2018-02-15 14:46:00

Motu Proprio e Papës mbi dorëheqjen: “Jo akt automatik por i qeverisjes”


Shpallet një Motu proprio e Papës Françesku mbi  dorëheqjen, për shkak të moshës, të titullarëve të disa zyrave me emërime papnore. Detyra nuk përfundon ipso facto (menjëherë) në moshën 75 vjeçare, por vetëm pas vendimit të Papës, të cilit i duhet paraqitur dorëheqja, Vendim, që mund të merret përtej tre muajve, sipas nenit 3 të kanunit 189 të së drejtës kanonike.

Mban datën 12 shkurt, Motu Proprio e Papës Françesku, titulluar “të mësohesh për të dalë në pension”, me të cilën rregullohet dorëheqja në moshën 75 vjeçare nga një zyrë kishtare që - shkruan Papa - duhet konsideruar pjesë përbërëse e vetë shërbimit, mbasi kërkon një formë të re gatishmërie.

Një sjellje e re shpirtërore

Françesku nënvizon rëndësinë e përgatitjes për të dalë në pension, duke u zhveshur nga dëshira për pushtetet e edhe nga pretendimi se je i “pazëvendësueshëm”, e duke e përballuar këtë çast  me “paqe e besim”, sepse përndryshe mund të bëhet i dhimbshëm dhe burim konflikti. Duhet shqyrtuar në lutje, kjo fazë e re e jetës,  e cila, mundësisht, duhet të karakterizohet nga thjeshtësia, përvujtëria, lutja e ndërmjetësimi, kohë kushtuar leximit e gatishmërisë për të kryer shërbime të thjeshta baritore.

Të vijosh punën në zyrë, nuk është triumf personal

Vijimi i detyrës konsiderohet si “shërbim ndaj Kishës” e jo si privilegj a triumf personal ose si favor, që sigurohet nga miqtë. E aq më pak, si mirënjohje për frytin e shërbimeve të kryera. Ky vendim papnor - thekson Françesku - nuk është akt automatik, por akt qeverisjeje; si pasojë, kërkon virtytin e urtisë, që ndihmon, përmes shqyrtimit të nevojshëm, të merret vendimi i  duhur.

Në moshën 75 vjeçare detyra nuk përfundon ipso facto

Me këtë Motu Proprio, që integron nenin 2 të “Rescriptum ex audentia”, mbi dorëheqjen e ipeshkvijve dioqezanë e të titullarëve të zyrave të emërimit papnor të 3 nëntorit 2014, (neni 2 “Dorëheqja nga zyrat e përmendura baritore prodhon efekte vetëm nga çasti në të cilin pranohet nga ana e autoritetit ligjor), Papa vendos që, si t’i kenë mbushur 75 vjetët, ipeshkvijtë dioqezanë e heparkialë, ashtu si dhe ipeshkvijtë ndihmës ose titullarë, me detyra të posaçme baritore, ftohen të paraqesin kërkesën për dorëheqje nga detyra e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për krerët e dikastereve romake jo kardinaj, prelatët eprorë të Kuries Romake dhe ipshkvijtë që kryesojnë zyra të tjera në vartësi të Selisë së Shenjtë, përfaqësues papnor, që nuk e  pushojnë ipso facto kryerjen e detyrës së tyre.

Papa vendos për dorëheqjen edhe përtej tre muajve nga paraqitja e saj

Papa Françesku vendos nëse dorëheqja duhet pranuar e detyra, konsideruar me shtytje afati, derisa të mos i komunikohet të interesuarit  pranimi i dorëheqjes, për një kohë të përcaktuar ose të papërcaktuar. Modifikohen, kështu, nenet 189§ 3CIC e 970§ 1CCEO në të cilat shkruhej: “dorëheqja, që duhet pranuar, po të mos e bëjë këtë brenda tre muajve, nuk ka më vlerë; ajo që nuk ka nevojë për pranim, hyn në fuqi me komunikimin dorëheqësit, sipas normës të së drejtës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.