2018-02-16 15:18:00

Ambasadorja Alma Lama: 10-vjetori pavarësisë dhe sfidat e Kosovës


Kosova feston 10-vjetorin e pavarësisë me nisma të ndryshme që nga 15 shkurti deri më 18 shkurt. Ky përvjetor shënohet me konferenca, ekspozita, mbledhje solemne, shfaqje teatrale, filma e nisma të ndryshme për të shënuar arritjet, por edhe sfidat e Kosovës.

Pra, Kosova feston 10-vjetorin e pavarësisë, ditën historike të 17 shkurtit të vitit 2008, kur, përmes deklaratës solemne të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të Prishtinës, Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, duke kurorëzuar ëndrrën dhe vullnetin e qytetarëve të vendit.

Në vigjiljen e 10-vjetorit, Ambasadorja e Kosovës pranë Republikës së Italisë, Alma Lama pohon se në Kosovë po konsolidohet shtetit dhe demokracia, e flet për arritjet historike, për situatën aktuale dhe sfidat që ka vendi, ta dëgjojmë në mikrofonin e redaksisë shqipe të Vatican News...

Ky përvjetor e gjen vendin me shumë sfida, të trashëguara e të reja, si përforcimi i demokracisë, reformat institucionale, shqetësimi i popullsisë, posaçërisht i të rinjve, për gjendjen e rëndë ekonomike, për papunësinë e madhe, për vështirësitë që has zhvillimi shoqëror në vend, e kujtojmë se kosovarët janë të vetmit evropianë të Jug-Lindjes së Evropës, të cilët ende duhet të kërkojnë një vizë për të hyrë në hapësirën Schengen të BE-së etj.. Bashkimi Evropian shpreson që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin problemet ndërmjet tyre, në perspektivën e integrimit evropian. Janë bërë hapa përpara në këtë drejtim.
Po gjatë kësaj periudhe të pavarësisë, duhet thënë se Kosova ka shënuar edhe arritje institucionale, shoqërore, madje edhe në nivelin e marrëdhënieve gjeopolitike në rajon e në botë.

Koha do të tregojë nëse klasa politike e vendit është në gjendje t’u bëjë ballë sfidave aktuale e nëse vendi mund t’i kapërcejë vështirësitë e mëdha, brenda e jashtë. Po sivjet, data e 17 shkurtit shënon 10-vjetorin e ditës së shpalljes së Pavarësisë, e qytetarët e kremtojnë festën e Shtetit sovran të Kosovës si një ngjarje dhe arritje historike, me dëshirë dhe synim për një Shtet e një shoqëri demokratike me baza të ngritura mbi vlera të forta. Po sot, Urime Kosovë, Gëzuar 10-vjetorin e Pavarësisë! 








All the contents on this site are copyrighted ©.