2018-02-16 13:34:00

Papa, maronitëve: të jeni barinj, gati për të fshirë lotët e besimtarëve


“Populli, që do t’ju besohet, i çorientuar nga paqëndrueshmëria, e cila, fatkeqësisht, vijon ta karkaterizojë Lindjen e Mesme, do të kërkojë tek ju barinj, që e ngushëllojnë”. Kështu u thotë Papa Françesku studentëve të Kolegjit Papnor Maronit, të cilët i priti sot në mesditë, në Vatikan, së bashku me krejt Trupin akademik, që këto ditë, kremtoi festën liturgjike të shën Maronit.

Të jeni “barinj, me fjalën e Jezusit në gojë"

         Prandaj, nënvizon Ati i Shenjtë për ndjekësit e shenjtit, i cili i dha jetë monakizmit në Liban, duhet të jeni “Barinj, me fjalën e Jezusit në gojë, me duart gati për të fshirë lotë e për të përkëdhelur fytyra të vuajtura; Barinj, që e harrojnë vetveten dhe interesat e tyre; Barinj, që nuk shkurajohen kurrë, sepse marrin çdo ditë nga Buka Eukaristike, forcën e ëmbël të dashurisë që ngop”.

Lutja dhe puna me vetveten

         Papa flet për rrugë, përmes të cilave fuqizohen rrënjët dhe themelet e Urdhërit të maronitëve, jeta e të cilëve mund të duket “e varfër për sytë e botës, por e çmuar për Zotin e për të tjerët”. I këshillon studentët të formojnë “antikorpe kundër botës e mediokritetit”, kundër kulturës të së përkohshmes e të dukjes, përmes lutjes dhe punës shpirtërore me vetveten.

         “Lutje liturgjike dhe personale, së cilës të mos i mjaftojnë ritet e bukura – thekson Papa – por të sjellë jetën para Zotit dhe Zotin brenda jetës. Punë shpirtërore plot durim, e cila, e gatshme për konfrontim, e ndihmuar nga studimi dhe e kalitur nga impenjimi, t’i kuptojë tundimet dhe të demaskojë falsitetet, për ta jetuar shërbimin në lirinë më të madhe të mundshme, pa dyfytyrësi, pa shtirje”.

Vëllazërimi dhe integrimi përfaqësojnë sfida urgjente

         Maronitët kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme. E pikërisht paqja dhe të rinjtë janë dy argumente të tjera të fjalës së Papës, të cilat Ati i Shenjtë do të dëshironte të ishin në qendër të shërbimit të çmuar të maronitëve.

         “Sot, - kujton Françesku, duke pasur parasysh se në Liban, aktualisht strehohen rreth 1 milion refugjatë  – vëllazërimi dhe integrimi përfaqësojnë sfida urgjente, që s’mund të shtyhen më, e, pikërisht për këtë, Libani nuk ka thjesht diçka për të thënë, por një vokacion të veçantë për paqen, të cilin duhet ta vërë në punë në botë”.

         E pastaj të rinjtë, “premtimi i së ardhmes – i quan Ati i Shenjtë – investimi më serioz për shërbimin tuaj”.

Imitoni shenjtorët

         Kujtojmë se Kolegji Maronit u themelua me bulën papnore “Humana sic ferunt” të 27 qershorit 1584, nënshkruar nga Papa Gregori XIII, i cili e kuptoi se vetëm duke formuar në Romë meshtarët e ardhshëm të Ritit Maronit do të bëheshin të mundura marrëdhënie më të ngushta ndërmjet Kishës Romake dhe djepit të krishterimit, Lindjes së Mesme. Aty, në shekuj, shërbente Kisha Patriarkale Maronite, e vetmja Kishë Lindore Katolike, e cila ka qenë gjithnjë e bashkuar me Selinë e Shën Pjetrit. Papa Françesku përmend shenjtorët e saj, si shën Maroni, por edhe shën Charbel e shën Rafqa.

         “Ata janë modelet për t’u imituar – u thotë studentëve – që të hidhni poshtë tundimet e karrierizmit, të pushtetit, të klerikalizmit. Udha që e nderon jetën e krishterë nuk është ngjitja drejt çmimeve dhe sigurive të botës, por zbritja e përvuajtur drejt shërbimit. Është rruga e Jezusit, nuk ka tjetër”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.