Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Rrugëtimi i Kreshmëve drejt Pashkëve

Moretto Cristo tra le fiere prima domenica della Quaresima - RV

16/02/2018 07:30

Rrugëtimi i Kreshmëve drejt Pashkëve. Rrugëtimi i Kreshmëve nuk mund të reduktohet vetëm te agjërimi ose te uratët e zakonshme, sepse dinamika e brendshme e tij gjendet te animi drejt “gëzimit të pashkëve nëpër gjurmët e Krishtit Zot”, në mënyrë që në mëngjesin e ditës së tretë të jemi të shndërruar nëpër Krishtin.

Është e pëlqyeshme atëherë, të meditojmë, duke përdorur një libër postum të David Maria Turoldit “Rrugëtimi drejt besimit”, botuar nën kujdesin Miqve të “Qytetit të hapur” që përmbledh homeli të incizuara në Bazilikën e Monte Berikos, në Viçencë, gjatë Kreshmëve të 1987. Pikënisje e itinerarit të fesë është kthimi që, sipas konceptimit të David Maria Turoldit, do të thotë në thelb kalim nga e jashtmja e besojmës fetare te transhendentja e besimit. Nuk është i mjaftueshëm, në mënyrë që t’i themi vetes të krishterë përqafimi formal i fesë, siç nuk është i mjaftueshëm pjesëmarrja sipërfaqësore në ritet liturgjike dhe tek ato të pendesës.

Nëse vetë Krishti thotë “ të parfumojmë kokën” kur agjërojmë dhe të mos lutemi “siç bëjnë paganët”, do të thotë se vetë sjellja jonë fetare mund të cenohet nga dykuptimshmëria dhe, pra, duhet të jemi të kujdesshëm. Mbi të gjitha duhet të kthehemi e të besojmë, në nderim të fjalëve të Krishtit, që para se t’u ngjitët në Mal dhe të shpallte mesazhin e lumturive, kërkoi pendesë dhe kthim në fé, a thua se donte të thoshte se pa shndërrimin e brendshëm, besimi se mund të realizojmë kodin e të krishterëve “Lum të varfrit, lum të përndjekurit, lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi”, do të ishte një iluzion.

Nëse pastaj mendojmë se ftesa për t’u kthyer i drejtohet popullit të Izraelit, “tepër fetar”, “zbatues i përpiktë i fesë” do të thotë se edhe kulti përreth tempullit, ashtu siç praktikohej, nuk ishte i mjaftueshëm, duke pasur parasysh se pikërisht zelotët dhe kryepriftërinjtë bënë që Jezusi të vritej, në emër të një arsyeje të shpikur fetare, në emër të Zotit.

Por të cilit Zot? Pikërisht ky është problemi, sepse te konflikti mbi konceptin e Zotit ndërmjet Krishtit dhe të kryepriftërinjve, ndërmjet Krishtit dhe skribëve të çdo kohe, Biri i Zotit dënohet dhe vritet, a thua se një Zot i gabuar i kundërvihet Zotit. Kjo është një nga temat themelore të predikimit të Turoldit, që vazhdimisht na kujton se problemi nuk është Zoti por në cilin Zot të besojmë. Ndryshimi mes paraqitjes së Zotit nga Jezusi dhe paraqitjes së Zotit nga kryepriftërinjtë qe shkaku i kryqëzimit të Jezusit.

Tri ishin gjërat e gabuara në kohën e Jezusit, vëren Turoldi. Ishte i gabuar ligji dhe interpretimi i tij, ishte e gabuar koha dhe mitizimi i saj, por mbi të gjitha ishte i gabuar Zoti. Kjo është linja e konfrontimit dhe ndeshjes ndërmjet Krishtit dhe sinedrit e sinagogave, me gjithë mendësinë e kohës, por edhe me këtë mendësinë tonë gjithnjë të tunduar dhe të sunduar nga një Zot që i përshtatet kërkesave tona, jo atyre të Zotit: një Zot që nuk përputhet me të paparashikueshmen dhe që shkandullon me figurën e Jezusit të përvuajtur dhe të dobët.

