Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Takime e ngjarje

Papa: nesër do të takohet me meshtarët e dioqezës së Romës.

Bazilika e Shën Gjonit në Lateran

14/02/2018 09:08

Nesër, një ditë pas përhimjes dhe fillimit të Kreshmëve, Papa Françesku do të jetë në orën 9.30 në Katedralen e Shën Gjonit në Lateran, për takimin tradicional me meshtarët dhe diakonët e dioqezës së Romës. Njoftimin e jep kryeipeshkvi Angelo De Donatis, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës, me një letër, drejtuar klerikëve romakë, duke saktësuar se do të zhvillohet me porta të mbyllura.

“Siç është bërë traditë vitet e fundit - shkruan De Donatis – do të jetojmë një liturgji pendestare në bashkësi, me mundësinë edhe për rrëfimin, në përfundim të të cilit Françesku do të na drejtojë fjalën e tij”. Mëkëmbësi i Papës i fton të gjitha bashkësitë, posaçërisht famullitë, ta shfrytëzojnë rastin për t’u ballafaquar me “sëmundjet shpirtërore’, të tematizuara në fjalimin e mbylljes së kuvëndimit dioqezan të 18 shtatorit të kaluar: ekonomia e përjashtimit, indiferenca egoiste, individualizmi i rehatshëm, lufta ndërmjet nesh, pesimizmi shterpë, kundërvënia mendësisë së botës.

Teksti i zgjedhur për t’i ndihmuar bashkësitë ta jetojnë këtë kohë verifikimi, ndarjeje të përbashkët e pastrimi, është nxitja apostolike “Evangelii Gaudium’, e para e Papës Françesku, shkruar e botuar në përfundim të Sinodit mbi ungjillëzimin e ri, që merret me temën e kumtimit të Ungjillit në botën e sotme. Rezultatet e këtij shqyrtimi do të dërgohen në Vikariat përmes famullitarëve dhe prefektëve, brenda javës së parë të prillit, duke krijuar, kështu, kushtet për sintetizimin e tyre, që pastaj t’i paraqiten Papës, në prag të kuvëndimit dioqezan.

14/02/2018 09:08