2018-02-16 13:49:00

Egjipt: përurohet kisha e re kopte kushtuar 21 martirëve, viktima të Is


U përurua, të enjten e kaluar, në fshatin Al-Our, në provincën e Minya-s, kisha e parë kopto-ortodokse kushtuar 21 martirëve, të cilëve iu pre koka tri vjet më parë nga terroristët e shtetit islamik, në Libi. Më 15 shkurt, data kur Is përhapi, përmes internetit, videon e tmerrshme me ekzekutimin e hatashëm, është edhe dita e zgjedhur nga patriku kopto-ortodoks Tawadros për të kremtuar kujtimin liturgjik të viktimave, shkruar në Synaxarium, libër i martirëve të  Kishës kopte, një javë pas masakrimit.

Kisha, pranë vendlindjes së martirëve

Kisha e re, që ngrihet pranë qytetit Samalut, prej nga vinin 13 nga 21 martirët e rrëmbyer në Libi në janar të vitit 2015, u përfundua muajt e fundit. Në përurim ishin të pranishëm shumë të afërm të viktimave, ndërsa nuk është konfirmuar akoma zhvendosja e relikeve të martirëve, gjetur shtatorin e kaluar në një gropë të përbashkët, në bregdetin libik, pranë qytetit Sirte.

Më 2015 u shfaq videoja me ekzekutimet  

Videoja, që paraqet ekzekutimin e tyre - pati njoftuar për Agjencinë Fides, Aziz Mina, ipeshkëv kopto-katolik nderi i Gizës - qe realizuar me skena të llahtarshme kinematografike, për të kallur terror. E pra, në këtë prodhim djallëzor filmik, përplot me tmerr gjakatar, shihet qartë se disa nga martirët, në çastin e ekzekutimit të tyre barbar, përsërisin; “O Zot, Jezu Krisht!”. Emri i Zotit qe fjala e fundme, që doli nga buzët e tyre. Si në mundimet e martirëve të parë, e lëshuan shpirtin në duart e Krishtit, që sigurisht po i priste. E kështu kremtuan fitoren e  tyre, fitore të cilën s’ka katil në botë që mund t’ua rrëmbejë! “Emri i pëshpëritur në çastin e  fundit, ishte vula, që vihej mbi martirizmin e tyre”.

Minya, provincë e goditur rëndë nga ekstremizmi

Në Egjipt 10% e popullsisë është e krishterë, por të marrësh autorizim për të ngritur kisha të reja, është jashtëzakonisht e vështirë. Provinca e Myania është posaçërisht në shënjestër të sulmeve nga ana e ekstremistëve myslimanë, siç e shpjegoi imzot Botros Fahim Awad Hanna, ipeshkëv kopto-katolik i qytetit, gjatë misionit të Fondacionit Ndihmë për Kishën që vuan, në bashkësinë e krishterë të vendit. “Minya sot është provinca më e rrezikuar e Egjiptit, sepse këtu të krishterët janë shumë të pranishëm, rreth 40%, por po këtu jetojnë edhe shumë liderë fundamentalistë islamikë, si salafitët e Vëllazërisë myslimane, që jo shumë kohë më parë i shkaktuan një mori trazirash bashkësisë sonë” - tha për Agjencinë Sir, duke shtuar: “Nga Mynia u nisën edhe disa islamistë për të luftuar në radhët e Isisit, në Siri e Irak”.

Bashkësi nën goditje të vazhdueshme

Në Mynia, muajt e fundit, u sulmuan më se 60 kisha e vende të krishtera, ndërsa në të gjithë Egjiptin, nuk janë të rralla atentatet kundër bashkësisë kopte. Atentati i fundit është ai i 29 dhjetorit të kaluar, kur besimtarë të rinj u vranë nga një grup ekstremist në hyrje të Kishës së Mar Mina, në Jug të Kairos.








All the contents on this site are copyrighted ©.