Problemi për Krishtin është ky: në emër të cilit Zot të rrezikojmë jetën? Cili është imazhi i Zotit që na frymëzon? Cilin Zot predikojmë? Sepse gjithçka varet nga Zoti që predikojmë. “Vuajtjet” e Krishti janë ato që i tregojnë botës se Zoti është I Ati i saj; sikurse “vuajtja” e Zotit është t’i zbulojë botës se kush është njeriu i vërtetë, biri i vërtetë i njeriut, domethënë njeriu që ka menduar Zoti. “Kështu që tani unë apo ti, apo kushdo që mendon se është i krishterë, nuk mundet ta mbajë veten për të tillë në qoftë se nuk besojmë në Zotin e Krishtit. Ja ky është veprimi shkandallues i besimit: besim te një Zot i mbështjellur në petkat e një njerëzimi meskin, i strukur tek i fundmi i të fundmëve. Besim te një Zot që është vetëm plotfuqia e dashurisë, një Zot që shpëton dhe fal, mëshirë që gurgullon; një Zot që vazhdimisht merr pamjen e njerëzimit, që merr pjesë në fatin e njerëzimit, pjesëmarrës në fatin e njerëzve, ai vetë i fundmi i të gjithë njerëzve.”

Të besosh te Zoti i Krishtit është pika e vërtetë e nisjes në rrugëtimin e kthimit në fé që do të na çojë në ndryshimin e mentalitetit. Në fakt çdo gjë varet nga mendja, dhe prandaj edhe kthimi në fé duhet të vijë nga të menduarit, duke shkaktuar një përmbysje të plotë të krejt logjikës njerëzore, e cila mban për gjë të urtë atë që ndër sytë e Zotit është marrëzi, ndërsa ajo që është marrëzi për njerëzit është gjë e urtë për Zotin. “Tani kuptoj se pse shpëton ai që birret dhe birret ai që kujton se po shpëton. Ja çfarë do të thotë të kthehesh në fé; dhe deri sa të mos ndryshojmë mënyrën e të menduarit – përfundon Atë Turoldo – unë rrezikoj, madje, edhe kur predikoj për gjëra të tilla.”

Është jeta që duhet të përballohet dhe të njësohet me projektin e Të Lumit, siç është i kodifikuar në Ungjill. Ja pse Libri Hyjnor paraqitet si i nevojshëm jo vetëm për shpëtimin e amshuar por edhe si normë jete për të zgjidhur lëmoshat e ngatërruar të historisë, të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe të marrëdhënieve mes fesë dhe jetës. Ungjilli në të vërtetë është një libër biologjik që i përgjigjet, domethënë, kërkesave themelore e të qenurit, e prandaj ka rëndësi ontologjike: nëse nuk pranohet kodi i vlerave, si për shembull vlera e jetës që vjen përpara vlerës së sendeve, vlera e njeriut që vjen përpara vlerës së vetë jetës, është e kotë që të rropatesh në kërkim të përgjigjeve që nuk ekzistojnë.

T’i besosh ungjillit, pra, do të thotë të besosh tek absolutja e padiskutueshme dhe prandaj edhe themelore e etikës së vetme shpëtimtare për t’u çliruar nga integralizmat poshtëruese dhe të pafytyrë. Është besimi ai tek i cili bazohet liria e ndërsjellët, është besimi që na mëson respektin absolut të ndërgjegjeve, na thotë se Zoti është i amshueshëm, pra, që edhe mundësitë janë të pafundme e që të shkojmë drejt transcendencës shpëtimtare.

Ky është kuptimi i Ungjillit i cilësuar si libër biologjik kundrejt ungjillit i cilësuar si libër këshillash, libër jo i detyrueshëm, pra, pa të cilin edhe mund të bëhet. Përkundrazi, një libër i lirë aq sa i nevojshëm: i lirë në vështrimin e një propozimi dashurie që pret një përgjigje dashurie, edhe pse jemi tepër të bindur se asgjë nuk është më e nevojshme se dashuria. “Është e lirë mënyra për të dashur – përfundon Atë Turoldi – domethënë është i lirë objekti i dashurisë, por nuk është e lirë dashuria; e lirë është vetëm përgjigja, duke qenë se është akt dashurie në vetvete. “Dashurisë nuk mund t’i jepen urdhra, është e nevojshme vetvetiu.”

