2018-02-17 17:20:00

Papa Françesku: Pali VI do të shpallet shenjtë deri në fund të vitit


Papa Pali VI do tё jetё shenjtё sivjet. Kështu u tha Papa Begolio priftërinjve famullitarë tё dioqezës sё Romës në fjalimin gjatë takimit tё kёtyre ditëve që u bë sot publik. Në predikimin e kremtimit tё Lumnimit tё Papёs Palit VI, mё 19 tetor, 2014, Ati i Shenjtë Françesku e quajti Montinin "Papё i madh" dhe "apostull i palodhshëm", guximtar në "dëshminë e tij tё përvuajtur dhe profetike të dashurisë për Krishtin e Kishën e tij".

Kёshtu zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë njofton përmbajtjen e dialogut ndërmjet Papës Françesku me priftërinjtë e famullive tё dioqezës sё Romës, nga takimi i mbajtur të enjten e kaluar nё bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran. Nga shumë përmbajtje tё përgjigjeve të Papës Françesku nё pyetjet e meshtarëve, nënvizojmë fjalët e Bergolio-s mbi kanonizimin e ardhshëm të Papёs Palit VI.

"Kemi dy ipeshkvij tё Romës [të fundit] tashmë Shenjtorë (Gjoni XXII e  Gjon Pali II). Papa Pali VI do të jetë sivjet i shenjtë. Një me çështjen e lumnimit nё vazhdim e sipër, Gjon Pali I, rasti i kauzës sё tij është i hapur."

Pastaj me shaka Papa Françesku tha:

"Edhe Benedikti dhe unë, jemi në listën e pritjes: lutuni për ne!"

Papa Françesku, në predikimin e tij me rastin e Lumnimit tё Palit VI, 19 tetor 2014, e quajti Montinin "Papё i madh" dhe "apostull i palodhshëm", guximtar në dëshminë e tij “të përvuajtur dhe profetike të dashurisë për Krishtin dhe Kishën e tij". "Ndërsa filloi tё shfaqej një shoqëri laike e armiqësore – pati nënvizuar – Pali VI diti ta drejtonte me urtësi largpamëse - dhe nganjëherë edhe në vetmi - timonin e anijes sё Pjetrit (Kishёs) pa humbur kurrё gëzimin dhe besimin në Zotin.

Pali VI diti vërtetë t'i japë Zotit atë që është e Zotit duke ia kushtuar tërë jetën e tij ''impenjimit tё shenjtё, solemn dhe shumë serioz: vazhdimit në kohë dhe në tokë tё misionit tё Krishtit "(Homelia në Ritin e Kurorëzimit: Mësimet I, 1963, fq. 26), duke e dashur Kishën dhe duke e udhëhequr Kishën, qё ajo  tё ishte "në të njëjtën kohë nënë e dashur e të gjithë njerëzve dhe shpёndarёse e ofruese e shpëtimit" (Enc. Lett. Ecclesiam Suam, Prologu) ".








All the contents on this site are copyrighted ©.