2018-02-16 14:11:00

Papa Françesku pret shoqatën Pro Petri Sede: botës së dhunës e të egoizmit, i mungon dashuria


Me pyetjen, që përshkon Mesazhin për Krezhmët 2018, Papa Françesku u drejtohet sot anëtarëve të shoqatës kishtare “Pro Petri Sede”, të cilët i pret në Vatikan. Ata ndodhen në Romë, në shtegtim tek varri i shën Pjetrit apostull.

         “Vizita juaj – u thotë – bëhet në fillim të Krezhmëve, kohë e përshtatshme për t’u përqendruar sërish në thelbin e fesë katolike e në misionin e Kishës, në të cilin duhet të marrë pjesë çdo i pagëzuar. Para një bote të karakterizuar nga indiferenca, dhuna, egoizmi dhe pesimizmi, duhet të bëjmë sot pyetjen nëse ajo vuan edhe nga mungesa e dashurisë, si në zemra, ashtu edhe në marrëdhëniet me Zotin e me të tjerët. Është pyetja që bëj në Mesazhin për Krezhmët 2018: a është shuar vallë dashuria, në zemrat tona? Ia vlen ta shohim të vërtetën në sy!”

Lutje, agjërim, lëmoshë

         Tri, shpjegon Papa, janë ilaçet, që na jep Zoti për t’i trajtuar të tjerët me “delikatesën e respektit” dhe me vëllazëri:

         “Lutja na rivendos në udhën e së vërtetës për ne e për Zotin; agjërimi na bën ta provojmë gjendjen e shumë njerëzve, të cilët përballen me mundimet e urisë e na bën më të vëmendshëm ndaj të afërmit; lëmosha është rast i bekuar për të bashkëpunuar me Provaninë e Zotit, në dobi të bijve të Tij. E ju ftoj ta ktheni lëmoshën në stil jete dhe të ngulni këmbë në ndihmën konkrete për nevojtarët”.

Si të kontribuojmë në misionin e Kishës

         Shoqata “Pro Petri Sede” kontribuon me oferta për bamirësinë e Papës. E Ati i Shenjtë nënvizon se këto ndihma shkojnë sidomos tek ata, që detyrohen të emigrojnë, për shkak të konflikteve. Duke uruar që dashuria e krishterë të jetë gjithnjë e më fuqishme në zemrën e anëtarëve të shoqatës, Papa Françesku kërkon lutje për Sinodin e të rinjve.

         “Ju ftoj – thotë – të luteni për të rinjtë, që Sinodi i ardhshëm, i cili u kushtohet atyre, të zgjojë veçanërisht thirrje meshtarake e rregulltare në vendet tuaja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.