Është lehtë, nga ky këndvështrim, të vërtetojmë nëse mendësia jonë është ajo e drejtë, sipas Ungjillit, sepse asnjë nuk mund të jetë i sigurt se ka përqafuar Krishtin dhe prandaj të besojë me të vërtetë tek Ai. “Tjetër është të besosh e tjetër është të besosh se se beson”. Prej këndej rrjedh nevoja që të ballafaqohemi gjithnjë, në mënyrë që të mos ngurtësohemi te pozita fetare pa u rrëmbyer nga vrulli dhe dinamika e besimit. “Përkundrazi, nëse ju, vë në dukje Atë Turoldi, e merrni Zotin si një zbulim të vazhdueshëm, si pikë referimi, jo aq sa një Zot për të cilin flitet, sa të cilit i flitet, kur ju të mos e keni më pretendimin që ta sundoni Zotin, që ta bëni Zotin sipas kërkesave tuaja e jo ju sipas kërkesave të Zotit, ja, atëherë do të kemi besimin te feja. Por kur, përkundrazi, ti vihesh vazhdimisht në kërkim të Zotit dhe unë kërkoj vazhdimisht Zotin, ja pra se atëherë, duke qenë se takohemi edhe mund t’a ndihmojmë njeri-tjetrin ta gjejmë së bashku Zotin dhe atëherë jemi që të dy “besimtarë”.

Rrugëtimi drejt besimit, me një fjalë, përmblidhet kryesisht te nderja e vazhdueshme drejt Zotit dhe te projektimi i jetës tek Ai, që bën të mundur kapërcimin e të gjitha fanatizmave, arritjen e lirisë së shpirtit dhe të ndjerjes në harmoni me të gjithë ata që kërkojnë Zotin në këtë botë, pa pretenduar se mund të kapërcejmë pragun e ndërgjegjes së tjetrit apo ta zëvendësosh... Ky është besimi që aktualizohet te dashuria, një besim që lejon të mendojmë si mendon Zoti dhe të ndjejmë atë çka ndjen edhe Ai.

Pra, bëhet fjalë që të ballafaqohemi me projektin e Zotit, ashtu siç është shpallur nga Krishti. Duke e krahasuar vazhdimisht jetën tonë kryhet kthimi në fé.
Në fakt nuk kthehemi vetëm një herë në jetë, kthehemi çdo ditë. “Kthimi është i pambarim, sikundër e pambarim duhet të jetë edhe urata, sikundër i pambarim duhet të jetë edhe besimi. Është besimtari ai që duhet të kthehet, ai që është praktikant duhet të krahasojë mëshirën e tij, sepse siç thashë: mund të jem praktikant pa qenë besimtar, dhe mund të jem besimtar pa qenë praktikant.“ Atë Turoldi përfundon me fjalët: “Unë jam i sigurt për Zotin por nuk jam i sigurt se mund ta sundoj.” Kështu përfundon intinerari kreshmor i përsosur më tej nga “Mendimet mbi Pashkët”, mendimi kryesor i të cilave përmblidhet te shprehja: “Të ngjallurit e Krishtit nuk është tjetër veçse shkaku i vazhdimësisë së njeriut.”

Vijnë pastaj “Mendimet për laikët” që duke marrë shkak nga paralajmërimi i Bernanit se: “Ka vetëm një trishtim, të mos jesh i shenjtë.” i afrohen vendosmërisë të shenjtërisë, e vetmja që është në gjendje të na mbrojë nga virusi i Asgjësë. “Shenjti është padyshim njeri besimtar; njeri që dëshmon qartë Zotin; prandaj dhe paraqitet në të gjitha vendet si një shembull i njerëzimit. Dhe pikërisht shenjti, cilido qoftë intensitetit i tij, përçon hare.
Një hare që vetëm ai mund të dhurojë: shenjë se Zoti është me të. Sepse është e pamundur që një shenjt të mos përçojë hare. Një shenjt pa hare nuk është një shenjt, nuk është një njeri i Zotit.”

Janë për t’u vënë në dukje edhe “Mendimet e paqes”, tharmi i krejt predikimit të Atë Turoldit, të cilat nisin me thënien se fjalimi mbi paqen është më i vështiri: “është tema më tronditëse, tejet e vështirë dhe revolucionare, ndoshta e vetmja temë revolucionare mes të gjithave.... Paqja është një mrekulli. Pikërisht mrekullia që lë me gojë hapur ligjet tona, ligjet e këtyre politikave të asgjësimit, të prestigjit dhe të fuqisë.” E pra, pa paqen nuk ka krishterim, as njerëzim, as martesë, as shtëpi, as shoqëri, “dhe aq më pak Kisha mund ta quajë veten Kishë nëse nuk është kishë e paqes. Në fakt, lufta është një humbje e të gjithëve. Lufta është disfatë për arsyen, disfatë për të drejtën, siç është disfatë për politikën, fenë dhe besimin.

Nga Francesko Licinio Galati , marrë nga “Osservatore Romano”, e mërkurë 12 prill 2006, fq. 9

16/02/2018 07:30