2018-02-15 18:11:00

Meditimi i Papës për klerin e Romës, gjatë takimit tradicional, në fillim të Krezhmëve


Meshtaria kalon periudha të ndryshme, secila me karakteristikat e veta, që sjellin vështirësi, por edhe mundësi të reja. Kështu u tha sot Papa Françesku meshtarëve të klerit të Romës, mbledhur në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran për takimin tradicional, në fillim të Krezhmëve. Rreziqet e mundësitë, që hapen para priftërinjve, u panë nga Ati i Shenjtë në dritën e përvojës personale e të asaj të meshtarëve të tjerë.

Papa Françesku rrëfeu disa meshtarë e drekoi me seminaristët e Lateranit

 Për mëse një orë, Papa rrëfeu shumë meshtarë nga kleri romak, ndërsa vikari i tij, imzot Angelo De Donatis, vijonte liturgjinë pendestare. Më pas, iu përgjigj pyetjeve të tre meshtarëve: njëri i ri, tjetri mesoburrë dhe i treti, i moshuar. Gjithë të pranishmëve u dhuroi librin me titull “Të dashur vëllezër në meshtari… Tekste të ipeshkvijve të Romës për klerin romak” kushtuar meditimeve të Krezhmëve. E pastaj, jashtë programit, Papa Françesku shkoi në Seminarin e madh, aty pranë, ku u lut në kapelën e Zojës së besimit dhe drekoi me rreth 70 seminaristë.

Papa, meshtarëve të rinj

Duke iu përgjigjur pyetjeve, siç njofton gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano”. Papa u kërkoi të rinjve të mbajnë një stil meshtarak, të cilin duhet ta konsiderojnë kartën e tyre të identitetit. I këshilloi të kërkojnë një udhëheqës, një person të urtë e të mençur, një atë shpirtëror, që t’i ndihmojë, duke u konfrontuar me ta. Meshtari është i pamartuar, theksoi Papa, por nuk mund të jetojë i vetëm, i duhet një guidë, që ta ndihmojë t’i shoshisë punët.

Papa, meshtarëve mesoburra

Ati i Shenjtë u kushtoi vëmendje të veçantë meshtarëve të moshës nga 40 deri në 50 vjeç, mosha e tëharrjes dhe e provës, saktësoi. Prifti në këtë moshë, vërejti Françesku, “është si bashkëshorti, të cilit, me kohë, i ka kaluar dashuria e parë dhe emocionet e rinisë. Kështu është edhe në marrëdhëniet me Zotin. Në këtë periudhë nevojitet edhe më tepër një udhëheqës e shumë lutje, sepse është e rrezikshme të ecësh përpara vetë. Është çasti, kur sheh se bijtë e tu shpirtërorë po rriten e kur frytshmëria fillon të pakësohet. Është edhe koha e tundimeve – paralajmëroi Papa – për të cilat mund të na vijë turp, por është djalli, që duhet të ketë turp t’i rrënjosë. Rëndësi ka të mos dorëzohemi. Fillon edhe periudha e lamtumirave, prandaj është mirë të mësojmë si të ndahemi”.

Papa, meshtarëve më të vjetër

 Ati i Shenjtë reflektoi më pas me meshtarët, që i kanë kapërcyer të pesëdhjetat e kanë hyrë “në kohën e urtisë, në të cilën duhet të ofrojnë dashurinë dhe gatishmërinë e tyre me buzëqeshje”. Besimtarët, që i afrohen një rrëfyesi në moshë, shohin tek ai njeriun, që i pret me përzemërsi. “Meshtarët e moshuar – sipas Papës Françesku – mund të bëjnë akoma shumë, sidomos me ‘baritorinë e veshit’, duke dëgjuar, duke u qëndruar pranë njerëzve në dhimbje, duke u treguar dhembshuri”. Kjo është koha e faljes pa kushte, nënvizoi Ati i Shenjtë, që i ftoi priftërinjtë e moshuar të dialogojnë me të rinjtë, të cilët duhen ndihmuar për të gjetur rrënjët e tyre. U këshilloi dy libra për të lexuar, njëri i Anselm Grun dhe tjetri i René Voillaume.








All the contents on this site are copyrighted ©.