Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Udha e Kryqit

Nga Udha e Kryqit në Koloseum

15/02/2018 13:13

Me të Mërkurën e Përhime, dje, filluan Krezhmët, kohë e favorshme për të rizbuluar vlerën e agjërimit, të lëmoshës e të lutjes dhe për t’u përgatitur kështu për Pashkët e Ringjalljes së Zotit tonë. E për ta ndihmuar këtë përgatitje, Kisha Katolike kremton çdo të premte, Udhën e Kryqit, përshkon Mundimet e Jezu Krishtit, jo për të vajtuar, por për të hyrë në sferën hyjnore të jetës, për të rilindur së bashku me Zotin në një jetë të re. Emisionin e sotëm ia kushtojmë pikërisht historisë së kësaj Udhe.

Udha e Kryqit, ashtu siç e kuptojmë dhe e kremtojmë sot, e ka zanafillën në Mesjetën e vonë. Qenë shën Bernardi i Kiaravales (+ 1153), shën Françesku i Asizit (+ 1226) dhe shën Bonaventura nga Banjorexho (+ 1274), të parët, që patën pasion të madh për misteret e Mundimeve të Krishtit, kujtimi i të cilave ishin për ta dhe për besimtarët, që i rrethonin, praktikë e përshpirtshme.

Vërtet, Udha e Kryqit, në formën e saj aktuale, e përbërë nga 14 ndalesa, kudo në të njëjtin rend, duket për herë të parë në Spanjë, në gjysmën e parë të shekullit XVII, sidomos në ambientet françeskane. Nga Spanja u përhap në Sardenjë, pastaj, në krejt gadishullin italian. Por pa dyshim, Udha e Kryqit u përhap kudo ku kishte kisha të Urdhërit serafik, për vepër të një françeskani tjetër të madh, të shën Leonardit nga Porto Mauricio (+ 1751). Shenjti mori nga Papa Klementi XII autorizimin për ta përhapur këtë praktikë të përshpirtshme edhe në kisha të tjera. Ati i Shenjtë vendosi me anë të brevës “Exponi nobis” të vitit 1731, që të gjitha kishat të pajiseshin me ndalesat e Udhës së Kryqit.

 Shën Leonardi ngriti personalisht më se 572 Udhë Kryqi, nga të cilat, më e famshja është ajo e Koloseumit, vendosur me kërkesën e Papës Benedikti XIV, më 27 dhjetor 1750, në kujtim të Vitit Shenjt. Deri në kohën e bashkimit të Italisë, në vitin 1861, në Koloseum kremtohej vazhdimisht një Udhë Kryqi solemne, që përshkonte Mundimet e Zotit tonë Jezu Krisht. Pas asaj date, nuk u kremtua më, por kryqi u kthye sërish në Amfiteatrin Flavio, ku janë persekutuar të krishterët e parë, në vitin 1926, pavarësisht se jo në qendër të tij, por anash.

U desh të pritej viti 1959 për të filluar sërish kremtimin e Udhës së Kryqit në Koloseum. Ishte papa Gjoni XXIII ai, që kryesoi ritin, por vetëm për atë vit. Tradita u përtëri nga Papa Pali VI në vitin 1965 e, që atëherë, çdo Papë i mëvonshëm ka shkuar e vijon të shkojë të Premten e Madhe të Pashkëve në Koloseum, për të kujtuar, së bashku me besimtarët e shumtë, Mundimet që pësoi Krishti për të shëlbuar botën.

15/02/2018 13:13