Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Tri mjete të dobishme për të jetuar Kreshmët: lutja, lëmosha e agjërimi

MADRE TERESA IN PREGHIERA

14/02/2018 15:45

Sot, Të mërkurën e Përhime nis udha e kreshmëve prej dyzetë ditësh që do të na shpjerë te tre ditëshi i Pashkës, kur do të kujtojmë mundimin, vdekjen e ringjalljen e Zotit, që përbën thelbin e zemrës së shpëtimit tonë. Kreshmët na përgatisin për këtë çast mjaft të rëndësishëm, prandaj janë një kohë domethënëse, që shënon një kthesë rrënjësore që mund të favorizojë te secili prej nesh shndërrimin e madh, apo kthimin.

Secili prej nesh ka nevojë të ndreqet apo të përmirësohet dhe Kreshmët na ndihmojnë për të dalë nga zakonet e vjetra dhe nga praktikat që na bëjnë të plogësht ndaj të keqes që na zë në grackë. Në kohën e Kreshmëve Kisha na drejton dy ftesa mjaft të rëndësishme: të jemi më shumë të vetëdijshëm ndaj veprës shpërblyese të Krishtit dhe të jetojmë më me përkushtim pagëzimin që kemi marrë.  Prandaj Kisha i fton besimtarët ta shfrytëzojnë këtë kohë të shenjtë për t’u kthyer në rrugën e Zotit.

Kreshmët sipas këndvështrimit të Shën Palit Apostull

Premtimi i Hyjit është i qartë: nëse populli do ta dëgjojë ftesën për t’u kthyer, Zoti do të ketë mëshirë e miqtë e tij do të mbushen me favore të panumërta.
Hapi i parë drejt udhës së Zotit është Pagëzimi, por kjo nuk mjafton. Duke kujtuar Shën Palin Apostull, duhet sqaruar se shenjti, që më parë ishte persekutues i të krishterëve, e kupton më vonë se kthimi në rrugën e Damaskut e gjithçka në të është vepër e Hirit Hyjnor, por nuk harron se çdo person duhet të marrë pjesë lirisht në jetën e re, që e ka fituar me anë të Pagëzimit. Për këtë, duhet të lirohet vazhdimisht nga mëkatet, siç shkruan apostulli në Letrën drejtuar Romakëve. Është një program i vërtetë për Kreshmët.

Nga njëra anë, pohohet fitorja e Krishtit mbi mëkatin, arritur një herë e përgjithmonë me vdekjen e ngjalljen e Tij; nga ana tjetër, shtyhemi të mos i ofrojmë mëkatit gjymtyrët, pra, të mos i japim, nëse mund të themi kështu, hapësirë shpagimi mëkatit. Por si mund ta realizojmë thirrjen e Pagëzimit, si mund të dalim fitimtarë në luftën ndërmjet korpit e shpirtit, ndërmjet së mirës e së keqes, luftë që shënon ekzistencën tonë? Në Ungjillin e sotëm nga Mateu (6,1-6.16-18) Zoti na jep tri mjete të dobishme: lutjen, lëmoshën e agjërimin.

Pra duhet nënvizuar se sa të rëndësishme kanë qenë këto tri mjete për Shën Palin Apostull e sa duhet të jenë për çdo besimtar në përgatitjen për Pashkët. Që këtu, detyra për të mos jetuar vetëm me bukë, duke perifrazuar fjalët e Jezu Krishtit në shkretëtirë, në të parin nga tri tundimet.Ja pra, thirrja e të krishterëve: të ringjallur në Krishtin, ata kanë kaluar përmes vdekjes e tashmë jeta e tyre është e fshehur me Krishtin në Zotin. Për ta jetuar këtë ekzistencë “të re” në Zotin është e domosdoshme të ushqehen me Fjalën e Zotit.

E përsëri shembulli i Shën Palit, për të cilin mendimi, veprimi, lutja, teologjia, predikimi ishin të gjitha, fryt i Fjalës së Hyjit. E ndërsa përgatitemi për t’u përhitur në shenjë kthimi e pendese, t’ia hapim zemrën veprimit rigjallërues të Fjalës së Zotit. Kreshmët, të karakterizuara nga dëgjimi më i shpeshtë i kësaj Fjale, nga lutja më intensive, nga një mënyrë jetese më e rreptë e pendestare, të na shtyjnë drejt kthimit e dashurisë së sinqertë për vëllezërit, sidomos për të varfrit e nevojtarët.

14/02/2018 15:45