2018-02-16 18:43:00

“Të flasim së bashku”: thirrja e të rinjve drejtuar bashkëmoshatarëve për para-Sinodin


Papa Françesku do të hapë më 19 mars, në përvjetorin e fillimit të shërbimit të tij papnor, punimet e Takimit para-sinodal, ku do të marrin pjesë 300 të rinj nga e gjithë bota. Deri më 24 mars, në kolegjin Maria Mater Ecclesiae të Romës, ata do të konfrontohen mbi temat e asamblesë së Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, fesë dhe shqyrtimit të thirrjeve, që do të mbahet në tetor. Papa do t’u përgjigjet pyetjeve të të rinjve nga 5 kontinentet, përfaqësues të të gjitha Konferencave Ipeshkvnore, por edhe të lëvizjeve kishtare e të vullnetarëve, të konfesioneve të tjera të krishtera e të feve të tjera, të atyre, që jetojnë në kushte të veçanta, nga të burgosurit tek të droguarit.

Grupe Facebook në 6 gjuhë për t’u dhënë zë të rinjve

Të rinjtë mund ta ngrenë zërin edhe në grupet, që do të krijohen në gjashtë gjuhë në Facebook. Do të moderohen nga të rinj të tjerë, bashkëpunëtorë të Sekretarisë për Sinodin, si Filippo Passantino, i pranishëm në konferencën e shtypit për paraqitjen e Takimit.

 “Duam të dalim nga shtigjet dixhitale – thotë Filippo – dhe t’i përdorim mediat shoqërore për të paraqitur e për të mbledhur dëshmi, probleme, histori të rinjsh të sotëm, që hasin e përjetojnë shumë vështirësi në punë e në shoqëri. Objektivi përfundimtar, mbi të cilin duam ta tërheqim vëmendjen e të gjithëve, është lumturia e të rinjve, që të mos gjejnë porta të mbyllura, por shenja shprese nga ana e atyre, që kanë përgjegjësitë e kësaj bote”.

15 hashtag për diskutim, nga #KushJamUnë tek #Jezusi

Që sot, të rinjtë e moshave nga 16 deri 29 vjeç mund të regjistrohen me profilin e tyre personal në grupet e faqes Facebook “Synod2018” e të marrin pjesë virtualisht, me propozime dhe ide konkrete, në takimin para-sinodal, nga i cili do të dalë një dokument, që do t’i dorëzohet Papës. Nga 12 marsi do të publikohen në këto grupe pyetjet, që do të udhëheqin rrahjen e mendimeve në Takim. Ato do të mblidhen në 15 hashtag, që nga #KushJamUnë tek #larmia, #përshpirtëria, #Jezusi, #thirrja e tek #protagonist, natyrisht, në gjashtë gjuhët e parashikuara.

Thirrje për pjesëmarrjen e të rinjve afrikanë

 “Rrjetet shoqërore janë mënyra jonë e jetesës – pohon Stella Marillene Nishimwe, e re nga Burundi, anëtare e Lëvizjes së Fokolarëve – prandaj, është e rëndësishme që Kisha t’u komunikojë të rinjve, përmes këtyre mediave, me të cilat arrijnë ta shprehin më mirë vetveten, nga arti tek fjala e deri tek muzika”. Pyetësorit online, që iu propozua për dy muaj të rinjve, iu përgjigjën 221 mijë vetë, 56% nga Evropa e vetëm 18% nga Afrika, nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri.

Video: “Ta ngremë zërin me guxim”

  Por Stella është e sigurtë se të rinjtë afrikanë do t’i përgjigjen ftesës së përhapur me video në të gjitha rrjetet shoqërore: “We talk together” – flasim së bashku. “Ta ngremë zërin me guxim – thonë të rinjtë si Stella në videon gjashtë gjuhëshe – e ta ndihmojmë Papën dhe ipeshkvijtë që t’i përgjigjen çdo pyetjeje tonën”. “Sot, për të rinjtë, ka shumë oratore të ndryshme nga famullia – thotë kardinali Baldisseri – e Kisha duhet jo vetëm ta përmirësojë propozimin për baritorinë rinore në famulli, por edhe të dalë për t’i takuar të rinjtë jashtë saj. E ky para-Sinod dëshiron të ftojë këtu në Romë, jo vetëm të rinjtë, që e jetojnë famullinë dhe lëvizjet kishtare, por edhe të largëtit. E ata, që do të marrin pjesë, do të jenë lajmëtarët e kësaj aventure të bukur, përjetuar në Romë, apostuj pranë bashkëmoshatarëve”.

Takim i hapur për jo besimtarët

Ndër protagonistët e para-Sinodit do të jenë edhe të rinjtë jo besimtarë, prindërit, edukatorët, meshtarët, veprimtarët baritorë dhe ekspertët e botës rinore. Do të favorizohet kështu, dialogu ndërmjet të rinjve e të rriturve.

Takimi para-sinodal, që do të hapet më 19 mars, është paraprirë në nivelin lokal nga nisma si simpoziumi i Barcelonës, në mars 2017, promovuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE); Biseda ndërkombëtare mbi të rinjtë afrikanë, që u mbajt në Dakar, në janar 2018, protagonistët e së cilës ishin katolikë e myslimanë. Për Sinodin e të rinjve flitet çdo javë në takimet ekumenike në Taizé, në mbrëmjet e lutjes organizuar nga Bashkësia Shalom në bazilikën romake të Zojës së Madhe (i ardhshmi, më 17 shkurt, në orën 19.30) e në mini-Sinodet javore, organizuar në Lurdë.








All the contents on this site are copyrighted ©.