurajoj secilin nga ju ta jetojë kohën e Kreshmëve si rast pajtimi e përtëritjeje të jetës, nën shikimin mëshirëmadh të Zotit”.

Kujtoi edhe se pas një muaji, nga 19 deri më 24 mars, do të vijnë në Romë 300 të rinj nga mbarë bota për takimin përgatitor të Sinodit të tetorit. Dëshiroj fuqimisht - ftoi - që gjithë të rinjtë të jenë protagonistë  të kësaj përgatiteje. Prandaj ata mund të ndërhyjnë on line përmes grupeve gjuhësore të drejtuara nga të rinjtë e tjerë. Ndihmesa  e grupeve të rrjetit do të bashkohet me atë të takimit në Romë.

Të dashur të rinj  - vijoi t’i ftojë Papa - mund të gjeni informacione në faqen e internetit të Sekretarisë së Sinodit të Ipeshkvijve. Ju falënderoj për kontributin tuaj, për të ecur së bashku!

Në reflektimin e frymëzuar prej Leximeve të propozuara nga Liturgjia e së dielës, Papa kujtoi se vetëm Zoti mund ta japë lumturinë e vërtetë, prandaj është e kotë të humbasim kohë duke e kërkuar gjetiu, në pasuritë, në kënaqësitë, në pushtet, në karrierë. Vetëm Mbretëria e Zotit është realizim i të gjitha dëshirave më të thella e më të vërteta, sepse është njëkohësisht shpëtimi i njeriut dhe lavdia e Hyjit.

Në fillim të lutjes mariane, Françesku vuri në dukje se në këtë të Diel të parë të Kreshmëve, Ungjilli na kujton temat e tundimit, të pendimit e të Lajmit të mirë.

Shkruan Shën Marku Ungjilltar: “Shpirti Shenjt e çoi Jezusin në shkretëtirë e në shkretëtirë ndenji dyzet ditë, i tunduar nga Shejtani” (Mk 1,12-13). Jezusi - kujtoi Papa - shkon në shkretëtirë që të përgatitet për misionin e Tij në botë. Ai nuk ka nevojë për pendesë, por, si njeri, duhet të kalojë përmes kësaj prove, si për vetveten, për t’iu bindur vullnetit të Atit, ashtu edhe për ne, për të na dhënë hirin të fitojmë mbi tundimet. Është përgatitje për të luftuar kundër shpirtit të së keqes. Edhe për ne Kreshmët janë kohë “gare” shpirtërore: jemi të thirrur t’i bëjmë ballë Djallit me anë të lutjes, për të qenë të aftë, me ndihmën e Zotit, ta mundim në jetën tonë të përditshme. Pa harruar kurrë se e keqja vepron vazhdimisht në jetën tonë, është rreth nesh, në këtë botë.  

Menjëherë pas tundimeve në shkretëtrirë, Jezusi nis të predikojë Ungjillin, domethënë Lajmin e mirë, që kërkon nga njeriu  kthim në fe. Ai kujton: “Koha u përmbush e mbretëria e Zotit është afër”. E, më pas, bën thirrje: “Pendohuni e besoni në Ungjill”(v15). Në jetën tonë kemi gjithnjë nevojë për pendesë, e Kisha na ndihmon të lutemi për këtë kthesë. Sepse nuk jemi kurrë të kthyer aq sa duhet në udhën e Zotit e duhet ta drejtojmë vazhdimisht mendjen e zemrën tonë kah Ai. Për ta bërë këtë, duhet të besojmë në Zotin, në mirësinë e Tij e në projektin e dashurisë së Tij për secilin nga ne: “Kreshmët janë - sipas Françeskut - kohë pendese, po, por jo trishtimi, zije. Janë angazhim gazmor e serioz për t’u zhveshur nga egoizmi ynë, nga njeriu ynë i vjetër e për t’u përtërirë, sipas hirit të Pagëzimit tonë”.

Nxitemi tani me impenjim në udhën drejt Pashkëve, për ta pranuar gjithnjë më shumë hirin e Hyjit, që dëshiron ta shndërrojë botën në një mbretëri drejtësie, paqeje e vëllazërimi.

Zoja e Bekuar na ndihmoftë - u lut në përfundim Papa - t’i jetojmë këto Kreshmë me besnikëri ndaj Fjalës së Zotit e me lutje të vazhdueshme, ashtu siç bëri Jezusi në shkretëtirë. Nuk është e pamundur! Duhen jetuar ditët me dëshirë të zjarrtë për ta pranuar dashurinë, që vjen nga Zoti e që dëshiron ta shndërrojë jetën tonë e botën mbarë.

Pas përshëndetjeve të grupeve të shumta, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku u drejtoi të gjithëve një kërkesë të veçantë:

“Ju kërkoj një kujtim në lutje për mua e për bashkëpunëtorët e mi të Kuries Romake, që sonte fillojmë javën e Ushtrimeve Shpirtërore”.

Ju uroj të diel të gëzuar. Drekën e mirë e mirupashfshim!








All the contents on this site are copyrighted ©.