2018-02-16 13:34:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 25


Në emisionin e njëzetepestë të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, sot, dy beteja të reja fitimtare të Kastriotit dhe paqja e re me sulltanin.

E lamë, në emisionin e kaluar, Gjergjin, në kthim nga Italia Jugore, pas fitores së bujshme kundër armiqve të Mbretit të Napolit, të cilit ia ktheu fronin. Ndërsa, sipas njoftimeve, që i vinin nga Donika, duhej të trembej për të vetin. U nis, pra, prej Italie, në janar të vitit 1462 e, pas një ndalese të re në Raguzë, arriti në Shqipëri në shkurt të vitit 1462, ku gjeti atë situatë të nderë, të cilën e priste. Kuptoi menjëherë se sulltani synonte ta asgjësonte sa më shpejt që të ishte e mundur, mbasi trembej se qëndrimi i tij në Itali do të ndikonte që, në bashkëpunim me Papën, të rizgjonte  e të organizonte kundër turkut, shtetet italiane, milicitë e të cilave, besuar një prijësi si Skënderbeu, do ta përmbysnin situatën ballkanike. Si pasojë, sulltani mendonte se një sulm i rrufeshëm, në pranverën e vitit 1462, do ta zhdukte përgjithmonë pengesën shqiptare, para se të arrinin ndihmat italiane. Njëkohësisht do t’i krijonin ushtrisë së tij kushtet të lëvizte lirisht në drejtim të Bosnjës, e cila sigurisht që do t’i binte në dorë pa shumë vështirësi. Ja, pra, cila ishte arsyeja që, në mars të 1462-së, dy ushtri turke lëviznin kundër Shqipërisë. Njëra, me 20 mijë ushtarë, kryesuar nga Sinan- beu, drejtohej nga Dibra e Epërt e tjetra, me në krye Hysen-beun ulej drejt Dibrës së Poshtme. Një e treta e ushtrisë, nën komandën e Josuf-beut,   zbriste, me ndërprerje të shkurtëra, drejt fushës së Kosovës, për të siguruar përforcime në kohën e duhur. Por, pavarësisht nga mungesa e ndjeshme e ushtarëve dhe e mjeteve, në atë pak kohë që pati në dispozicion, Kastrioti bëri mrekulli organizimi e taktike. Së pari, nuk i la të dyja ushtritë të bashkoheshin, siç e kishin planifikuar. Së dyti, si mundi të parën, sulmoi tjetrën dhe e zuri rob komandantin, Hysen-beun. Ushtria, e mbetur pa krye, u shpartallua. E, pa i lënë kohë as të marrë frymë, iu vu në shpinë ushtrisë së tretë. Beteja vendimtare u zhvillua në rrafshin e Polagut ku, pas një ndeshjeje për jetë a vdekje, edhe armata e Josuf-beut pësoi fatin e ushtrive të tjera turke, që lanë pas fusha beteje, mbi të cilat fluturonin vetëm korbat.

Lajmi mbi tri humbjet e reja e tmerroi sulltanin, i cili nisi të besojë se Papa ndoshta ia kishte dalë mbanë të organizonte kryqëzatën e madhe, duke ia besuar udhëheqjen Kastriotit e se kishte shumë mundësi që Gjysëmhëna të tërhiqej përsëri në brigjet e Bosforit. Sulltani nisi të dyshonte edhe në mundësinë e pushtimit të Bosnjës, mbasi filloi t’i dukej e rrezikshme një ndërmarrje e tillë në zemër të Ballkanit, ku vigjilonte Kryekapedani  shqiptar. Si dështoi çdo përpjekje për ta asgjësuar me armë  Kastriotin, sulltani u rikthye tek mjetet diplomatike. I ofroi Skënderbeut një paqe shumë fitimprurëse.

Oferta këtë herë u pranua, pa e njoftuar fare Papën. Kështu, më 27 prill 1463, Shqipëria e Skënderbeut nënshkruante paqen me Perandorinë e Mehmetit II. Ç’e shtyu Kryekapedanin fitimtar të merrte një kthesë kaq të papritur? Historianët, që e studiuan, nuk janë dakord me njëri-tjetrin. Por me përfundimet e tyre, e sidomos, me qëndrimin e Piut II në këtë situatë  dramatike për mbarë Evropën, do të merremi në emisionin e ardhshëm. 








All the contents on this site are copyrighted ©.