2018-02-17 16:45:00

Komisioni për Mbrojtjen e të Miturve: emërime të reja nga Papa


Papa Françesku emëron 9 anëtarë të rinj të Komisionit për Mbrojtjen e  të Miturve. Pesë gra e katër burra. Prof. Benyam Dawit Mezmur (Etiopi); Motër Arina Gonsalves, RJM (Indi);  i Nderuari Neville Owen (Australi); Zonja Sinalelea Fe’ao (Tongë); Prof. Myriam Wijlens (Vendet e Ulëta); Prof. Ernesto Caffo (Itali); Motër Jane Bertelsen, FMDM (Britania e Madhe); Zonja Teresa Kettelkamp (SHBA); Zoti Nelson Giovanelli Rosendo Dos Santos (Brazil).

I themeluar më 22 mars 2014, me dokumentin autograf të Papës Françesku, Komisioni për Mbrojtjen e të Miturve ka si detyrë të posaçme  t’i propozojë Papës “nismat më të frytshme për mbrojtjen e të miturve dhe të të rriturve të ligshtë, si dhe të realizojë gjithë ç’është e mundur për të siguruar që krime të tilla, të ndodhura, të mos përsëriten kurrë më në Kishë”.

Komisioni, pra, ka funksion këshillimor, është në shërbim të Atit të Shenjtë dhe përbëhet prej jo më shumë se 18 anëtarësh, të emëruar nga vetë Papa “për një periudhë prej tri vjetësh, përveç ripërsëritjes.

Ricaktime

Papa Françesku ricaktoi Kardinalin Seán O’Malley, OFM Cap., si President i Komisionit për Mbrojtjen e të Miturve (PCTM) dhe emëroi në këtë organizëm këshillimor, 16 anëtarë, përfshirë edhe nëntë anëtarët e rinj. Shtatë anëtarët e rikonfirmuar janë: Dr. Gabriel Dy-Liacco (Filipine); Imzot Luis Manuel Alì Herrera (Kolumbi); P. Hans Zollner, SJ (Gjermani); Prof. Hanna Suchocka (Poloni); Motër Kayula Lesa, RSC (Zambie); Motër Hermenegild Makoro, CPS (Afrika e Jugut); Imzot Robert Oliver (SHBA).

Deklarata e kardinalit O’Malley

“Ati ynë i Shenjtë Papa Françesku - deklaroi kardinalit O’Malley - mendoi e u lut shumë para se t’i zgjidhte këto anëtarë. Komisarët e sapoemëruar shtojnë një perspektivë globale në mbrojtjen e të miturve dhe të të rriturve të ligshtë. Ati i Shenjtë siguron, kështu, vazhdimësinë e punës në Komisionin tonë, domethënë, asistencën e kishave lokale të të gjithë botës në përpjekjet e tyre për t’i mbrojtur nga plagët të gjithë fëmijët. E edhe të rriturit e ligshtë”.

Burrat e gratë e Komisionit

Ati i Shenjtë i zgjodhi këta tetë burra e këto tetë gra nga fusha shumëdisiplinore e specialistëve ndërkombëtarë të mbrojtjes të të miturve e të të rriturve të ligshtë nga krimi i shpërdorimeve seksuale. Përfaqësues të disa vendeve do t’i ofrojnë Komisionit urtinë dhe përvojën e tyre, duke reflektuar për përqafimin global të Kishës dhe sfidën e krijmit të strukturave për mbrojtjen, në kontekste të ndryshme kulturore.

Ndërmjet anëtarëve të Komisionit, edhe viktima të shpërdorimeve

Ndërmjet anëtarëve të shpallur sot, ka viktima/të mbijetuar pas shpërdorimeve seksuale klerikale. Që nga themelimi i Komisionit kanë qenë anëtarë të tij persona, që vuajtën për shkak të shpërdorimeve, si dhe  prindër të viktimave. Siç ka qenë gjithnjë praktika e Komisionit, PCTM mbështet të drejtën e çdo njeriu të shpërdoruar ta shpallë ose jo publikisht përvojën e tij. Anëtarët e emëruar sot zgjodhën rrugën e mosshpalljes publikishit, por vetëm brenda Komisionit. PCTM beson fuqimisht se  jeta e tyre private është vlerë, që duhet respektuar.

Dëgjimi i personave të shpërdoruar

Siç vendosën anëtarët themelues në Asamblenë Plenare të shtatorit 2017, anëtarët e rinj dhe stafi do ta nisin mandatin duke i dëgjuar njerëzit e shpërdoruar e familjarët si dhe duke marrë mendime prej tyre. Kjo do të jetë në qendër të vëmendjes në të gjitha politikat dhe programet edukative të Komisionit. PCTM dëshiron t’i dëgjojë drejtpërdrejt zërat e viktimave/ të mbijetuarve, në mënyrë që këshilla, dhënë Atit të Shenjtë, të jetë e pasur me urtinë dhe përvojën e tyre.

Plenaria, në prill

Sesioni i hapjes së plenares së prillit, do të nisë me një takim privat me njerëz të ndryshëm, që kanë kaluar përvojën e shpërdorimit. Anëtarët do të bëjnë propozime të ndryshme për dialog të vazhdueshëm me viktimat nga mbarë bota. Janë bërë këshillime për muaj me radhë, me qëllim që të krijohet një “Grup Këshillimor Ndërkombëtar”(ISAP), strukturë e re  për dëgjimin e zërave të viktimave, themeluar sipas përvojës së Survivor Advisory Panel të Komisioneve Kombëtare Katolike për Mbrojtjen në Angli e Uells. 

Të krijohet kultura e mbrojtjes: sfida jonë më e madhe

Detyra e posaçme e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve është t’i bëjë propozime Atit të Shenjtë lidhur me nismat më të mira praktike për të mbrojtur të miturit dhe të rriturit e ligshtë nga krimet e shpërdorimeve  seksuale dhe për të promovuar përgjegjësinë lokale të kishave të veçanta në mbrojtjen e të gjithë fëmijëve, të rinjve e të rriturve të ligshtë.

Inkulturimi i parandalimit dhe i mbrojtjes nga shpërdorimet në jetën dhe veprimtarinë e kishave lokale, mbetet objektivi i ardhshëm i PCTM.

Për më shumë informacion lidhur me anëtarët e PCTM, aktualë e themelues, e edhe mbi punën e Komisionit, mund të vizitoni faqen e  internetit në italisht, spanjisht e anglisht www.protectionofminors.va.








All the contents on this site are copyrighted ©.